Protesta e emigrantëve, Silva Caka: Ministri i Brendshëm ka frikë nga hija e tij

618
Sigal

Deputetja e LSI, Silva Caka ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, ku shkruan se Sandër Lleshi/aj, Ministër i Brendshëm, ka frikë edhe nga hija e tij. Caka ka publikuar dokumentin, në lidhje me tubimin e kërkuar nga emigrantët  për datën 28 dhjetor.

‘Kryeministri dhe adjutanti i tij Lleshi/aj, nuk kanë shqetësimin e pengimit të qarkullimit; në të vërtetë kanë frikën se mos edhe ata që qarkullojnë me makina, i braktisin mjetet e tyre dhe i bashkohen Protestës së Diasporës!’, shkruan Caka.

Postimi i plotë:

Ky është Sandër Lleshi/aj, Ministër i Brendshëm, i cili ka frikë edhe nga hija e tij!Lleshi/aj, dje, nëpërmjet Z. Kastriot Skënderaj, refuzoi të jepte autorizimin për mbajtjen e një proteste paqësore, përpara Kryeministrisë, në orën 17:00, me arsyet më banale të mundshme.
Z. Lleshi/aj, me bekimin e atij që e propozoi si Ministër nga Tëeeter-i, haptazi cenon dhe shkel një të drejtë kushtetuese të njeriut, atë për të protestuar.Lleshi/aj, Neni 47/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë qartë se: “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.”.
Gjithashtu, në Pjesën e Dytë të Kushtetutës, në Nenet 15, 16 dhe 17 të saj, garantohet ushtrimi pa kufizim dhe pengesë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Protesta tashmë është deklaruar nga organizatorët, si një organizim paqësor dhe të vetmet “armë” që do të përdoren, me siguri do të jenë MEME-t e Genc Sejko, të cilave Kryeministri u trembet aq shumë, pasi e nxjerrin cullak dhe pa propagandën e tij; janë mjete që e trajtojnë ashtu siç e meriton: si një copë debili!

Në të gjitha sistemet e së drejtës, në rastet e konfrontimit të dy të drejtave, njihet parimi i prevalimit të të drejtave, sipas të cilit garantohet më parë e drejta me rëndësi më të madhe dhe që gjendet e sanksionuar më lart në hierarkinë e normave, pra konkretisht: e drejta për të protestuar, prevalon mbi të drejtën e qarkullimit rrugor pa pengesa (a përbën një të drejtë kjo?!?!).

Kryeministri dhe adjutanti i tij Lleshi/aj, nuk kanë shqetësimin e pengimit të qarkullimit; në të vërtetë kanë frikën se mos edhe ata që qarkullojnë me makina, i braktisin mjetet e tyre dhe i bashkohen Protestës së Diasporës!

I kujtoj Z. Lleshi/aj se Neni 250 i Kodit Penal të R.Sh., thotë se: “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, TË CILAT PREKIN LIRINË E SHTETASVE, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.”.

Gjithashtu Z. Ish-Ushtarak Aktiv (e këtu i tërheq vëmendjen edhe Z. Skënderaj, që firmos “derr në thes”), mos harro që zbatimi i një urdhri haptazi të paligjshëm, cilësohet si vepër penale si nga Kodi Penal, ashtu edhe nga Kodi Penal Ushtarak, prandaj nëse ke ende pak ndërgjegje ish-ushtaraku, bën mirë të ftillohesh!

Të cenosh dhe shkelësh të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të garantuara në Kushtetutë e ligje, është pa diskutim një urdhër haptazi i paligjshëm e ti zotëri, je betuar se do zbatosh Kushtetutën dhe ligjet gjatë ushtrimit të detyrës tënde si Ministër i Brendshëm!

Megjithatë, ajo paçavurja që ideoi Kryeministri, hartove ti dhe cikloi Z. Skënderaj, nuk ndalon askënd, po askënd ama, që nesër t’i bashkohet protestës, përkundrazi, na nxit të bëhemi më shumë!

Unë nesër, në orën 17:00, do të jem në protestë përpara Kryeministrisë! Do dal atje e do përfaqësoj motrën time, emigrante në Itali dhe vëllanë tim, që shumë shpejt do marrë rrugët e Gjermanisë…

Punë e madhe se nuk dhënke ti lejen për protestë!!!
Aty do jem unë dhe shumë të tjerë si unë!

Pushka top t’u bëftë, hajde e na arresto të gjithëve!