Pronat, Rama: Zhdukëm menaxhimin kriminal, Qato: Përfitojnë 75% e pronarëve

429
Kryeministri Edi Rama, duke folur në prezantimin e reformës së kthimit dhe kompensimit të pronave, ka deklaruar se për këtë çështje nevojitet një vijë e prerë ndarëse mes logjikës dhe absurditetit. Shefi i qeverisë ka nënvizuar se, raportet e progresit të BE që nga viti 2005 e më pas kanë ardhur me vlerësime negative në rritje sa i takon çështjes së pronave. 
“Historiku i çështjes së pronave ka pasur dy anë: individë që kanë trashëguar teatrot e antikitetit dhe një shtet që ka bërë me pronën çorapin më të paimagjinueshëm. Nga viti 2008 në 2014, raportet e progresit për çështjen e pronave kanë ardhur duke u bërë më të zymta. Progres-raporti i vitit 2013 thotë se përpjekje drastike duhen ndërmarrë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pra, thotë ose zgjidheni, ose rrini. Nëse s’e zgjidhni s’keni vend në BE. Me trasenë që çel ky projekt, në një hark kohor rekord ne mbyllim nga pikëpamja përmbajtësore një problem që mund të shkonte deri në 1 mijë vjet dhe nga pikëpamja financiare mund të kërkonte 350 vjet”, u shpreh Rama.

Një tjetër pikë të cilës shefi i qeverisë i është referuar ka qenë ndryshimi 24 herë i ligjit të vitit 2004 për pronën, si dhe veprimi i strukturave të gjyqësorit si banda kriminale, “që me forcën e çekiçit i ndanin pronat sipas oreksit me para në dorë”. “Sasia e titujve të pronësisë së falsifikuar është marramendëse dhe është bërë një hata e vërtetë”, tha Rama.
Më herët, drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato bëri me dije se nga kjo reformë do përfitojnë 75% e pronarëve të tokave bujqësore dhe truall. Ajo bëri të ditur se reforma konsiston në një “Shpërblim të drejtë brenda një afati të pranueshëm”.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në fjalën e tij vlerësoi se çështja e pronave është me rëndësi kombëtare. “Mazhoranca prezantoi një program për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe miratoi një plan të mirëfilltë veprimi, me afate të përcaktuara”, tha Naço. Ai u shpreh se, për vite më radhë çështja e pronave kishte mbetur nëpër labirinte ligjore.
Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani, bëri të ditur se, përmes reformës së paraqitur sot i hapet rruga krijimit të fondit të kompensimit financiar të pronave. “Në programin e qeverisë është marrë përsipër të zgjidhet me efiçencë çështja e kthimit e kompensimit të pronave dhe mbyllim kalvarin e pothuaj 25 viteve duke i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje. Ligji i ri për kthimin e kompensimin e pronave respekton të drejtat e pronarëve të shpronësuar si dhe vendos mekanizma për të shmangur paqartësitë dhe zvarritjet. Burimet e financimit të këtyre fondeve janë të përcaktuara nga buxheti, shitja në ankand e pronës shtetërore, si dhe nga të ardhurat që mund të krijohen me akte nënligjore apo fonde nga donatorë të huaj. Do të ketë raportim të veçantë se çfarë ka ndodhur me këto fonde. Financimi vjetor mesatar, tha ai, çdo vit llogaritet rreth 5 miliardë lekë, afërsisht 20 herë më shumë nga çfarë është dhënë deri tani. “Me tempin e ndjekur deri tani do të duheshin deri 200 vite për të dhënë të njëjtën shumë që do të jepen për 10 vitet në vazhdim”, u shpreh Cani.
Sigal