Prokuroria: T’u hiqet mandati deputetëve Rakipi e Rehovica. Sot diskutimi dhe emrat e pasuesve në listë

829
Prokuroria kërkon heqjen e mandatit të dy deputetëve
KQZ do të mblidhet sot me urgjencë për të shqyrtuar informacionet për Aqif Rakipin (PDIU) dhe Gledion Rehovicën (LSI). Arsyet e kërkesës dhe zëvendësuesit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se ka marrë nga Prokuroria e Përgjithshme kërkesën për të hequr mandatet e deputetit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi, dhe atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica. Kreu i KQZ, Klement Zguri, deklaroi dje se njësia për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme i kishte dërguar informacion për pesë zyrtarë të zgjedhur, verifikimit për të cilët kishte nisur në fillim të këtij viti. Zguri tha se kishte një kërkesë për heqjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet me urgjencë paraditen e sotme për të shqyrtuar informacionin e ardhur nga organi i akuzës, ku janë përfshirë edhe 3 persona të tjerë, veç dy deputetëve. “Dy prej tyre janë ish-deputetë, kështu që nuk preken nga ligji, ndërsa dy të tjerë po”, tha Zguri për BIRN, ndërsa konfirmoi edhe emrat. Ai tha se bëhej fjalë për një kërkesë për informacion të nisur muaj më parë, ku përfshiheshin Mhill Fufi (PD) dhe Omer Mamo (PDIU), të cilët ishin deputetë në legjislaturën e fundit, por që nuk preken nga ligji, pasi nuk u rizgjodhën në qershor 2017, dhe Rehovica e Rakipi për të cilët është kërkuar heqja e mandatit. Në të njëjtën kërkesë, sipas Zgurit, ishte edhe kryetari i bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri (PD), që sipas informacionit nga prokuroria ka rezultuar i pastër dhe nuk preket nga ligji. Gjithashtu, burime nga prokuroria konfirmuan kërkesën e firmosur nga drejtuesja e njësisë së dekriminalizimit, Rovena Gashi. Ata thanë se për dy deputetët ishte dërguar një kërkesë për heqjen e mandatit, pasi janë gjetur mospërputhje mes vetëdeklarimit dhe asaj që prokuroria ka gjetur në verifikimet e saj.

Nga ana e tij, deputeti Rakipi në disa deklarime për mediat u shpreh se “nuk dinte për çfarë bëhej fjalë” në kërkesën e prokurorisë. Ai shtoi se nuk kishte pasur problem në Itali, lidhur me akuzën se ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit një ndalim në shtetin fqinj. Megjithatë Rakipi, deputet i qarkut të Elbasanit, nënvizoi se nuk e dinte me çfarë motivi prokuroria kërkonte heqjen e mandatit të deputetit. As kam bërë gjë ndonjëherë, as di të kem ndonjë dënim asgjë, tha ai. Si Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, nuk kanë deklaruar probleme në formularët e vetëdeklarimit, ndërsa edhe më parë i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

Kërkesa për verifikime të të shkuarës së deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, u përsërit nga Partia Demokratike pak muaj më parë. PD e cilëson Rakipin një mik të kryeministrit, ndërsa fajësoi këtë të fundit se po i jepte mbrojtje, pasi u akuzua se shkaktoi një aksident me vdekje dhe braktisi vendin e ngjarjes në gusht të këtij viti. Pas kësaj kërkese të dytë, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, njoftoi për një takim me kryeministrin Edi Rama, në të cilin sipas prokurorisë ishte biseduar lidhur me verifikimin e thelluar në “kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi”.

Ligji për dekriminalizimin u miratua në fillim të vitit 2016, pas një fushate gati dyvjeçare të Partisë Demokratike, që akuzoi shumicën se kishte përfshirë në listat për deputetë e kryetar bashkish persona me të shkuar kriminale. Dy deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, e ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, humbën mandatet pas verifikimeve që filluan me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ndërkohë dy deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Armando Prenga dhanë dorëheqjen. Për disa zyrtarë të tjerë, për të cilët u kërkua heqja e mandatit, KQZ vendosi mes debateve se nuk kishte arsye të mjaftueshme për t’u hequr mandatin.
Gjurmët e gishtave u dërguan në Itali
Prokuroria e Përgjithshme hetoi për disa muaj lidhur me të shkuarën e deputetëve, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica. Sipas burimeve nga prokuroria, gjurmët e gishtërinjve të dy deputetëve, Rakipi dhe Rehovica, ishin dërguar më herët në Itali, nga ku rezultoi se ishin në databazën e të dhënave të organeve gjyqësore italiane. Emrat nuk korrespondonin, por fakti që gjurmët e gishtërinjve përputheshin, e bindën prokurorinë që të dërgonte drejt KQZ-së kërkesën për heqjen e mandatit për ta. “Interpol Roma”, e cila ka kryer procedurat pas kërkesës së palës shqiptare, i dërgoi të dhënat e dy deputetëve shqiptarë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Llalla: Rama u interesua për Aqif Rakipin
Në fillim të tetorit, kryeministri Rama zhvilloi një takim me kryeprokurorin e atëhershëm, Adriatik Llalla. Kryeministria nuk publikoi një njoftim për këtë takim, por Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur zyrtarisht se ishte biseduar për mandatin e deputetit Aqif Rakipi (PDIU). “Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi,” tha prokuroria nëpërmjet një njoftimi për shtyp, duke nënvizuar që takimi ishte mbajtur me kërkesë të kryeministrit. “Në takim, z. Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë”, shtoi organi i akuzës. Gjatë takimit të tetorit me Ramën, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, theksoi se organi i akuzës po vijon bashkëpunimin me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për Dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.
Mblidhet KQZ, gati zëvendësuesit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e mandatit për deputetët Aqif Rakipi (PDIU) dhe Gledion Rehovica (LSI). Në rast se KQZ do të shprehet për heqjen e mandatit të të dy parlamentarëve, atëherë ata do të zëvendësohen nga pasuesit në listën e kandidatëve për deputetë në qarqet përkatës. Aqif Rakipi është rizgjedhur deputet në qarkun e Elbasanit, së bashku me Bujar Muçën. Megjithatë, vetëm dy muaj pas marrjes së mandatit, Muça vendosi të largohet nga salla e Kuvendit. Ai u zëvendësua me numrin 3 në listë, që ishte Elena Xhina. Tashmë, në rast të largimit të Rakipit, do të jetë radha e Dritan Bicit, ish-kryetar i Bashkisë së Gramshit. Më parë, ai ka qenë përfaqësues i Partisë Socialiste. Ndërsa Gledion Rehovica është zgjedhur deputet në qarkun e Beratit. Në rast të largimit të tij, në Kuvend do të rikthehet Silva Caka, e cila nuk arriti të rizgjidhej më 25 qershor 2017. 
Sigal