Protesta, “akt-akuzë” popullore ndaj “Rilindjes”

422
Përparim HALILI

Masiviteti në protestën e PD, “akt-akuza” e qartë popullore kundër “Rilindjes” që ka shpërfillur hallet e shqiptarëve

Çadra përballë kryeministrisë denoncon korrupsionin, papunësinë, varfërinë, nepotizmin dhe tendencën për të mbajtur pushtetin me zgjedhje të manipuluara
Protesta e PD e nisur në mesditën e 18 shkurtit 2017, nuk është mbyllur as dje. Sipas krerëve të PD, e cila ka marrë një vendim, referuar vullnetit të protestuesve, kjo lëvizje e madhe popullore nuk do të vazhdojë pa asnjë datë përfundimi. Është një protestë, e zhvilluar nga populli i tejlodhur prej halleve që u ka shtuar kjo qeverisje në afro 4 vitet e fundit. Protesta është “instaluar” brenda një çadre gjigante, të ngritur përballë godinës së kryeministrisë. Ajo nisi me një mesazh të gjatë e paqësor, të dhënë prej kreut të PD, z. Lulzim Basha, i cili nëpërmjet një dialogu të qartë, i kërkoi kreut të qeverisë dhe të PS, Edi Rama, të krijojë kushte të plota e transparente për zgjedhje të lira më 18 qershor 2017, të ndalë korrupsionin, kultivimin dhe trafikun e hashashit, të pastrojë administratën nga krimi dhe të inkriminuarit, të ndalë koncesionet, të largojë ministrat “dordolecë korrupsioni”. Edhe pse protesta e 18 shkurtit ishte një organizim i PD dhe opozitës shqiptare, brenda saj u përfshinë mijëra shqiptarë të denigruar e shpërfillur nga qeverisja “Rilindja”, duke u lënë pa punë, pa pensione, me pensione lëmoshë, pa ndihmë ekonomike, pa të ardhura për bukën e gojës, me taksa të larta, me prangosje edhe për 10 kilovatë energji elektrike të papaguar në kohë apo për “1 tullë” të vendosur pa leje në parmakun e ballkonit të shtëpisë, me biznese familjare të shkatërruara prej gjobave e taksave të larta dhe të shumta. Masiviteti në protestën e PD, është “akt-akuza” e qartë popullore, bërë kundër “Rilindjes” që ka shpërfillur hallet jetike të shqiptarëve. Çadra përballë kryeministrisë, po denoncon korrupsionin, papunësinë, varfërinë, nepotizmin dhe tendencën e kupolës së “rilindjes”, për të mbajtur pushtetin me zgjedhje të manipuluara.
“. 
Mesazhe nga fjala e Lulzim Bashës, ditën e nisjes së protestës
Kërkojmë:
Duam ndarjen e politikës nga krimi!
Duam dinjitet!
Duam drejtësi!
Duam punë!
Duam ta vëmë interesin e njerëzve të thjeshtë të parin!
Duam një të ardhme dinjitoze që na bën krenarë për vendin tonë!
Duam shpresën, shpresën që po lind, nga ky bashkim më i madhi në historinë e shqiptarëve.

Zgjedhjet e lira
Zgjedhjet për fasadë, zgjedhjet e njollosura nuk do t’i pranojmë.
Zgjedhjet e standardeve të krimit në vend të standardeve të Evropës nuk do t’i pranojmë.
Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë.
Zgjedhje që shtrembërojnë vullnetin tuaj, vullnetin e shqiptarëve nuk do të ketë më në Shqipëri. 

Luftojmë për:
T’u mbrojtur nga arroganca.
T’u mbrojtur nga padrejtësia.
T’u mbrojtur nga varfëria.
T’u mbrojtur nga korrupsioni dhe krimi.
T’u mbrojtur nga propaganda.
T’u mbrojtur nga ky sistem i pashpirt dhe i padrejtë
Nuk janë jeta dhe e ardhmja jonë, punojnë për veten e tyre…
Droga nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Korrupsioni nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Krimi i organizuar nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Papunësia nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Varfëria nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Emigrimi nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Kjo qeveri nuk është e ardhmja e Shqipërisë!
Ata punojnë vetëm për veten e tyre, vetëm për xhepat e tyre.
Ata dështuan për të sjellë një jetë më të mirë për shqiptarët.
Një grusht pushtetarësh dhe kriminelësh, po gëzojnë gjithçka.
Dështimi
Shqipëria është bërë sot hambar i krimit dhe i drogës.
Ata dështuan dhe mashtruan me 300 mijë vendet e punës.
Ata dështuan dhe mashtruan me shëndetësinë falas.
Ata dështuan me demokracinë e vërtetë.
Dështuan me lirinë e vërtetë.
Belind Këllici, kryetar i Forumit Rinor të PDSH
Të rinjtë demokratë janë të vendosur për të vijuar rezistencën në çadrën e protestës, të cilën e kanë pagëzuar me emrin çadra e lirisë, kështu deklaroi Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratikë, Belind Këlliçi, i cili theksoi: Të rinjtë brohorasin gjatë gjithë kohës qeveri teknike. Ne nuk lëvizim, të gjithë qytetarët, jo vetëm të rinjtë janë të vendosur për të qëndruar për një kauzë të madhe për gjithë Shqipërinë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi më të vendosur se kurrë për të qëndruar këtu në shesh para zyrës së këtij Kryeministri dhe për të bërë të mundur që ta dëgjojë këtu në shesh zërin e qytetarëve që kërkojnë në 2017 zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është një kauzë e të gjithë shqiptarëve. Është një betejë që po e bëjmë për gjithë shqiptarët, me të gjithë shqiptarët, Kushti i vetëm për t’i dhënë fund demokracisë false është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Protesta e zhvilluar para kryeministrisë, ka treguar botës se sa të vendosur janë shqiptarët për ta hedhur poshtë këtë fasadë të krijuar nga Rama dhe se kjo protestë nuk ka qenë një vendim i PD por ka qenë vendimi i vetë qytetarëve.

Kryesia e PD, vendosi: Protesta do të vazhdojë, do ndalet kur të vendosë populli
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi dje, mbledhjen e grupit parlamentar dhe kryesisë së PD. Mbledhja, e cila kishte si temë diskutimi protestën e nisur ditën e djeshme, filloi në orën 14:00 dhe përfundoi në 15:25 Basha ka falënderuar deputetët për mirë organizimin e protestës, ndërsa është vendosur për vazhdimësinë e qëndresës para Kryeministrisë. Në mbledhje është diskutuar gjithashtu për mundësinë e bojkotit të punimeve të parlamentit nga deputetët e opozitës, por ende nuk ka një vendim për këtë çështje.
Lulzim Basha: Bota po mbështet protestën tonë
Opozita ka vijuar edhe dje, protestën para Kryeministrisë. Përfaqësuesit e PD kanë deklaruar se do të qëndrojnë në shesh deri kur të bjerë qeveria dhe të ngrihet qeveria teknike. Basha ka theksuar se në sheshin ku po protestohet çdokush do të mund të flasë dhe të zgjidhë hallin e vet. Në fjalën e tij Basha u shpreh se çdo moment është duke u rritur mbështetja jo vetëm nga qytetarët por edhe nga ndërkombëtarët. Ne nuk jemi mbledhur këtu për kauzën e Lulzim Bashës apo PD-së, por për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo i ka dhënë kauzës tonë, një forcë të papërballueshme nga krimi e padrejtësia”, u shpreh Basha.
Rama, për protestën e PD: Ata që dolën në shesh, duan zgjidhje dhe “Vetting”
Në një shtet normal nuk është privilegj, por një e drejtë elementare, që opozitës të mos i cenohet asnjë fije floku, pavarësisht protestës apo retorikës së përfaqësuesve të saj. Kurrë s’duhet të përsëritet historia e protestës së dhunshme. Këtu kam një problem, jo me demokratët, por me udhëheqësit, sepse më tingëllon qesharake që këta udhëheqës protestojnë kundër qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata që erdhën dje në Bulevard e duan reforma në drejtësi dhe “Vetting”-un, njësoj siç i duan ato edhe unë e shumë të tjerë, ndërsa ata që i thirrën në protestë nuk duan as reformën në drejtësi dhe as “Vetting”-un që do largojë përgjithmonë nga drejtësia gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ata duan t’i mbrojnë me çdo kusht të korruptuarit në Pallatin e Drejtësisë dhe, siç i keni parë janë gati t’i hapin luftë Amerikës dhe Evropës me lloj lloj shpifjesh dhe akuzash qesharake
Berisha, thirrje emigrantëve: Protestoni edhe ju pranë ambasadave
Nga çadrat e protestuesve Berisha apeloi për përshkallëzim të protestës edhe jashtë Shqipërisë. Berisha mbërriti në çadër mbrëmjen e sotme rreth orës 19:00 duke ekzaltuar të gjithë protestuesit që njëherazi brohorisnin në kor: Berisha, Berisha! Berisha:Thirrja ime për emigracionin dhe diasporën është të marrin të gjitha masat që të organizojnë protesta pranë selive të qeverive ku janë, pranë Ambasadave të Shqipërisë, kundër regjimit të banditokracisë. Kjo është rruga e solidarizimit në mënyrë, që për Shqipërinë të votojnë të gjithë shqiptarët.
Sot, 26 vjet nga rrëzimi i statujës së diktatorit Hoxha, shqiptarët përsëri në protestë
Data 20 shkurt 1991 është data që ka krijuar simbolin “20 Shkurt” të çdo viti në historinë post-komuniste të Shqipërisë. Është data e kujtesës sonë kombëtare, të mijëra martirëve dhe viktimave të sistemit barbar komunist. Si sot 26 vjet më parë, qindra mijëra qytetarë, të rinj e të reja, studentë, punëtorë, intelektualë nga mbarë Shqipëria, të vetë organizuar, por edhe në thirrjet e PD, të udhëhequr nga sindikatat e lëvizja studentore, u bashkuan në mëngjesin e datës 20 shkurt 1991 në “Qytetin Studenti”, në mbështetje të grevës epike të mbi 750 studentëve të ngujuar e të vendosur për sakrifica sublime, për të hequr emrin e diktatorit Enver Hoxha, nga “Universiteti i Tiranës”. Revolta popullore, zbriti nga “Qyteti Studenti” në “Sheshin Skënderbej”, për të rrëzuar simbolin e diktaturës, statujën e Enver Hoxhës. Ishte 20 shkurti i 1991, kur statuja e diktatorit Enver Hoxha në qendër të kryeqytetit, u rrëzua nga turma e madhe e protestuesve. Shqipëria po përjetonte ditë të pazakonta, nën një situatë të rënduar politike e cila nisi me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ‘90. Rrëzimi i simboleve të diktatorëve komunistë të Shqipërisë e lindjes komuniste, kishte nisur në Shkodër, me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe po shpërndahej me shpejtësi në gjithë vendin. Një natë para shembjes së statujës së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, një grup i madh studentësh vendosën të hyjnë në grevë urie, duke vendosur një sërë kushtesh ndaj qeverisë se PPSH, ndër të cilat edhe heqjen e emrit “Enver Hoxha” Universitetit të Tiranës. Me gjithë rezistencën e shtetit, me vendosmërinë e tyre demonstruesit ia dolën që ditën e 20 shkurtit në sheshin “Skënderbej” të rrëzonin bustin e diktatorit. Dhe kështu ndodhi, në historikun e asaj dite të madhe, kanë mbetur të fiksuara në video e fotografi mijëra qytetarë që rrethuan dhe sulmuan statujën, policët që vërsulën qentë e qëllonin me fishekë manovre mbi qytetarët, litari që iu hodh në grykë statujës së diktatorit Hoxha, statuja e rrëzuar dhe e hequr zvarrë për t’u çuar si trofe në “Qytetin Studenti”. Më 20 shkurt 1991, të gjitha kanalet televizive të botës, transmetuan si lajm të parë një vullkan urrejtjeje, që u zbraz mbi një statujë shtatë metra të lartë, të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë. Një turmë rreth 100 mijë vetësh, ka lëvizur nëpërmjet rrugës së “Elbasanit”, duke marshuar drejt Sheshit “Skënderbej”, të vënë në përballje me ushtrinë e policinë e ish-pushtetit komunist që nuk i ndalën dot. Në ora 14.00, statuja e Enver Hoxhës u rrëzua. Për tetë orë rresht, statuja e diktatorit u zvarrit drejt qytetit “Studenti”…
Sigal