Prokuroria ngre tre akuza për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku

539
Prokuroria e Tiranës njoftoi marrjen të pandehur të ish-kryebashkiakut të Vorës për tre akuza, përfshirë marrjen e vendimeve pasi i kishte përfunduar mandati. Avokati kundërshtoi akuzat dhe pretendoi shkelje të të drejtave.
Sigal

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten se kishte marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Bashkisë së Vorës, i shkarkuar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, për dy akuza falsifikimi, një në lidhje me falsifikimin e formularëve të dekriminalizimit dhe një tjetër për falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe një akuzë të tretë për “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”.

Avokati Isuf Shehu, i cili mbron Kajmakun, i kontaktuar nga BIRN në telefon kundërshtoi akuzat dhe pretendoi se klientit të tij po i shkelej e drejta e “një procesi gjyqësorë të drejtë”. Ai tha se ende nuk kishte një vendim nga Greqia për të vërtetuar se Kajmaku kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

Ndaj Kajmakut ka një masë sigurie arrest me burg prej Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ai ështëë shpallur në kërkim nga policia prej 11 nëntorit, disa ditë pasi Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve njoftoi përfundimin e mandatit të tij për shkak të mosdeklarimit të një procedimi penal në Greqi, për falsifikim kartmonedhash.

Kajmaku u zgjodh kryebashkiak i Vorës në zgjedhjet e braktisura nga opozita më 30 qershor 2019. Zgjedhja e tij u denoncua nga Partia Demokratike, sëbashku me atë të Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe disa kryebashkiakëve të tjerë të Partisë Socialiste, për shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Akuzat ndaj Kajmakut rezultuan të vërteta pas verifikimeve nga Prokuroria e Përgjithshme.

Menjëherë pas vendimit për përfundim të mandatit ndaj Kajmakut filluan hetimet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg, por kjo masë nuk është ekzekutuar dot prej polcisë.

Ndërkohë ndër të tjera në një shkresë të firmosur nga prokurori Kolë Hysenaj dhe nga mbrojtësi ligjorë i Kajmakut Isuf Shehu e shpërndarë jo e plotë në media, vertetësinë e të cilës BIRN e konfirmoi, pretendohet se Kajmaku është futur në zyrë pas përfundimit të mandatit dhe në bashkëpunim me disa prej nëpunëseve të bashkisë ka bërë tre vendime duke shkarkuar dy nënkryetarë dhe emëruar një të tretë. Sipas prokurorisë kjo është bërë duke shtuar numra protokolli me fraksion.

Prokuroria citon në shkresë edhe dëshminë e protokollistet e cila sipas akuzës pranon se i ka marrë vendimet më 1 nëntor rreth orës 12.00 nga asistentja e Kajmakut, rreth 1 orë pas vendimit të KQZ për përfundimin e mandatit të Kajmakut. Prokuroria thotë se urdhërat janë rregjistruar në protokoll si të marra më 31 tetor.

Ndaj këtyre vendimeve ka ndërkohë edhe padi prej dy nënkryetarëve të shkarkuar në Gjykatën Administrative.

Prokuroria po ashtu pretendon se në mënyrë të ngjashme, duke shtuar numra protokolli me fraksion, janë shpallur edhe fitues tenderash. Sipas prokurorisë mandati i Kajmakut kishte marrë fund menjëherë pas vendimit të KQZ-së.

Por avokati i këtij të fundit i tha BIRN se asnjë prej shkeljeve të pretenduara nga prokuroria nuk qëndronte. Shehu tha se ende nuk kishte provë juridike për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit dhe se shkelja e supozuar e bërë në Greqi nuk përfshihej në ato që ndalonin kandidimin.

Ai pretendoi se i vetmi gabim i klientit të tij ishte mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit të një procedimi “të supozuar penal në Greqi”, por tha se kjo nuk ishte shkelje penale. Shehu kundërshtoi edhe akuzën e tretë të prokurorisë për ushtrim të funksionit pas përfundimit të mandatit,  duke iu referuar ligjit të dekriminalizimit, i cili përcakton se mandati i të zgjedhurve me votë që preken nga ky ligj përfundonte me botimin e vendimit në fletoren e parë zyrtare. Në rastin e Kajmakut, botimi ka ndodhur në datën 13 nëntor./Repoter.al