Protesta e fshatarëve të Brataj në Vlorë: Na rrëmbejnë edhe ujin e pijshëm

1799
Sigal

Koncesionet e ndërtimit të HEC që përçudnojnë natyrën dhe monumentet e kulturës

Nuk kanë të ndalur ndërtimi i HEC në çdo përrua, por e keqja e madhe është se ndërtuesit të tjera projekte kanë paraqitur, kur kanë marrë koncesionin ose lejen e ndërtimit dhe të tjera projekte zbatojnë në ndërtim, duke devijuar shumë, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë me shpenzime më të pakta, pa u bërë aspak merak për dëmet dhe pasojat, jo vetëm në mjedisin përreth, por as për dëmet që u shkaktojnë banorëve.

Banorët e Brataj në Vlorë: Na gënjyen!

HEC që do të ndërtohej në Lumin e Vlorës, në segmentin që kalon në fshatin Brataj, u tha fillimisht, që do të krijonte edhe liqen, i cili do të shfrytëzohej nga banorët, uji nuk do të mungonte. Mirëpo, tani, ndërtuesit e HEC, jo vetëm liqen nuk do të ndërtojnë, por edhe ujë nuk do ketë më, pasi gjithë ujin do ta futin në tubacione, duke tharë krejtësisht edhe lumin.

Protestat e fuqishme të banorëve

Ky devijim i projektit të HEC ka shkaktuar edhe zemërimin e banorëve të fshatit Brataj, të cilët kanë organizuar edhe protesta të fuqishme. ”Nuk shkëmbejmë urën 7-shekullore me përbindësh betoni”, – shprehen banorët në protestën e tyre në Vlorë kundër HEC-eve. Qindra banorë të fshatit Brataj në Vlorë dolën dje në protestë kundër ndërtimit të HEC-it të Gjormit. Vendimi për ndërtimin e një HEC-i në fshatin Gjorm dhe bllokimi i rrjedhës së lumit Shushicë për t’u shfrytëzuar nga HEC-i i ngriti banorët në protestë. Banorët shprehen: Qindra familje të Bratit jetojnë me bujqësi dhe blegtori, pa ujin e lumit fshati s’ka më jetë. Tokat mbahen me ujin e lumit. Ura shekullore e Bratit, monument i mbrojtur, del jashtë funksionit. Banorët po mbledhin firma për të ndaluar ndërtimin HEC-it. Do të shkojmë në gjykatë, nëse nuk ndërpresin ndërtimin.

I keni bërë llogaritë gabim në fshatin Brataj

Petro Stogoi

Ditën e hënë, më datën 20 gusht, në qendër të fshatit Brataj, gjithë banorët e tij, u mblodhën në një tubim proteste, ku shprehën kundërshtimin e tyre për mosndërtimin e një HEC në lumin e tyre. Nuk ka shumë kohë që një grup specialistësh, të dërguar nuk dihet nga kush,(sepse nuk tregonin as emrat dhe as adresat), kanë kryer disa punime studimore për ngritjen e një HEC pranë urës katër shekullore të këtij fshati. Të shqetësuar nga veprimet e këtij grupi të panjohurish, që kishin shkelur në territorin e tyre, disa përfaqësues të fshatit dhe banorë të tjerë organizuan një takim sqarues me ta, ku u njoftuan se bëhej fjalë për ndërtimin e një HEC-i, por që nuk dhanë informacion as për Dikasterin, që u kish hapur rrugën dhe as për firmën që e ka marrë përsipër. Megjithatë, faktet që dolën më pas, vërtetonin që këto veprime paraprake, përgatitnin një investim privat. Në këto rrethana tinëzare, ende të pa sqaruara, por të sigurt se, ky veprim nuk është pa dijeni të Ministrisë Energjetike dhe Ministrisë së Mjedisit, si rrjedhojë edhe të Kryeministrit, u vendos që, fillimisht, të organizohej ky tubim proteste, si sinjal edhe për gjithë ata që e kanë përgatitur këtë brutalitet në kurriz të jetës së banorëve jo vetëm të këtij fshati. Tubimi ishte i qetë, me fjalë burrash, siç është në karakterin e krahinës së Lumit të Vlorës, por të gjithë folësit shprehën vendosmërinë e gjithë bratiotëve kudo ku janë se, kushdo që e ka marrë përsipër këtë nismë, i ka bërë llogaritë gabim. Duke e përcjellë revoltën e këtij fshati edhe nëpërmjet kësaj media, duhet shënuar se në Brataj nuk do të ketë djegie e shkatërrime, por gjithashtu nuk do të lejohet të shkelë asnjë këmbë ndërtuesi që ka marrë përsipër të nëpërkëmbë jetën e tyre. Duhet qenë e qartë se, banorët e këtij fshati të lashtë, u ngulën këtu, për atë lumë, për atë fushë e për ato male, të cilat i ka ruajtur si faktorë të jetesës e mbijetesës së tyre, pa llogaritur sakrificat e shumta e të shumanshme. Në këtë protestë u theksua se padijenia që ka deputeti i tyre dhe mospërfillja e krerëve të pushtetit vendor për mos aprovimin e një ndërtimi të tillë, janë përgjegjësi, që duhet të shqetësojnë edhe Prefektin dhe Kryetarin e Qarkut të Vlorës. Ky tubim mund të jetë fillimi i aksioneve të tjerë, por edhe fundi i kësaj pabesie ngado që vjen, në qoftë se shtetarët dhe përfaqësuesit e popullit do të dinë ta vlerësojnë këtë shqetësim.