Protesta e opozitës – gatishmëri e lartë në Tiranë

64
Opozita shqiptare zhvillon të shtunën një protestë masive në Tiranë për largimin e kryeministrit Edi Rama. Duam „një Republikë të re“, pa drogë e korrupsion, kërkon kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Partia Demokratike në opozitë u ka bërë thirrje mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria të marrin pjesë në protestën e madhe të opozitës të thirrur për të shtunën (13.05) nga Partia Demokratike. Ndërkohë mijëra policë dhe forca speciale janë në gatishmëri për të garantuar zhvillimin e qetë të saj. Partia Demokratike ka bërë thirrje për protestë paqësore, megjithatë në media në Shqipëri ka pasur njoftime për trazira të mundshme gjatë saj.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur më parë, se kjo protestë do të jetë edhe fillimi i „Republikës së Re”, që do të nxjerrë vendin nga droga, krimi e korrupsioni i qeverisjes së Edi Ramës. Partia Demokratike i mbetet qëndrimit të saj për mospjesëmarrje në zgjedhjet e 18 qershorit.