Prononcimi nga protesta në rrethrrotullimin e Plepave në Durrës, i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

490
Sigal

A do të ketë përshkallëzim të protestave?

Unë do të dëshiroja të mos kishte përshkallëzim të protestave. Unë do të dëshiroja që të shikoja një reagim nga PS-ja, për ti kthyer vlerat PS-së. Ato vlera që i kanë munguar dhe për ta rikthyer PS-në në shinat kushtetuese, në atë kornizë të social-demokracisë së vërtetë, ngrihet mbi bazat e demokracisë dhe ngrihet mbi bazat e vlerave sociale.

Përshkallëzimi nuk është mirë as për PS-në, as për qeverinë, as për atë Parlament ilegjitim, por mbi të gjitha nuk është mirë për shqiptarët. Këto akoma nuk kanë filluar që të kuptojnë që mosbindja civile dhe përshkallëzimi i protestave akoma nuk ka filluar. Jemi akoma në atë shkallë për ti kuptuar dhe për ti thënë që sot shqiptarët, jo opozita, por shqiptarët janë të gatshëm për t’u përballur dhe për ti dhënë fund këtij gjenocidi heshtës që ka bërë Edi rama ndaj qytetarëve.

Gjenocidet në çdo vend të botës kanë krijuar shpërngulje të mëdha njerëzore. Shqipëria sot ka mbi 500 mijë shqiptarë të shpërngulur, që do të thotë që është një gjenocid heshtës ndaj të rinjve shqiptarë, që gjithmonë të gjitha kombet dhe të gjithë popujt i janë kundërpërgjigjur me luftë. Ne themi që nuk është e nevojshme për të shkuar atje, sepse një i çmendur ka marrë peng një parti politike dhe disa godina. Opozita nuk ka si qëllim as pushtimin e godinave dhe as pushtimin e rrugëve. Opozita ka si qëllim të pushtojë mendjen dhe zemrën e shqiptarëve, por ajo që është më e rëndësishme është se ne sot duhet ti japim shqiptarëve shpresën që ky vend mund të bëhet një ditë. Duhet të shembim këtë sistem të kalbur, këtë sistem që për hir të së vërtetës jo vetëm që ka shkatërruar shpresat, mundësitë dhe çdo lloj ndjenje për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, por po shkatërron tashmë edhe atë pak ç’ka ngelur nga historia jonë. Ne do të bëjmë çdo lloj proteste, por mbi të gjitha çdo lloj lëvizje politike për të sensibilizuar shqiptarë. Jemi të përgatitur për ti treguar Edi Ramës që këtë popull nuk e merr dot peng.

Znj. Kryemadhi a është forma e duhur bllokimi i rrugëve një herë në javë dhe sot për dy orë me rradhë të gjithë udhëtarët që do të udhëtojnë në këto akse do të jenë të bllokuar. Pse nuk rrethoni Parlamentin?

Ky është një mendim i juaji, kur ne rrethonim Parlamentin na thonin përse rrethoni Parlamentin dhe nuk filloni me mosbindje civile. Ne po i provojmë të gjitha për të treguar që jemi të përgatitur, edhe për ta rrethuar Parlamentin, sepse nuk është problem ta rrethosh Parlamentin dhe as për ta marrë atë, edhe për të bllokuar rrugët. Javën që kaloi ishin 5 akse, këtë javë janë 12 akse. Javës tjetër nuk i dihet se çfarë do ndodhi, kështu që është e rëndësishme për të kuptuar që aksioni i opozitës, që tashmë nuk është thjesht aksione opozite, por është aksioni që drejton qytetarët në marrjen në dorë të fateve dhe të gjithë atyre situatave që e kanë detyruar që sot të jemi në rrugë. E kanë detyruar për shkak të kapjes. Mjafton të pyesni vetë njerëzit përse kanë ardhur këtu. Javën e kaluar takuam një person, që tha unë do të protestoj 72 orë sepse 72 orë jam arrestuar nga Edi Rama përse kam protestuar, aman sot pas kaq vitesh dosja 184 dhe 339 nuk ka asnjë të pyetur, jo më të arrestuar. Sot kryeministri Rama tha se opozita kërkon pushtet në tavolinë.

A e kërkon vërtet opozita këtë gjë?

Ju e kuptoni shumë mirë, që Rama tjetër gjë thotë për mediat, tjetër gjë ndien. Rama e di shumë mirë që opozita nuk i ka kërkuar pushtet në tavolinë. Po të ishte për pushtet në tavolinë, qeveria mund të vazhdonte normalisht punën e saj, ne bënim sikur bënim opozitë në parlament, bënim sikur ishim opozitar. Po këtu nuk është më problemi për të bërë sikur. Sot shqiptarëve duhet thënë që gjërat kanë ndryshuar. Nuk ka më sikur. Edhe në Berlin z.Rama tha që do të hapen negociatat, por po të lexosh sot se çfarë shkruajnë vetë pjesëmarrësit e Samitit të Berlinit, shikojmë se si Rama i përgjërohej dhe kërcënonte Ramush Haradinajn për të ndryshuar kufijtë apo për të hequr taksën për Serbinë, ndërkohë që popullit të Kosovës i vendos taksë për të ardhur në Shqipëri.

Pra ajo çka thotë Rama me atë çka bën janë dy gjëra të ndryshme. Unë personalisht nuk kam pikën e iluzionit që kemi të bëjmë me një gënjeshtar patologjik, i cili gënjeshtrën e ka pjesë të jetës së vetë, por tashmë njerëzit e shikojnë se çfarë përfaqëson. Nuk është më problemi për të denoncuar një gënjeshtar dhe për të thënë se kush është Rama. Problemi është që duhet ti japim fund këtij fenomeni, që të mos guxojë askush që ti shkojë në mendje për tu bërë si fenomeni Rama.

Prandaj duhet shembur njëherë e mirë ky sistem për të ndërtuar një sistem vlerash, që kushdo parti politike, kushdo individ që të vijë në pushtet, njerëzit nuk duhet të besojnë te individi, njerëzit duhet të besojnë të sistemi, sepse është sistemi që do tu garantojë shqiptarëve lirinë e mendimit, lirinë e lëvizjes, ekonominë e lirë, arsimimin.