Prokuroria do të vendosë të martën për Elvis Roshin

559
Sigal

PS-ja mban distancë nga Kryebashkiaku socialist i Kavajës

Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi vazhdon të qëndrojë në qelitë e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, që kur forcat RENEA e transportuan mbrëmjen e së dielës. Ai nuk ka pranuar të flas para policisë për kallëzimin e trajnerit të ekipit futbollistik të “Tiranës” Nevil Deda. Ndërkohë, në orët e vona të së dielës dhe mëngjesin e së hënës, Kryebashkiaku është takuar brenda ambienteve të policisë me avokatin Plarent Ndreca. Ky i fundit, është pritur zyrtarisht edhe nga shefi i prokurorisë së Kavajës z.Besnik Muçi, të cilit i ka dorëzuar një MEMO duke i kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit të tij, për shkelje procedurale. Prokuroria do të kryejë disa veprime hetimore dhe mesditën e së martës do të vendoset nëse do të lirohet Elvis Roshi apo do të dërgohet para Gjykatës së Kavajës për caktimin e një mase sigurie. Kryebashkiaku, sipas policisë, është vendosur i vetëm në birucën e femrave në Drejtorin e Policisë në Tiranë dhe nuk është lejuar të takoj të afërmit. Në mëngjes, mësohet se atij i është ofruar ushqimi i burgut, supë dhe turli me mish. Zyrtarisht, kreu i Bashkisë së Kavajës u pyet në orët e mbrëmjes të së hënës, në prani të avokatit Ndreca për dy akuzuat e referuara nga policia. Atë të “goditjes për shkak të detyrës” dhe “kanosjes” ndaj trajnerit Nevil Dede. Dhe, sipas avokatit të tij, Kryebashkiaku Roshi, pohoi që urdhri i arrestimit të tij u dha nga ministri Noka.

 Orët e Kryebashkiakut Roshi në qelinë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës

 Policia e Tiranës i ofron trajtim ndryshe nga të shoqëruarit e tjerë Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Është vendosur në një qeli më vete. Në qelinë për femrat, e sapo inauguruar në bllokun e qelive në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kjo sipas burimeve për shkak të kushteve më të mira që paraqet kjo qeli. E vetmja kërkesë e tij kanë qenë gazetat e të hënës, për të lexuar sesi është trajtuar incidenti për të cilin ndodhet i ndaluar.  Për të ngrënë, i është ofruar supa dhe turli me mish, nga ushqimet që u ofrohen të shoqëruarave apo arrestuarve në polici, për të pirë, bidonë me ujë pa gaz, pa tapë. Vetë Roshi, nuk ka pranuar ende të japë deklarimet e tij me shkrim për ngjarjen, pa qenë prezent avokati i tij.  Burimet policore thanë se transferimi nga ambientet e izolimit të Kavajës është kryer për shkak të sigurisë dhe kushteve më të mira të trajtimit që ofrojnë birucat në drejtorinë e Tiranës. 7 të ndaluarit e tjerë, ndodhen në ambientet e izolimit të Komisariatit në Kavajë.

 Prokuroria pyet Elvis Roshin, avokati: Noka urdhëroi arrestimin, të publikojë tabulatet

Prokurori i çështjes në Kavajë, Dhimitër Ylli ka marrë në pyetje dje kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i arrestuar me akuzën e goditjes dhe kanosjes për shkak të detyrës, ndaj trajnerit të Tiranës, Nevil Dede. Pas seancës, ku ka qenë i pranishëm edhe avokati, mbrojtësi i Roshit, Plarent Ndreca, ka thënë se, kërkon publikimin e tablateve telefonike të Ministrit të Brendshëm Flamur Noka, të cilin e akuzoi si urdhërues të arrestimit.

 Trajneri Dede: “Ndihem i tronditur. Nuk kam asgjë personale me Roshin”

 “Ndihem i tronditur, – u shpreh Dede në lidhje telefonike, – Kryebashkiaku me goditi dhe kërcënoi. Nuk pati asnjë arsye, ndërsa unë thjesht kritikova gjendjen e fushës. Dede vazhdoi duke thënë se ka bërë denoncimin në polici. Ai pohon se nuk ka asgjë personale me Kryebashkiakun Roshi, por politika po e keqpërdor sportin. Ngjarja ka ndodhur në pushim të ndeshjes, në korridoret e ambienteve të brendshme të stadiumit, ndërsa skuadrat ishin në dhomat e zhveshjes”.

Noka: Nuk e urdhërova unë arrestimin
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i pyetur mbi arrestimin e kreut lokal të Kavajës tha se “arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Kavajës nuk është politik, pasi unë nuk merrem me përralla, siç janë përrallat që ka trilluar Roshi në të shkuarën, dhe nuk kam tagrin ligjor për të urdhëruar arrestimin e askujt, këtë tagër e ka vetëm Drejtori i Policisë Shtetit apo i qarkut”, tha Noka për mediat e interesuar lidhur me rastin.

Avokati i tij tha se ndalimi Kryebashkiakut të Kavajës është bërë me urdhër të Ministrit të Brendshëm z.Flamur Noka. Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Totozani ka deklaruar se po vlerësohet ngjarja. “Kam dërguar dje në Kavajë dy komisionerë për të vlerësuar konfliktin Dede-Roshi. Kemi marrë kontakt me Kryebashkiakun e Kavajës, Roshi dhe po mbledhim fakte”, vlerësoi Totozani.

 

PS-ja mban distancë nga sjellja e Roshit

Sjellja dhe qëndrimi i PS-së, sidomos pas arrestimit të Kryebashkiakut socialist të Kavajës, Ervis Roshi, nxori në pah, në dukje ato divergjenca, konflikte të brendshme, marrëdhëniesh midis Ervin Roshit dhe disa drejtuesve kryesorë në PS. Pak kohë më parë, dihet që Ervin Roshi erdhi në konflikt të hapur me drejtues të PS-së në rrethin e Kavajës, të cilët, me udhëzimet e drejtuesve të kryesisë të PS-së, donin të diktonin në zgjidhje të cilat nuk ishin në miratimin e socialistëve të strukturave të PS-së  të  Kavajës, por edhe të FRESSH-it të Kavajës. Madje, u përfol, që Ervin Roshi do t’i ndalonte me dhunë këta drejtues të PS-së, që të mos merrnin pjesë në Asamblenë  e socialistëve të Kavajës. E gjithë kjo ndodhi, pasi zgjedhjet e drejtuesve për strukturat e PS-së në Kavajë nuk kishin marrë pëlqimin dhe përkrahjen e Elvis Roshit, por ishin të diktuara nga drejtues të kryesisë të PS-së. Kjo, ndoshta solli edhe ftohjen e marrëdhënieve të Elvis Roshit me drejtuesit kryesorë të kryesisë të PS-së. Kjo shpjegohet përse drejtues të kryesisë të  PS-së, dje nuk donin të shpreheshin, qoftë edhe të kritikonin arrestimin e Roshit nga policia. Por edhe reagimi i Kryetarit të PS-së, Edi Rama, është i distancuar nga një  përkrahje politike, siç mund të prisnin socialistët për arrestimin e pajustifikuar të Roshit nga policia.  Madje PS-ja nuk bëri asnjë deklaratë politike, për të dënuar sjelljen e policisë në arrestimin e Kryebashkiakut të Kavajës, por i vetmi reagim zyrtar i PS-së, erdhi nga blog-u i kryetarit të PS-së, Edi Rama.

Rama  reagon  për Roshin në blog-un e vet:

 “S’ka pikë dyshimi se në qoftë se Elvis Roshi, Kryebashkiaku i Kavajës, është grindur me duar pas ndeshjes me Nevil Dedën, trajnerin e Tiranës, kjo është e pajustifikueshme. Një personi publik, aq më tepër një qytetari të parë, nuk i lejohet të sillet si një tifoz i dalë duarsh prej etheve të një ndeshjeje. Gjithnjë nëse kështu ka ndodhur, qytetari i parë i Kavajës duhet t’i kërkojë ndjesë publikisht skuadrës mike dhe vetë publikut. . Fakti që Kryebashkiaku mbahet ende në polici është vetëdiskreditues për qëllimin politik të këtij operacioni skandaloz. S’ka mundësi ta justifikosh Elvis Roshin nëse ka zbritur në dhomën e zhveshjes së skuadrës mike, për t’u kapur me Nevil Deden pas çfarëdo provokimi publik që mund të ketë bërë ky i fundit. Por është jashtëzakonisht e rëndë për shtetin e shoqërinë që lufta politike ta degjenerojë deri në këtë fare feje misionin dhe funksionin e Policisë së Shtetit. E cila duke u turrur qorrazi pas Elvis Roshit pa asnjë arsye që lidhet me ligjin e me rolin e saj, na ka dhënë provën e humbjes së toruas së pushtetit në rrugën drejt humbjes së pashmangshme të 23 qershorit.

Partia e Punës e Riorganizuar: “Imagjinoni, çdo të ndodhte në kohën e shokut Enver, po të ndodhte kjo dhunë e Roshit në stadium”

Partia e Punës e Riorganizuar dënon gjestet e kryebashkiakëve të Gramshit e Kavajës, të cilët rezultojnë të përfshirë në skandale në stadiumet e këtyre qyteteve. PPR rikujton se në kohën kur ishte në pushtet Partia e Punës me shokun Enver Hoxha në krye, raste që një kryetar komiteti të godiste njerëzit në stadium apo të hynte me veturë në fushë, as mund të imagjinoheshin, ndërsa sot deputetë e kryebashkiakë i kanë shndërruar fushat sportive në rezervate gjuetie. Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Riorganizuar Marko Dajti.

Saimir Vishaj, Kryetari i Avokatëve Penalistë

“Policia me dashje ka inskenuar arrestimin, për motive politike”

 – Zoti Vishaj, arrestimi i Kryetarit të Bashkisë të Kavajës u bë sipas procedurës ligjore?

Me sa jam në dijeni,  personi Roshi është marrë në hetim për akte penale që, sipas Kodit Penal, janë në kundravajtje penale. Dhe procedura e Kodit Penal nuk rekomandon arrestime për kryerjen e akteve kundrapenale, pasi aktet kundrapenale përbëjnë rrezikshmëri të vogël shoqërore. Pra, asnjë nuk procedohet nga  policia dhe prokuroria me ndalim dhe arrestim. Por, mendoj që arrestimi është politik, sesa janë zbatuar procedurat e Kodit Penal. Shikoj tendenca politike në arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

– Ku e mbështetni këtë konkluzion?

– Unë vë re, që pas dhjetorit të 2012-s, në ato bashki që janë socialistët, kryetarët e këtyre bashkive po bëhen objekt për t’u arrestuar, sikurse me kryetarin e Bashkive të Sarandës, Pogradecit dhe tani të Kavajës.

Në rastin e sjelljeve të zotit Roshi, cilat janë shkeljet e ligjit nga ai?

Është qesharake të bëjmë fjalë për shkelje të ligjit, kur kemi një akuzë për mosbindje ndaj urdhrit të policit. Një kryetar i Bashkisë dhe një polic janë për të vendosur rregullin në komunitet. Nuk mund të flitet kurrsesi që një kryetar i Bashkisë nuk i bindet një polici, ndërkohë që ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk mund të ketë akuzë ndaj kryetarit të Bashkisë që nuk i bindet urdhrit të policit, ndërkohë që vepra ka ndodhur brenda stadiumit të Kavajës, dhe nuk ka lidhje me urdhrin e policisë, por me debatin që ka ndodhë me trajnerin e futbollit. Kur çdo gjë ka përfunduar që pjesën e parë, nuk kishte asnjë arsye që të bënte ndonjë kallëzim. Ishte një çështje penale që mund të ndiqej drejtpërdrejtë në gjykatë.

– Në rastin e Kryetarit të Bashkisë të Kavajës, ka imunitet juridik?

– Nuk ka imunitet, por e vërteta është që nuk ka  arrestime për kundravajtje penale. Arrestime ka kur ligji parashikon krime, për të cilat ka mbi 3 vjet burg. Për veprën e kryer nga zoti Roshi, ligji parashikon gjobë, deri në 1 vit burg. Nga të gjitha provat që kemi, zoti Roshi ka vajtur vetë në polici, menjëherë pasi është njoftuar nga komisariati. Kjo dëfton, që në momentin që me vetëdashje shkon të deponosh, nuk mund të arrestohesh, sepse nuk përbën  rrezikshmëri për t’u larguar, apo për t’u fshehur. Në rastin konkret, nuk ka asnjë akt mjekoligjor që të dëshmojë dëmtime dhe mungesa e këtij akti mjekoligjor, i bën nul të gjitha veprimet e kallëzimit penal. Por policia, që të justifikojë arrestimin, ka vënë edhe mosbindjen ndaj policisë. Policia me dashje ka inskenuar arrestimin, për motive politike.