Prokuroria dhe Kushtetuesja, hetim dhe gjykim për Damian Gjiknurin

435
Më 24 qershor 2014, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, deklaroi me solemnitet, se ka nënshkruar me CEZ një marrëveshje, sipas së cilës, qeveria shqiptare heq dorë nga çdo pretendim ndaj CEZ dhe pranon që t’i paguajë CEZ 82 milionë euro, plus kamatat vjetore dhe shuma shkon në 100 milionë euro, për t’i rimarrë sërish aksionet në kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Kjo marrëveshje, Shqipëri-CEZ, qysh në fillim e negociuar nga ministri Gjiknuri, ishte tërësisht në kundërshti të plotë me premtimet elektorale të vetë PS, e cila, jo vetëm i kishte denoncuar vjedhjet, shpërdorimet dhe abuzimet e CEZ në Shqipëri në 4 vitet e saj, por kishte premtuar, që do ta denonconte edhe në Arbritrazh ndërkombëtar, pikërisht, për vjedhjet sistematike të CEZ në dëm të klientëve shqiptarë, pasi CEZ asnjë ditë nuk respektoi kontratën e koncensionit. 

Ministri Gjiknuri në negociatat që zhvilloi me CEZ, asnjëherë nuk u bazua në interesat ekonomike të Shqipërisë, edhe pse është jurist, edhe pse kishte në ndihmë asistencën e një zyre juridike nga më të njohurat e Europës, por, së pari, duke e përdorur marrëveshjen me CEZ, për qëllime të ngushta politike, duke u bërë privilegj çekëve një pranim që Shqipëria të paguante çfarëdo shume që çekët pretendonin për dëmshpërblim të zhbërjes së kontratës, në këmbim të votës të qeverisë çeke për Shqipërinë, në dhënien e statusit kandidat. Së dyti, dhe këtu hidhen dritëhijet më të shumta, ministri Gjiknuri, asnjëherë, deri më sot, nuk ka bërë transparente, jo vetëm për publikun, por as një Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, më 24 korrik 2014, ku u diskutua kjo marrëveshje, as në Parlament kur u votua kjo marrëveshje, negociatat që ai zhvilloi dhe të gjitha mundësitë që u shtruan në tavolinë. Thjesht, ministri Gjiknuri raportoi nënshkrimin, si një akt kapitullimi përballë çekëve, duke negociuar qysh në fillim nga interesa inferioriteti. Qysh atëkohë PD, e kundërshtoi këtë marrëveshje, madje bëri fjalë që qeveria u fal çekëve të CEZ mbi 600 milionë euro, kaq ishte vlerësimi i dëmeve që çekët e CEZ duhet t’i paguanin shtetit shqiptar për shkeljet flagrante të kontratës së koncensionit. 

Mungesa e transparencës së Gjiknurit, në negociata
Ministri Gjiknuri e dinte shumë mirë se CEZ i kishte shkaktuar shtetit tonë, konsumatërëve shqiptarë mbi 600 milionë euro dëme, pasi në 4 vjet CEZ vetëm mblodhi paratë nga shqiptarët, nuk investoi asnjë euro, e dëmtoi edhe më shumë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, dhe me politika favorizuese të qeverisë (së atëhershme) CEZ u favorizua si në uljen e çmimit që blinte nga KESH, nga 2,8 lekë në 2.2 lekë për kilovat orë, por miliona euro CEZ nuk ia ka paguar ,as sot KESH dhe OST për sasitë e energjisë elektrike që bleu, ndërkohë që paratë i vodhi nga konsumatorët shqiptarë. Gjithashtu, CEZ sa herë u favorizua nga qeveria edhe për çmimin e ulët të blerjes, ndërkohë që shteti shqiptar e importonte energjinë elektrike me çmime të larta, kur këtë blerje, sipas kontratës, duhet të bënte CEZ dhe jo KESH. Të gjitha këto shkelje dhe afere të CEZ ministri Gjiknuri, jo vetëm i dinte, por edhe i kishte denoncuar, si opozitar. Madje Gjiknuri, me cilësinë e juristit, ka edhe njohuritë juridike, që shteti shqiptar, duke shkuar në Arbitrazhin ndërkombëtar kundër CEZ, e kishte të fituar çështjen. Pyetje është: Derisa Gjiknuri nuk bëri të ditura negociatat, atëherë, cilat janë allishverishet që e detyruan ministrin Gjiknuri të pranonte me inferioritet kushtet e CEZ, duke u paguar atyre 100 milionë euro, si edhe duke u falur çekëve dhe të gjitha borxhet e miliona euro që CEZ u ka ende KESH dhe OST si edhe klientëve shqiptarë me skemat e mashtrimit të faturave afrofe dhe kamatat e paligjshme?

PD çon në prokurori marrëveshjen Gjiknuri-CEZ
Partia Demokratike, po harton dy nisma ligjore në funksion të asaj që prej muajsh cilësohet si afera CEZ. Juristët demokratë po punojnë mbi një ligj të posaçëm, që do të dorëzohet zyrtarisht të hënën në kuvend, ku pritet te kërkohet shfuqizimi i dispozitave të marrëveshjes me qeverinë shqiptare që i garanton kompanisë Ceke, amnisti për të gjitha borxhet e akumuluara dhe pikën që ndalon palët t’i drejtohen gjykatës pas kësaj marrëveshjeje. Draft ligji i demokratëve synon që t’i jap kompetencë prokuroreve të huaj të hetojnë gjithë procesin e negocimit dhe vendimet e qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ, e cila administroi sistemin elektro-energjitik shqiptar për afro 4 vite 2009- 2013. Burime pranë selisë blu theksojnë se ligji i posaçëm ngarkon Prokurorinë e Përgjithshme, që të lidh marrëveshje me prokuror europian dhe amerikan për të hetuar veprimet e kompanisë shqiptare DIA, por edhe procesin e negocimit të marrëveshjes mes qeverisë Rama dhe CEZ, për zgjidhjen me mirëkuptim konfliktin, pas heqjes së licencës. Paralelisht me draft ligjin, PD po përgatit të atakojë në Gjykatë Kushtetuese, të gjithë marrëveshjen, duke kërkuar shfuqizimin e saj. PD në ankesën e tyre do mbështesin me argumente se kjo marrëveshje cënon interesin publik dhe pasurinë e shtetit, duke e cilësuar aferë të pastër korruptive vendimin për t’i paguar kompanisë CEZ, 95 milionë euro me qëllim që ajo të tërhiqej nga arbitrazhi ndërkombëtar por dhe faljen e të gjitha borxheve, e cila përllogaritet në një dëm deri në 600 milionë euro. Kjo me fjalë të tjera, do të thotë që ministri Gjiknuri, së shpejti do të hetohet nga prokuroria për shpërdorim detyre, në marrëveshjen me CEZ, me dëm ekonomik, mbi 600 milionë euro për taksagapuesit shqiptarë. 
Sigal