Prokurori i Përgjithshëm, ndan LSI-në nga PD-ja në 2013

473
Sigal

Procedura e shkarkimit të Kryeprokurores, Ina Rama është përmbyllur dhe ndërkohë Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka filluar konsultimet me partitë politike parlamentare për të diskutuar për kandidatët e mundshëm për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas njoftimit nga Presidenca, mandati i Kryeprokurores Ina Rama ka mbaruar në 22 nëntor 2012.  Siç dihet, PS-ja edhe pse mori pjesë në këto konsultime me Presidentin e Shqipërisë, e ka kontestuar largimin e Kryeprokurores Ina Rama si  ndërprerje të mandatit dhe një veprim antikushtetues. PS-ja nuk do të marrë pjesë në propozimin e kandidatëve për Kryeprokurorin e ri. Sipas Kushtetutës, Presidenti i Shqipërisë propozon emrin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe  ky emër votohet për t’u miratuar në Kuvendin  e Shqipërisë. Mjaftojnë 71 vota që kandidati të emërohet Prokurori i Përgjithshëm. Që kandidati për Kryeprokurorin, që do të propozojë Presidenti, të marrë votat në Kuvend, do të duhen që LSI-ja të bashkojë votat me maxhorancën e PD-së. Mirëpo, kjo do të kushtëzohet me kërkesat që ka LSI-ja për kandidatin e Kryeprokurorit. Deri tani LSI-ja e ka dhënë votën e saj për të gjitha kandidaturat që ka propozuar Presidenti për kryetarët e institucioneve të pavarura. Ndaj posti i Kryeprokurorit  është një detyrim moral që PD-ja i ka LSI-së pasi ky koalicion mbijetojë vetëm prej votave të LSI-së . Nëse vendi në 2009-ën do kishte shkuar në zgjedhje të reja dhe LSI-ja të ishte bashkuar  me PS-në, ky formacion merrte mbi 80 deputetë. Ndaj LSI-ja pret ofertën e PD-së ,pasi demokratët me 50% të votave  morën Presidentin e Republikës, emëruan, Nën/Kryetarin e KLD-së, kreun e SHISH, Kryetarin e KLSH-së, të gjitha janë prej votës së LSI-së. Burime tepër konfidenciale pranë  LSI-së  bëjnë me dije se kjo e fundit nuk do vendosi si kusht emërimin e një kandidature të saj për Kryeprokuror i Përgjithshëm në këmbim të votës për të,por do i përmbahet marrëveshjes dhe do të jetë pjesë e qeverisjes deri në qershor të 2013-s. Pas mbarimit të kësaj marrëveshje LSI do të shikojë aleancat e veta, të cilat nuk e përjashtojnë mundësinë e një koalicioni në Partinë Çame dhe me Partinë Socialiste. Burimet evidentojnë se, marrjen e të gjitha institucioneve nga PD-ja do ta ndëshkojmë mbas Qershorit me largimin e saj nga pushteti dhe se një koalicion PS-LSI- PDIU i siguron atyre mbi 86 deputetë në Parlament, çka do të thotë që hapet mundësia për zëvendësimin e këtyre drejtuesve, të cilët përfaqësojnë vetëm PD-në. Pavarësisht se nuk janë bërë prezente kandidaturat e LSI-së 2 janë më të lakuarit në ambientet e saj. Të dy vijnë nga drejtësia dhe ata janë Spartak Braho dhe Nasip Naço. Madje, flitet se Spartak Braho është aktualisht për vizitë në një nga shtetet më potenciale të drejtësisë europiane dhe botërore, ku është takuar me personalitetet më të larta të hetimit dhe luftës kundër terrorizmit dhe trafikut. Gjithsesi pritet që gjithçka të vendoset brenda këtyre ditëve dhe se shpresat e LSI-së janë disi të vakta po të kemi parasysh lojën që një pjesë e drejtuesve të lartë të PD-së bënë më Ilir Metën duke e zvarritur për mëse 2 vjet nëpër gjykata, duke favorizuar indirekt një njeri të “çekuilibruar” si Prifti.

Artan Hoxha