Prokuroria kërkon 9 vite burg për kreun e komunës Bërzhitë, Genci Drita

531
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 9 vjet burg dhe 5 vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për shtetasin Genc Drita, me funksion Kryetar i Komunës Bërzhitë, Tiranë, i akuzuar për veprat penale të “korrupsionit pasiv….” dhe “fshehje e deklarim të rremë të pasurisë…”.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 5 vjet burg dhe 5 vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për shtetasin Armando Burri, përgjegjës i zyrës së Taksave në këtë komunë, i akuzuar gjithashtu për “korrupsion pasiv…”.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, i nisur në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë, dhe më tej gjatë gjykimit, rezultoi se dy të pandehurit i kanë marrë një shtetasi shumën 4500 euro në këmbim të dhënies së lejes së përdorimit të një hapësire publike në territorin e komunës Bërzhitë.
Të pandehur janë arrestuar në flagrancë, fillimisht shtetasi Armando Burri, të cilit iu gjet shuma 1500 euro (pjesa e fundit e parave dhënë nga personi që kërkonte lejen e përdorimit). Pak më vonë u arrestua edhe kryetari i Komunës, Genc Drita, pasi shtetasi Armando Burri, pak momente para arrestimit e kishte njoftuar kryetarin se kishte marrë paratë për dhënien e lejes së përdorimit.
Po ashtu, ndaj shtetasi Genc Drita, dy ditë pas arrestimit të tij në flagrancë për “korrupsion pasiv….”, ILDKPKI ka dorëzuar një kallëzim penal për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë…”. Sipas kallëzimit të ILDKPKI, shtetasi Genc Drita ka fshehur kontratën e sipërmarrjes për blerjen e dy apartamenteve, me vlerë totale rreth 125.280 euro, si dhe ka fshehur sipërfaqen e truallit 1000 m2 me kufizim në rrugën automobilistike Tiranë- Elbasan.
Gjatë hetimit dhe më tej në gjykim, shtetasi Genc Drita ka deklaruar se ka nënshkruar një kontratë fiktive me subjektin ndërtues “M…..” me qëllim të merrte një kredi tek banka “xxxxx” (bankë e nivelit të dytë) një shumë prej 100.000 euro, ku ka lënë si kolateral një sipërfaqe prej 6.000 m2 tokë. Në lidhje me akuzën e fshehjes së 1.000 m2 truall ai shpjegon se ka harruar ta deklarojë atë dhe se nuk ka dëshiruar ta fshehë. Në këto kushte, Prokuroria kërkon shpalljen fajtor të shtetasit Genc Drita edhe për akuzën e “fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë…
Sigal