Protesta e gjashtë e opozitës/ Mijëra qytetarë rrethojnë Kuvendin dhe kërkojnë largimin e qeverisë. Pas revoltave, policia liron të ndaluarit

443
Sigal

Mijëra persona kërkuan largimin e Kryeministrit dhe lirimin e protestuesve të arrestuar

Mijëra qytetarë morën pjesë, ditën e djeshme, në protestën e opozitës së bashkuar përpara parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë Tiranë. Njësoj si në pesë protestat e para, edhe në këtë rast qytetarët kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Rama, pasi e akuzojnë atë për korrupsion, blerje votash dhe lidhje me bandat kriminale. Në rresht të parë të protestuesve qëndronin banorët e zonës së Astirit, të cilët kanë rreth 5 muaj që protestojnë kundër projektit korruptiv të “Unazës së Madhe”. Pikërisht këta banorë ishin të parët që u përplasën me policinë, e cila kishte rrethuar kuvendin. Pas tre orësh protestë përpara kuvendit, protestuesit u zhvendosën përpara Drejtorisë së Policisë ku mbahen të arrestuar disa nga qytetarët që kanë protestuar në protestat e mëparshme të opozitës. Përpara Drejtorisë së Policisë, protestuesit kërkuan lirimin e qytetarëve të arrestuar. Protesta e djeshme ishte paqësore, pavarësisht disa përplasje të vogla me policinë. Ndryshe nga protestat e tjera, kësaj radhe policia nuk përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët.

Policia liron protestuesit e ndaluar

Policia e Shtetit ka liruar protestuesit e arrestuar ditën e djeshme midis tyre edhe Dorian Protoduarin, i cili u ndalua rrugës për në shtëpi pas pjesëmarrjes paqësore në protestë. Banorët dhe shumë ish-deputetë të opozitës rrethuan për disa orë Drejtorinë e Policisë, duke kërkuar lirimin e te arrestuarve, dhe duke kërcënuar në përshkallëzimin e protestës. Policia nuk ka gjetur prova për ta implikuar Dorian Protoduarin, duke e liruar pas këmbënguljes të qytetarëve të revoltuar.