Protesta e opozitës/ Ja çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare

657
Sigal

Protesta e zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga mijëra qytetarë kundër qeverisë Rama ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Agjensia Reuters, Associated Press, New York Times, Washington Post, etj, në faqet e tyre online, kanë pasqyruar lajmin mbi këtë protestë.

Mbështetësit e opozitës shqiptare marshuan në një protestë anti-qeveritare të shtunën për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa Bashkimi Evropian dhe SHBA i paralajmëruan ata për të shmangur dhunën dhe për të mbajtur bisedime për zgjidhjen e krizës në vend.

Protestuesit u mblodhën nga i gjithë vendi në Tiranë, duke valëvitur flamuj kombëtar dhe të BE, duke thirrur “Rama ik!”.

Disa protestues hodhën flakadanë, tymuese dhe sende të tjera ndaj policisë, e cila u përgjigj me ujë me presion. Liderët e opozitës u përpoqën të ndalojnë hedhjen e sendeve ndaj policisë, shkruan AP.

Ndërsa Reuters në një raportim mbi protestën shkruan se mbështetësit e opozitës shqiptare dolën përsëri në rrugë këtë të shtunë në një protestë kryesisht paqësore, e gjashtë kombëtare në tre muaj, duke i bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen për të hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Duke hedhur poshtë akuzat për mashtrim në zgjedhjet e 2017 që i dha fitoren e Partisë Socialiste dhe atij një mandat të dytë në detyrë, Rama i tha kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha se nuk do të japë dorëheqjen dhe i kërkoi atij në një letër publike për të zgjidhur krizën me bisedime.

“Ai po më pyet, duke na kërkuar që të dorëzohemi? Përgjigjuni atij!, i tha Basha turmës, e cila iu përgjigj njëzëri: “Rama ik”.