Protesta e opozitës, Lu troket në zyrën e Berishës

462
Ditën e largimit të Bashës drejt Uashingtonit, ambasadori amerikan takon ish-kryeministrin. Çfarë u bisedua për qeverinë, zgjedhjet, kanabisin, bandat kriminale dhe Xhorxh Sorosin

Ish-kryeministri Sali Berisha bisedoi dje me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, për situatën politike dhe kërkesën e opozitës për një qeveri teknike që do të dërgojë vendin në zgjedhje. Pikërisht në ditën e udhëtimit të Lulzim Bashës drejt Shtetet të Bashkuara, diplomati amerikan do të shfaqej në zyrën e Berishës, i cili vetëm pak ditë më parë nga çadra e Partisë Demokratike e kishte qortuar për ndërhyrjet gjatë reformës në drejtësi. Pas takimit me ambasadorin Lu, Berisha bëri të ditur se kishte folur për situatën kritike, duke e cilësuar “më kritike se në gjithë ekzistencën e pluralizmit”. “Opozita shqiptare, për herë të parë në histori, fillon një protestë të pandërprerë në periudhë elektorale si dhe renditi arsyet e kësaj proteste”, tha Berisha. Më tej, ish-kryeministri nënvizoi, se “opozita para zgjedhjeve që do të zhvillohen, përballet me një mal me para droge, me të cilat nuk përballet opozita e asnjë vendi tjetër në botën e lirë”. “Mbjellja e gjithë vendit me kanabis ishte një politikë e Edi Ramës me një qëllim nga më kryesorët: zgjedhjet. Theksova se opozita beson se Shqipëria me drogën nuk zhvillohet por shkatërrohet. Në këtë kontekst, u shpreha se Rama, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një lloj Noriege, ndaj të cilit SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajnë qëndrim të prerë”, sqaroi ish-kreu i PD-së. Gjithashtu, Berisha bëri të ditur se i kishte thënë ambasadorit Lu që “arsye tjetër pse opozita po proteston janë bandat kriminale më të rrezikshme të vendit, të cilat janë liruar dhe po lirohen nga burgu me ndërhyrjen direkt të Edi Ramës, si Lul Berisha, Hakmarrja për Drejtësi etj, me qëllimin kryesor: grabitjen e zgjedhjeve”. “Klement Balili sot shëtit i lirë nëpër Sarandë, ndërsa shefi i policisë që duhet ta arrestojë është emëruar prej tij dhe informohet për çdo operacion. Nga ana tjetër, Shullazi është pothuaj më i fuqishëm në burg se sa jashtë burgu, duke u dhënë urdhra dhe ofruar favore zyrtarëve në të gjitha nivelet e administratës”, thuhet në deklaratën e Berishës. Ish-kryeministri deklaroi se i ka theksuar diplomatit amerikan, se “120 mijë punonjës të administratës, si kurrë ndonjëherë në histori, janë shpallur nga qeveria si patronazhistë, të cilët detyrohen të sjellin vota, dhe jo vetëm të familjes por dhe të të afërmve dhe të njohurve të tyre, dhe të dorëzojnë numrat e telefonit dhe të kartave të identitetit të personave që me detyrim marrin në patronazh”. “Shpreha shqetësimin dhe për situatën e mediave në Shqipëri, të cilën e vlerësova si më të keqe se në vitin 1991. Asokohe mediat zyrtare censuruan plotësisht opozitën por Zëri i Amerikës dhe Radio Vatikani transmetonin të gjithë aktivitetet e saj. Ndërsa sot opozita përjeton shkallën më të lartë të censurës në të gjithë ekzistencën e saj”, nënvizoi Berisha. Sipas tij, “kriza që u shfaq në Maqedoni një vit para zgjedhjeve ndërmjet forcave politike maqedonase, si mosbesim për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nuk ka asnjë krahasim me situatën tejet dramatike në Shqipëri për procesin elektoral”. Në takimin Berisha-Lu është diskutuar edhe për çështjen e Sorosit. “Në këtë takim vlerësova se që nga themelimi i pluralizmit, forcat politike kanë bashkëpunuar ngushtë dhe me sukses si me Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan ashtu dhe me atë Republikan dhe shprehu mirënjohjen ndaj tyre. Por që nga viti 93 deri sot, George Soros ka shpenzuar miliona dollar jo vetëm në mbështetje të ish komunistëve shqiptarë por direkt kundër PD. U shpreha se Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blenë lirë politikanët, por theksova se do vlerësoja që qeveria amerikane të ndalojë një veprimtari të tillë të tij. Dhashe shembuj konkret të ndërhyrjeve të tij të dëmshme për demokracinë në mbështetje të Edi Ramës”, njoftoi Berisha. Në deklaratën e tij, Berisha bëri të ditur se i ka thënë Donald Lu-së se “për këto arsye opozita është jashtë parlamenti dhe po proteston për votën e lirë dhe jo për pushtet”.
PD mbledh artistët dhe krijuesit në Sheshin e Lirisë
Në ditën e 32-të të protestës së Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme, në Sheshin e Lirisë u fol për letrat, mendimin, artin, krijimtarinë dhe shpirtin e një republike të re. Artistja Zana Turku ftoi të gjithë qytetarët të protestojnë duke kënduar së bashku, të mblidhemi në Sheshin e Lirisë. “Ne jemi këtu për liri, për demokraci, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Turku. Aktorja Rajmonda Marku interpretoi në çadër dy poezi të njohura nga Gjergj Fishta dhe Arshi Pipa. Mbesa e At Zef Plllumit, Angjelina Gjeka lexoi një paragraf nga libri “Rrno për me tregue”. “Unë nuk e mora dot librin me vete, e lashë në shtëpi, por librin e mora në zyrën e kryetarit Basha”, shprehu vlerësimin Angjelika Gjeka. Ajo bëri thirrje për të mos të harruar të kaluarën duke u ngritur në protestë për të mos lejuar më që në parlament të ketë ish-zyrtarë komunistë dhe kriminelë. “U bëj thirrje të gjithë të bashkohen me ne, sepse nuk do ta harrojnë të kaluarën. I bëj thirrje popullit shqiptar që të mos të harrojmë të kaluarën dhe komunizmin. Unë flas në emrin tim dhe nuk dua në Parlamentin shqiptar kriminelë dhe ata që kanë qenë në qeverinë komuniste. Shqipëria ka të rinj e të reja të shkolluar dhe ata duhet ti shohim në Parlament. Unë dua që në parlament ta shoh veten dhe fëmijët e mi ta shohin veten të përfaqësuar tek njerëz me vlera. Unë i bëj thirrje edhe z. Basha që në parlament të ketë sa më shumë vajza e djem të rinj”, tha Gjeka. Historiania Henriketa Papaj u shpreh se republika e sotme nuk u përket qytetarëve por një grushti pushtetarësh. “Sot në pyesim se sa liri na garantohet përveç fasadës së demokracisë. E kujt është kjo republikë që kemi sot?! E Kolumbisë?! Është e mbushur me hashash Shqipëria. Si mund të kemi këtë republikë kur pushtetin e kanë njerëzit e krimit dhe drogës. Demokracia është përfaqësim i popullit dhe duhet të kemi garanci të shkojmë të votojmë të lirë. Pushtetit duhet të jetë i popullit në një Republikë të Re. Fakti që ne jemi mbledhur këtu 3 muaj para zgjedhjeve tregon se demokracia sot në Shqipëri është e brishtë”, tha Papaj. Ajo theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe në vecanti të të drejtës për të votuar të lirë. Tenori Rudi Sata shprehu mirënjohje për Partinë Demokratike që çdo mëngjes këndon himnin kombëtar dhe ngre flamurin në çadër. Ai shprehu indinjatën e thellë të komunitetit të artistëve që sot nuk janë të lirë dhe nuk kanë mundësi të shprehin artin e tyre. “Dua t’i kujtoj z Rama një thënie të Sokratit; rreziku nuk vjen nga reagimi i të mençurit, por nga heshtja e injorantit. E pra, ky popull nuk është injorant, por me dinjitet e kulturë dhe çadra e tregoi këtë”, tha Sata.
Sigal