Prokuroria zbardh të vërtetën duke zhvlerësuar “meritat”  e Ramës dhe Tahirit

31

Kryeministri dhe ministri i Brendshëm përpiqen të vetëlavdërohen, ndërkohë që policia e shtetit fle gjumë

Është hera e parë që në Shqipëri zbulohet një laborator i përpunimit dhe prodhimit të kokainës në sasi të konsiderueshme, ku ende nuk dihet asgjë, për sa kohë ka “punuar” me veprimtari të plotë ky laborator, sa kanë qenë sasitë që ka trafikuar. Themi këtë, sepse që këtu ngrihen disa pikëpyetje të mëdha, në adresë të shërbimeve sekrete të policisë së shtetit, por edhe të vetë SHISH-it.

Rama e Tahiri në garë për të vjelë meritat

Nëse ky laborator i përpunimit të kokainës, vetëm 30 km larg Tiranës, ka funksionuar për një kohë të gjatë, si ka mundësi që nuk është zbuluar nga policia dhe shërbimet e fshehta të saj, apo edhe SHISH-i? Edhe pse këto pyetje ende janë pa përgjigje nga krerët e policisë së shtetit, e krerëve të shërbimeve sekrete shtetërore dhe me sa duket, kurrë ndonjëherë do të bëhet ndonjë analizë, që të fillojë pikërisht nga këto pyetje, sepse tani ata që duhet të mbajnë përgjegjësi, po merren me të korrurat e vetëlavdërimeve që bënë, duke dashur që të (vet)bëhen ata heronjtë e suksesit. Nxitimi për të përfituar politikisht dhe për të marrë meritat e këtij operacioni ka qenë i madh si te kryeministri, ashtu edhe te ministri i Brendshëm. Në të gjitha postimet e tij në Facebook lidhur me këtë operacion, kryeministri Edi Rama nuk e ka përmendur fare Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si institucioni kyç në përfundimin me sukses të hetimeve. Po kështu edhe ministri Tahiri, në daljet e tij mediatike, me sfond forcat speciale me maska, nuk e ka përmendur rolin vendimtar të organit të akuzës. Ngutja e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për të marrë meritat e këtij operacioni, i shton më shumë dyshimet dhe vë në pikëpyetje forcën zbuluese të policisë. Maxhoranca, me çdo mjet po përpiqet t’ia japë policisë rolin primar në këtë operacion. Dhe çfarë është më shqetësuese, është paaftësia e policisë së shtetit për të zbuluar trafiqet e drogës, për të mos thënë që ka edhe nga ata që nuk duan të luftojnë këto trafiqe droge, pasi kanë interesa ekonomike.

Prokuroria ndoqi trafikun, pasi u njoftua nga policia gjermane

E vërteta është se edhe Interpoli, edhe shërbimet e tjera policore të vendeve europiane, (të paktën), kanë dyshimet e tyre përsa është e zonja dhe sa dëshirë ka policia shqiptare që të zbulojë, apo të luftojë trafiqet e drogës dhe sidomos, kur trafiqet e drogës kanë itinerare ndërkombëtare. Këto dyshime të Interpolit dhe të policive të vendeve europiane ndaj policisë shqiptare, ushqehen edhe ngaqë e dinë që politikanët shqiptarë kanë pjesëmarrje të tërthortë ose të drejtpërdrejtë me bosët e trafikimit të drogës, ndaj i ruhen dekonspirimit në bashkëpunim dhe në shkëmbimin e informacioneve. Kështu,  ky arsyetim shpjegon përse policia gjermane dha informacionin e saj për trafikantët e drogës që kishte zanafillën në Shqipëri, te prokuroria e Krimeve të Rënda dhe jo në policinë e shtetit. Dy ditë pas operacionit në laboratorin e kokainës në Elbasan, Prokuroria e Krimeve të Rënda bën reagimin e parë publik. Përmes një komunikate për mediat, organi i akuzës jep detaje se si u ra në gjurmët e trafikantëve dhe zbulimin e punishtes së drogës. Në njoftim thuhet se hetimi për këtë grup kriminal ka nisur mbi bazën e një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datën 17 dhjetor 2014, pas informacionit të dërguar nga autoritetet gjyqësore gjermane. Pra, ka qenë Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që më 18 dhjetor 2014 mori e para informacionin dhe nisi më pas hetimet. Komplet pjesa përgatitore e hetimeve është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka pasur rol të dorës së parë në këtë operacion, ndërkohë që policia është përfshirë më së shumti ditën e zhvillimit të operacionit. Dyshimet për dekonspirim kanë qenë të shumta, aq sa ditën e operacionit, të gjithë policëve u janë marrë telefonat celularë.

Akuza e PD-së: Pas grupit kriminal, fshihen miqtë e qeverisë

Deputeti  i PD-së, Alban Zeneli tha se pas grupit kriminal fshihen miqtë e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. “Rezulton se Porti i Durrësit, është përdorur për të sjellë pajisjet dhe lëndën që i duhej grupit kriminal për të instaluar impiantin më të madh të Kokainës në Ballkan, e për ta prodhuar drogën. Po ashtu, kjo portë është përdorur edhe për ta trafikuar drogën. Është provuar dhe pohuar edhe zyrtarisht, se kjo fabrikë dhe ky grup kriminal do të ishin edhe sot duke prodhuar e trafikuar kokainë, nëse nuk do të ishin ndalur nga policitë partnerë. Më e pakta, kemi të bëjmë me një dështim, me një kapitullim të qeverisë në luftën ndaj drogës. Por mekanizmi dhe personat e përfshirë në këtë trafik, janë një akuzë që flet për lidhje të trafikantëve me deputetë e zyrtarë të lartë të qeverisë. Apo kjo ishte fabrika e sponsorëve dhe miqve të deputetëve e zyrtarëve të qeverisë, dhe nuk duhej kontrolluar? Si mund të zhvillohej ky aktivitet i ngjeshur kriminal prej një viti dhe asnjë polic të mos kishte dijeni? Apo të gjithë përgjegjësit mbyllën sytë dhe veshët, sepse kjo ishte fabrika e miqve të Partisë?

Petraq Barjami