Kumari, biznesi fitimprurës dhe qeveria që i ul akoma barrën fiskale

Jakup B. GJOÇA

Në shtator, parlamenti në seancën e parë të sesionit të ri, do të (ri)votojë edhe projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ose “Për Lojërat e Fatit”, i cili nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta. Në arsyetimin e vet, Presidenti Meta thotë se “arrihet në konkluzionin se iniciativa e propozuar për të lehtësuar barrën fiskale përkundrejt bizneseve të lojërave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi. Në aktet që shoqërojnë këtë propozim ligjor, nuk ekziston asnjë argument në këtë drejtim. Gjithashtu në përfundim të vlerësimit të nenit 6, të ligjit nr.39/2018, arrihet në konkluzionin se mbështetja e bizneseve në fushën e lojërave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social”. Kreu i shtetit thotë se nuk rezulton të jetë arsyetuar qëllimi ekonomik i kësaj iniciative dhe nuk është trajtuar aspak çështja nëse mbështetja ndaj këtyre bizneseve nëpërmjet uljes së barrës fiskale, paraqet ose jo, risk të shtuar për zgjerim të aktivitetit të kësaj industrie dhe përhapjen e tyre masivisht në territorin e vendit, krahasuar kjo me impaktin social negativ që mund të sjellë prezenca e shtuar e kësaj dukurie në shoqërinë shqiptare.

Kryeministri Rama me 2 qëndrime ndaj Lojërave të Fatit. E filloi me “Fundin e Marrëzisë”

Reforma e parë që ndërmori kryeministri Rama në shtator të 2013-s ishte lufta kundër kazinove, me të ashtuquajturin operacion policor “Fundi i Marrëzisë”. U sekuestruan mijëra makina elektronike, u mbyllën qindra pika basti dhe kazino që funksiononin pa leje, u gjobitën me qindra milionë lekë pronarët e tyre, madje, edhe u (para)burgosën disa prej “të fortëve”. Kryeministri Rama u zotua se nuk do lejojë më asnjë kazino të jetë në qytet, apo afër shkollave dhe se në kryeqytet do t’i përqendrojë diku, jashtë dhe larg qendrave të banimit. Mirëpo, pas 5 viteve, sot kemi në çdo pallat kazino dhe pika basti, aq sa edhe në argumentin e vet Presidenti Meta shkruan: “Prezenca dhe përhapja në territor i shumë bizneseve në këtë sektor, rrit aksesin e qytetarëve ndaj lojërave të fatit dhe mundësinë e pjesëmarrjes në to, duke e keqorientuar individin për sigurimin e jetesës dhe nevojave të tij të përditshme, përmes aktiviteteve jo produktive.”

Kumari dhe dramat familjare dhe shoqërore

Varësia e individit ndaj lojërave të fatit, krijon premisë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe nxit konfliktin brenda familjes, me pasoja të rënda shëndetësore dhe sociale. Relacionet që mbështesin propozimin e nenit 6 të ligjit nr.39/2018, nuk trajtojnë këto aspekte të rëndësishme, të cilat duhet të ishin vlerësuar me shumë kujdes dhe seriozitet nga qeveria dhe Kuvendi.

Fitime miliona euro nga kazinotë në 2017, e megjithatë qeveria… iu ul taksat

Pronarët e kazinove në Shqipëri qenë biznesmenët më fatlumë për vitin 2017. Ishte një vit i mbarë për kompanitë e bixhozit, si asnjëherë në të kaluarën, sepse për herë të parë, në listën e 10 bizneseve më fitimprurëse në Shqipëri këtë vit, u rendit një kompani e lojërave të fatit.

Kështu kompania “A…” e pa veten në elitën e biznesit shqiptar, me fitime prej 1.3 miliardë lekësh, 22% më shumë se vitin e kaluar. Kjo nuk është e vetmja me fitime kolosale. “V….”, “R…..”, “A…. A”, dhe “A….. G” kanë deklaruar qindra miliona lekë fitim të renditura si më poshtë:

“A…..” fitimi 1.3 miliardë lekë

“V…..”, 450 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 42%

“R….. “ dyfishoi fitimet në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 31%”

“As…..” raportoi fitime prej 557 milionë lekësh, me një normë prej 27%.

“Ad……”, fitoi 353 milionë lekë me normë më të ulët, 17%

Pas 5 vitesh qeverisje, është e qartë se qeveria e kryeministrit Rama, jo vetëm nuk e ndali industrinë e bixhozit, por i ofroi lehtësira përmes uljes së taksave, duke krijuar kushte të favorshme për shumëfishimin e pikave të basteve dhe kazinove. Puna ka arritur deri aty, sa pikat e basteve bekohen nga priftërinjtë para se të nisin punën, siç ishte rasti në Korçë.

Pronarët e kazinove në Shqipëri qenë biznesmenët më fatlumë për vitin 2017. Ishte një vit i mbarë për kompanitë e bixhozit, si asnjëherë në të kaluarën, sepse për herë të parë, në listën e 10 bizneseve më fitimprurëse në Shqipëri këtë vit, u rendit një kompani e lojërave të fatit.