Propagandë zgjedhore në përputhje me ligjin

422
Sigal

Në 23 qershor 2013 zhvillohen zgjedhjet parlamentar, por propaganda zgjedhore ka kohë që ka filluar dhe është në vazhdim. Nuk është kjo fushata zgjedhore që sipas kodit zgjedhor fillon një muaj para datës së zgjedhjeve. Megjithëse partitë politike apo koalicionet partiake ende nuk janë regjistruar si subjekte zgjedhore në format nga më të ndryshmet, janë përfshirë në garën e pashpallur që për fat të keq shoqërohet edhe me gjuhën e urrejtjes. Nga fushata zyrtare zgjedhore (23 qershor 2013) na ndajnë afro 5 muaj dhe aktivitetet për këtë qëllim kërkojnë jo pak shpenzime. E megjithë këtë, dihet nga të gjithë se në muajin para fushatës, për zgjedhësit e thjeshtë, shpenzimet do të jenë marramendëse edhe për shkak të mungesës së transparencës që ka munguar në të gjitha zgjedhjet. Lidhur me këtë çështje, në aspektin ligjor mendova të shpreh disa mendime, me synim parandalues në kahjen pozitive. Për ta konkretizuar problemin e shikoj të nevojshme të përqendroj vëmendjen e lexuesit, jo në hamendësi apo supozime të pabazuara, por në disa dispozita të Kodit Zgjedhor dhe raportet e OSBE/ODIHR-it. Sipas nenit 3 të Kodit Zgjedhor të titulluar: “Parime të përgjithshme”, subjektet zgjedhore janë të lira të bëjnë paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore  në çdo formë dhe mënyrë të ligjshme. Por, po në këtë nen ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore, të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike si dhe të burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli. Në nenin 88 të Kodit Zgjedhor theksohet se, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, nuk mund të përdoren dhe as të vihen në mbështetje të kandidatëve të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor ose të burimeve njerëzore. Më shprehjen “burime njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatën zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatën zgjedhore. Ky rasti i fundit gjen mbështetje edhe në nenin 8 të ligjit Nr. 69 datë 21 qershor 2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” ku thuhet se: “Arsimi parauniversitar është i depolitizuar”. Edhe sipas nenit 78 pika 5 të Kodit Zgjedhor “ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucionet publike”. Në fakt, vitin e kaluar ka pasur raste që është vepruar në kundërshtim jo vetëm me dispozitat e kodit zgjedhor që përmendëm më lart, por edhe me konstatimet që përmbajnë raportet e OSBE/ODIHR-i, që do të ndalemi më poshtë. Për të justifikuar shkeljet e mësipërme ose për t’i ligjëruar ato është pretenduar se kjo që po bëhet nuk është fushatë një mujore para zgjedhjeve që parashikon Kodi Zgjedhor. Pretendimi i mësipërm, mendojmë se nuk është i bazuar sepse së pari në nenin 3 të Kodit Zgjedhor bëhet fjalë për “parimet e përgjithshme”. Së dyti vënia në përdorim për propagandë zgjedhore i fondeve dhe materialeve të ndryshme (me përjashtim)të rasteve të parashikuara në ligje) është e ndaluar në çdo kohë dhe jo vetëm muajin e fundit para datës së zgjedhjeve (që në kod cilësohet fushatë zgjedhore). Së treti arsimi parauniversitar është i depolitizuar në çdo rast dhe në çdo kohë dhe jo vetëm gjatë fushatës një mujore zgjedhore. Dhe së fundmi edhe në nenin 78 pika 1 të Kodit Zgjedhor ku bëhet fjalë për propagandën zgjedhore një muaj para datës së zgjedhjeve, theksohet se fushata duhet të jetë “e ligjshme”. Problemet e mësipërme, qoftë edhe pjesërisht janë trajtuar edhe në raportet e ndërmjetshme dhe ato përfundimtare të OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet e viteve 2009 dhe 2011. Kështu në raportin e vitit 2009 (1 shtator 2009) midis të tjerave thuhet se: “Qeveria, vazhdimisht përdori aktivitetet zyrtare, përfshirë inaugurimet e projekteve të infrastrukturës, për të bërë fushatë zgjedhore”, (shih faqen 2) dhe më poshtë: “U vërtetuan aludimet për keqpërdorimin e burimeve administrative nga ana e PD-së për qëllime fushate. Veprime të tilla e bëjnë të paqartë dallimin mes veprimeve shtetërore dhe atyre partiake në kundërshtim me paragrafin 5.4 të dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së”, (shih faqen 3). Në rekomandimin Nr. 17 të këtij raporti theksohet: “Duhet të forcohen mekanizmat institucionale me qëllim që ti monitorojnë keqpërdorimin e mundshëm të burimeve administrative për qëllime fushate, si edhe përdorimin e aktiviteteve zyrtare për fushatë dhe të vendosin përgjegjësitë e këtyre akteve përpara përgjegjësisë”, (shih faqen 33). Në raportin e OSBE/ODIHR-it të 15 gushtit 2011, mbasi theksohet fakti i përdorimit të burimeve administrative në nivel qendror apo vendor që ndalohet me ligj, konstatohet se: “Me një numër të kufizuar rastesh zyrtarë të qeverisë dhe kryetare aktualë të bashkisë dhe komunave që rikandidojnë, përdorën aktivitetet zyrtare për qëllime fushate në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së”. Dhe më poshtë: “Këto raste përfshinin fjalime fushate gjatë inaugurimeve të infrastrukturës ose projekteve të tjera të financuara nga shteti nga ana e kryeministrit dhe të disa kryetarëve të bashkive dhe komunave, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Tiranës” (shih faqen 15). Në përfundim e shikoj të nevojshme të ritheksoj faktin se është e drejtë e partive politike që në garën elektorale, si subjekte zgjedhore, të shpalosin alternativat e tyre programore ashtu siç i vlerësojnë vetë ata, ndërsa zbatimi i ligjit është i detyrueshëm për të gjithë: parti të mëdha apo të vogla. Pabarazia mund të shoqërohet me elementë diskriminimi. Një fushatë elektorale relativisht e kulturuar dhe pa eksese duke shmangur gjuhën e urrejtjes, do të mirëpritej nga zgjedhësit dhe do t’i shërbente mbarëvajtjes së zgjedhjeve si dhe zbutjes së pabarazimit të tejskajshëm.