Protesta e 16 marsit: Zbulohet udhëzimi i PD për organizatorët

477
Sigal

Pak ditë para protestës tjetër të paralajmëruar nga opozita e bashkuar, PD me sa duket ka nisur organizimin që të jetë një tubim sa më masiv më 16 mars. Gazeta “Telegraf” ka siguruar udhëzimin e Partisë Demokratike të firmosur nga kryetar Lulzim Basha për degët e PD-së në rrethe, të deleguarit e Kryesisë së PDSH-së

Protesta e 16 marsit, ora 11.00 në Tiranë

Sipas këtij udhëzimi, kryetari i Degës dhe të deleguarit e Kryesisë së PDSH-së, janë përgjegjës për organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve dhe anëtarëve të partisë, për pjesëmarrjen e tyre në protestën e madhe të datës 16 mars 2019, ora 11.00, në Tiranë. Të Deleguarit e Kryesisë për secilin qark janë sipas ndarjes së bërë edhe më parë. Ndarja e anëtarëve të grupit të të deleguarve në qark, sipas degëve në përbërjen e qarkut, përcaktohet me konsensus mes kryetarëve të partive dhe anëtarëve të grupit të të deleguarve, ku përcaktohet edhe zona përkatëse e tyre. “Për marrjen e masave lidhur me protestën të deleguarit e Kryesisë së PDSH dhe kryetari i degës, koordinojnë për organizimin e mbledhjes së Kryesisë së degës. Mbledhja e Kryesisë së degës, të zhvillohet brenda datës 8 mars 2019. Kryetari i Degës njofton të Deleguarin për orën dhe datën e mbledhjes së Kryesisë. Kryesia e Degës dhe të deleguarit, diskutojnë: Përgatitja për pjesëmarrje në protestën e madhe më 16 mars; Organizimi i punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grupseksioni dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve të tjerë në protestën në Tiranë, apo në protestat lokale; Ndarja e të Deleguarve dhe anëtarëve të Kryesisë së Degës në zonë; Për këtë qëllim hartohet dhe ndiqet një kalendar i qartë pune dhe takimesh; Parashikimi i pjesëmarrjes në nivel grupseksioni dhe në nivel Dege, si dhe të merren masa për evidentimin e pjesëmarrjes me qëllim vlerësimin e kontributeve. Raportimi i parë më datë 10 mars 2019 brenda orës 17.00. Në datë 14.03.2019 brenda orës 19.00, bëhet raportimi final për pjesëmarrjen dhe nevojat objektive për ndihmë nga degët”, thuhet në udhëzim. Po kështu kërkohet përcjellja e mesazhit të qytetarët për sigurimin e pjesëmarrjes maksimale me të gjitha format, takime me strukturat, takime me qytetarët derë më derë, ture të Kryetarit, fletushka, njoftime në rrjetet sociale, njoftimit me SMS apo telefonata, etj.

Të mbahen fletëgjobat e policisë, për të paditur më vonë urdhëruesit

Të martën, shumë qytetarë denoncuar rastet kur drejtues të Policisë së Shtetit ushtruan shantazhe dhe kërcënime ndaj drejtuesve të autobusëve, që do sillnin protestues nga rrethet, duke u thënë, që të mos shkonin në Tiranë, ndryshe do të paguajnë gjoba. Sipas burimeve të mirinformuara pranë PD-së, të gjithë drejtuesit e PD-së në rrethe u është kërkuar, që të mbledhin të gjitha fletëgjobat, që mund të marrin drejtuesit e mjeteve nga policia e Shtetit, në mënyrë që ato të jenë prova të padisë që PD-ja do të bëjë ndaj çdo drejtuesi të Policisë së Shtetit, por edhe ndaj çdo punonjësi të policisë, që kanë gjobitur për motive politike qytetarët. Këto fletëgjoba do të jenë edhe argumenti që të gjithë ata drejtues e punonjës policie që nënshkruajnë të tilla gjoba, të largohen nga puna, kur të vijë në qeverisje opozita