Prokuroria bën gati 716 dosje zyrtarësh

568
Sigal

Drejtësia po mbyll vitin 2016 me finalizimin e hetimit për abuzimet e 716
zyrtarëve në 12 qarqe

 

 Maksim TUFA

Prokuroritë në rrethe, po e mbyllin vitin 2016 me ndoshta bilancin më pozitiv që kanë pasur ndonjëherë në vitet e fundit. Janë afro 716 dosje penale, të cilat janë hapur në harkun kohor të 6 muajve të fundit, për zyrtarë të denoncuar dhe akuzuar për afera korruptive. Janë miliarda lekë të hedhura në kanale dhe xhepat e oligarkëve, të hedhura në xhepat e ministrave dhe deputetëve sekserë, të cilët sipas burimeve “janë kthyer muajt e fundit në dirigjuesit e tenderëve dhe miliona eurove që jepen nga kjo qeveria për “Rilindjen Urbane”. Prokuroritë e rretheve kanë nisur hetimet pas denoncimin e një kompanie ndërtimi, lidhur me një tender rruge prej 3.2 km, e cila ka “thithur” jo pak por plot 3.2 miliardë lekë të thata, nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Kjo ndoshta ishte edhe shkëndija e parë e cila detyroi organet hetimore të rretheve, të nisin hetimet bazuar edhe mbi raportet e KLSH dhe strukturave të tjera kontrolluese. Prokurorët e rretheve janë urdhëruar “të nisin hetime për çdo denoncim dhe akuza të depozituara ndaj zyrtarëve, të cilët prej kohësh janë pjesë e rrjeteve të trafikut dhe korrupsionit. Burimet të sigurta nga disa Prokurori rrethesh thanë për “Telegraf” se “bëhet fjalë për denoncime nga persona dhe subjekte ndaj drejtorive dhe deputetëve që ndërhyjnë direkt në pikëzimin e fituesve të tenderëve në rrethe, ka denoncime dhe akuza të cilat akuzojnë zyrtarë të lidhur me klanet e korrupsionit, trafiqeve dhe madje janë kthyer në vegla të bindura të tyre duke bashkëpunuar për të fituar miliona lekë”. Drejtues ndërmarrjesh dhe zyrtarë, po hetohen lidhur me dokumentimin e veprimtarisë antiligjore të tyre, dhe si “busull” drejtuese po merret kryesisht edhe raporti KLSH dhe rekomandimet e tij. Bazuar në burimet nga organet hetimore rezulton se “në shkallë vendi vetëm në periudhën qershor-nëntor 2016 janë hapur dosje penale sa vijon “në Durrës për 234 zyrtarë, në Elbasan për 154 zyrtarë, në Korçë , Kolonjë e Përmet për 98 zyrtarë, në Shkodër për 111 zyrtarë, në Peshkopi e Burrel për 64 zyrtarë, ndërkohë që puna vazhdon edhe në rrethet e tjera”. Por duke u rikthyer tek denoncimi nga kompania private, mjafton të theksojmë se “bëhet fjalë për një tender të shpallur qysh në muajin mars 2016 në portalin e një ministrie, e cila është “lavatriçe” e miliardave të piramidës qeverisëse, dhe në 22 maj 2016 ditë diel shpallet befasisht fituesi,(?) pa asnjë qindarkë ulje dhe pa konkurrentë, ndërkohë që ka pasur firma të tjera që kishin ofertat e tyre me afro 25 për qind ulje të vlerës fondit të investimit”. Për afro tre muaj rresht, kompania e skualifikuar, ka komunikuar edhe me paradhomën e kryeministrit Rama, edhe me ministrin, me Avokatin e Shtetit, dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje tjetër veç asaj se “do ta shohim problemin dhe do t’ju njoftojmë”. Pavarësisht paralajmërimeve që kryeministri bën vazhdimisht mbi “luftën ndaj korrupsionit”, apo mbi “punësimet ndryshe në qeverinë tonë, ndryshe nga qeveria e kaluar”, duket se situata në këtë vend nuk duket aspak optimiste. Tabloja e zymtë flet për qindra e qindra dosje nën hetim, qindra dosje në gjykim, qindra dosje të mbushura me fakte për vjedhje milionash të pushuara, një duzinë drejtuesish dhe zyrtarësh nën akuzë, një sistem qeverisës që matet me “qeverisjen e kaluar”, duke bërë sikur nuk kupton se miliarda lekë po zhvaten çdo ditë nga tenderët e rilindësve të tij, një popull që sa vjen dhe varfërohet dhe nuk punësohet, duke gjetur rrugën më të shkurtër, trafikun, krimin ose bixhozin, dhe një organ hetimor që është hutuar nga mali me dosje dhe “ajsbergët” që po e mbysin për të mos u hapur ato kurrë.