Prokurori i Matit: Trafikantët e drogës më kërcënuan gjatë aksionit

436
Sigal

Punonjësit e
policisë bëhen palë me trafikantët e hashashit 

Gazeta Telegraf/ Asgjësimi i
10600 rrënjëve kanabis dje në Mat nxori në pah një histori të pazakonte me të
cilën u përball prokurori Abaz Muça gjatë punës së tij. Ky i fundit u ndalua të
hyjë në parcelat për të cilat kishte marrë informacione se kishte kanabis, duke
deklaruar dje për mediat, se u kërcënua nga trafikantët e armatosur që ruanin
parcelat gjatë aksionit. Muça shkon më tej dhe thotë se kërcënimet janë bërë në
sy të policisë së Matit dhe se këtë fakt do ta referojë edhe në Prokurorinë e
Përgjithshme.“Kur shkuam mbrëmë për të asgjësuar 10600 rrënjë kanabis në
njësinë administrative Lis, kur po afroheshim tek parcela një person ka dalë me
automatik dhe ia ka drejtuar furgonit të policisë dhe makinës së prokurorisë”,
ka thënë Muça. Por ndryshe nga ai, policia e Matit thotë se nuk është kërcënuar
me armë gjatë aksionit të asgjësimit të kanabisit. Burime të policisë së Matit
thonë për mediat, se kanë parë një person larg në një kodër, por se nuk i ka
kërcënuar njeri.

Ngjarja

Prokurori i
Matit i shoqëruar nga një hetues u nis për në zonën e fshatit Myzë, njësia
administrative Lis, në Bashkinë e Matit. Gjatë rrugës për në vendin ku dyshohej
se kultivohej drogë, në një zonë pranë fshatit, një automjet tip “Toyota”,
fuoristradë, i ka prerë rrugën makinës ku ndodhej prokurori me gjithë hetuesin
e çështjes. Prej saj ka dalë një person i armatosur me kallashnikov, i cili ka
bllokuar rrugën. Pas një debati për rreth 15 minuta, personi me armë nuk jepte
shpjegime se pse pengonte lëvizjen në rrugë. Për këtë arsye, prokurori me
oficerin janë kthyer mbrapsht dhe kanë njoftuar policinë.