Protesta e 16 shkurtit/ Opozita: Zgjedhje të lira do të bëhen vetëm me qeveri tranzitore. Marrëveshja e 18 majit ka vdekur

758
Sigal

Nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën. Marrëveshja e 18 majit ka vdekur

Opozita e Bashkuar: Qeveria nuk e ndalon dot protestën duke bllokuar rrugët

Opozita përgatitet për protestën e 16 shkurtit, ndërkohë, që qeveria njoftoi se autostrada Tiranë – Durrës do të bllokohet 4 ditë, domethënë, edhe ditën e protestës. Ky vendim I qeverisë, u atakua fort nga opozita, e cila e cilësoi si përpjekje e qeverisë për të penguar protestën, të ndalojë qytetarët të vijnë nga rrethet në Tiranë.

Qeveri tranzitore, pa Ramën kryeministër

Opozita e ka bërë të qartë. Protesta e 16 shkurtit dot ë kërkojë largimin e kryeministrit Rama dhe, njëkohësisht, formimin e një qeverie tranzitore të PS-së. Ish-lideri i PD-së, Berisha, dje e theksoi se çfarë kërkon opozita: “Nuk ka njeri që mund të thotë se këtu mund të bëhen zgjedhje me Edi Ramën. Nuk jam unë autori i marrëveshjes së 18 majit, por jam mbështetës i saj. Absolutisht që ka vdekur (marrëveshja). Ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, e di mirë Rama dhe ia ka bërë të qartë Lulzim Basha.” Sa i përket një marrëveshje të dytë Rama-Basha për krijimin e një qeverie tranzitore, Berisha theksoi se “kjo do të ishte një mënyrë për të varrosur plotësisht procesin zgjedhor në Shqipëri.”

PD-ja: Qeveria nuk ndalon protestën duke bllokuar rrugët

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi: “Edi Rama kryeministri më i vetmuar në Evropë po bën çdo përpjekje për të ndalur protestën e 16 shkurtit. Edi Rama mendon se duke bllokuar rrugën Tiranë- Durrës dhe Tiranë-Kamëz mund të ndalojë gjysmën e qytetarëve për të protestuar kundër tij. Po paralajmërojmë që tani çdo makineri ndërtimi të mos bëjë asnjë veprim për të penguar lëvizjen. Edi Rama do jetë i vetmi që do mbajë përgjegjësi.

Lulzim Basha: Pushteti nuk i takon qeverisë me mandate të vjedhura

Kjo është java vendimtare për Shqipërinë, për fatin evropian të shqiptarëve. Kam parë kudo që kam qenë varfërinë, tradhtinë, ku Edi Rama me bandën e hajdutëve kanë bërë ndaj çdo shqiptari. Kam parë pamundësinë ekstreme të prindërve që nuk i sigurojnë dot fëmijëve bukën e gojës. Kriminelët në vend që të rrinë në burg, nxirren nga burgu nga kjo qeveri. Kjo është e përditshmja e kësaj qeverie. Qeveria është kapur duke vjedhur, Janë kapur duke vjedhur. Mos harroni se në anën tjetër të gardhit të policëve është kryehajduti që është kapur duke vjedhur lekët tuaja, paratë tuaja. Kurrë populli pas 16 shkurtit nuk do të këtë frikë qeveritë, por qeveritë do ta kenë frikë atë. Të mos largohemi nga sheshi pa larguar sistemin e kalbur që iu vjedh çdo ditë. Një ditë e re do të agojë për shqiptarët.

Deputeti Luan Rama: 16 shkurti është Dita e fitores mbi të keqen

Protesta e 16 shkurtit, nuk është një konfrontim midis qytetarëve dhe institucioneve të shtetit, por do të jetë fillimi i luftës së qytetarëve kundër të keqes. Është demonstrimi i forcës qytetare përballë papërgjegjshmërisë së qeverisë. Është manifestim i solidaritetit dhe i angazhimit qytetar përballë krimit, korrupsionit, trafiqeve dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë, e cila është bërë pengesë në procesin e integrimit evropian të vendit. Ejani, 16 shkurti është dita e qytetarëve, është dita e shpirtit qytetar, është dita e solidaritetit qytetar, është dita e forcës qytetare, është dita e revoltës qytetare, është dita e fitores së qytetarëve mbi te keqen që është e personifikuar tek qeveria e krimit dhe tek Kryeministri i qeverisë së krimit”.

Paloka: Kryeministri Rama në 16 shkurt do të ikë me AIR Albania në …Turqi

Nënkryetari i Kuvendit si përfaqësues i opozitës, Edi Paloka, me ironi ka shkruar dje se AIR Albania erdhi nga Stambolli në Rinas bosh, por nuk do kthehet bosh. Sipas Palokës, kryeministri Rama do të ikë, më 16 shkurt me avionin për në …Stamboll. Paloka shkruan se çfarë do të ndodhë në 16 shkurt: “Bast që Rama më datë 16 shkurt ose do të jetë jashtë, ose do të shkojë në Vlorë. Kështu ka vepruar në gjithë protestat e mëdha që ka zhvilluar PD… Edhe në Vlorë nuk shkon se ndjehet i sigurt pranë “elektoratit” të tij, se për atë punë vlonjatët janë të parët që duan t’i venë drunë, po se nga Vlora është mësuar që merr helikopterin për në Rinas e atje i hipën menjëherë çarterit. Ndoshta për këtë ia kthyen dhe një herë provizorisht Air Turkish Albanian…”.