Prokurorja Anila Leka kalon Vetingun, rikonfirmohet në detyrën e saj

726
Sigal

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka e kaloi Vetingun. Rezultoi se Leka ka burime të ligjshme për pasurinë e saj dhe figurë të pastër ndaj  u njoftua rikonfirmimi i saj në detyrë.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, relatorja e çështjes, Firdes Shuli deklaroi se hetimi për prokuroren Anila Leka nuk ka zbuluar probleme me pasurinë si dhe ka konstatuar përshtatshmërinë e figurës.

“Referuar të dhënave të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe  hetimit të kryer, rezulton se pasuria e  subjektit Anila Leka është krijuar me burime të ligjshme. Po ashtu nuk rezulton të jetë në kushtet e konfliktit të interesit,” tha Shuli në seancë.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasuria e prokurores Leka përbëhet nga një apartament në Tiranë me sipërfaqe 91.5 metra katrorë, një apartament në Golem me sipërfaqe 74 metra katrorë dhe një llogari bankare në bono thesari me vlerë rreth 5 milionë lekë. Pjesë e pasurisë së prokurores ishin dhe dy llogari bankare të prindërve të saj në  vlerën e 16 mijë dollarëve.

Të dhënat e dorëzuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, sipas reporter.al, kanë konfirmuar përshtatshmërinë e figurës së subjektit për të vazhduar detyrën. Ndërsa për të vlerësuar kriterin profesional të prokurores, janë marrë në shqyrtim nga grupi  i monitorimit 5 dosje  të hetuara nga Leka, ku nuk është konstatuar asnjë problem profesional.