Projektligji për dosjet në parlament. A do të guxojnë politikanët ti heqin ‘petët lakrorit’!

506
Sigal

Projektligji i ri për Lustracionin depozitohet në Kuvend

Dje, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda, dorëzuan draftin në Kuvend. Heshtje nga dy anët e politikës

Shqipëria është vendi i vetëm nga blloku ish komunist në Europë që ende nuk ka miratuar dhe zbatuar ligjin e Lustracionit, ose ligjin për të hapur dosjet e sigurimit. Edhe kohë më parë është përpjekur që ky ligj të shtrohet për diskutim e të miratohet në Kuvend, mirëpo për arsye që dihen, politikanët shqiptarë, edhe të maxhorancës edhe të opozitës nuk kanë dashur që ky ligj të miratohet, e ca më pak që dosjet famëkeqe të sigurimit të shtetit të hapen e të publikohen.

Sërish në Kuvend projektligji i Lustracionit

Dy deputetë të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, e bëjnë fakt idenë e hapjes së dosjeve të diktaturës. Dje në mesditë ata kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për hapjen e dosjeve, tre vjet pasi ai u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Për më tepër, Doda ka premtuar se ajo do të jetë në Kuvend për ta mbrojtur këtë projektligj e madje i bëri ftesë edhe kolegëve të saj të majtë e të djathtë që ta mbështesin. Ajo tha se, “të gjithë krahët, të majtë dhe të djathtë, duhet të bashkohen në këtë akt tejet të rëndësishëm për vendin. ”E pyetur sesi do ta mbrojë këtë projektligj, në kushtet kur PD-ja e ka bojkotuar Kuvendin, Doda i kërkoi të gjithë deputetëve të jenë për ta mbështetur këtë nismë ligjore. “Tre vjet më pare, kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Ligjin e Lustracionit, – tha ajo, – unë premtova se do ta paraqisja sërish atë. Paraqitja e sotme është pa dyshim një vendim dhe premtim para elektoratit”. Ndërsa, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se, “Është në ndërgjegjen tonë si Studentë të Dhjetorit dhe deputetë për të vënë në vend hapin që duhet të bënte politika që prej 20 vjetësh, Ligjin e Lustracionit. Ne e kemi mbështetur këtë nismë të shoqërisë civile. Ajo nuk i drejtohet ndonjë partie politike, por ndërgjegjes politike dhe që të tregohemi dinjitozë, e gjithë politika shqiptare duhet të bëjë katarsisin e vet”.

Reagon Paloka: Hapja e dosjeve, jo nga Rama e Meta.

Menjëherë pas dorëzimit në Kuvend të projektligjit për hapjen e dosjeve nga deputetja e PD-së Mesila Doda dhe deputeti i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka reaguar PD-ja nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Edi Paloka. Sipas Palokës, “PD-ja ka mbështetur dhe mbështet me forcë transparencën ligjore dhe institucionale për krimet e komunizmit dhe përgjegjësitë për këto krime, në bazë të rezolutave të Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira europiane. Por kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre”. Deputetja demokrate Doda, duke dorëzuar projektligjin, deklaroi se pavarësisht bojkotit të PD-së, ajo do ta mbrojë atë në Kuvend dhe madje i bëri thirrje edhe kolegëve të saj të të dy krahëve ta mbështesnin.

Përmbajtja e projektligjit të Lustracionit

Gazeta “Telegraf” boton sot përmbajtjen nga projektligji i ri, që u depozitua dje në Kuvend nga deputetët e opozitës Idrizi dhe Doda.

Autoriteti i Kontrollit të Figurave

Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurës, i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur. Autoriteti është person juridik publik dhe ka buxhetin e vet të pavarur, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga donacione të ndryshme. Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve. Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozime që vijnë nga:

Presidenti i Republikës, Shoqëria civile (nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile), duke iu dhënë prioritet atyre të të drejtave të njeriut dhe shoqatave të ish të persekutuarve nga regjimi komunist. Në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile.Kryetari i Autoritetit zgjidhet me votim të fshehtë nga anëtarët e Autoritetit.

Kushtet për t’ u zgjedhur anëtar i Autoritetit

Anëtari i Autoritetit të Kontrollit të Figurës së funksionarit, duhet të plotësojë këto kushte: të jetë shtetas shqiptar, të ketë figurë të pastër sipas kritereve të këtij ligji,

të ketë arsimin e lartë, të ketë minimumi 10 vjet përvojë profesionale, të mos jetë i dënuar për vepra penale; të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.

Verifikimi i pastërtisë morale të kandidatit për anëtar Autoriteti, papajtueshmëria dhe konflikti i interesave

Çdo kandidat për anëtar i Autoritetit, i propozuar sipas nenit 6 të këtij ligji, i nënshtrohet procedurës së verifikimit të pastërtisë së figurës, sipas këtij ligji. Në këtë rast kandidatët firmosin një deklaratë për pastërtinë e figurës së tyre. Më pas verifikimi kryhet nga vetë Autoriteti, brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit të propozimit nga institucioni. Anëtari i Autoritetit është i detyruar të heqë dorë nga verifikimi i figurës së funksionarit në hetim, për shkak te papajtueshmërisë apo konfliktit te interesave sipas legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit. Përpara verifikimit të figurës së çdo funksionari, anëtarët e Autoritetit nënshkruajnë një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit.

Të drejtat e Autoritetit

Autoriteti, në funksion të përmbushjes së detyrave të ngarkuara me këtë ligj, ka të drejtë të kërkojë t’ i vihen në dispozicion në arkivat përkatëse, të gjitha materialet arkivore, duke përfshirë edhe dokumentet e arkivit të Partisë së Punës të Shqipërisë, nga të cilat mund të merren të dhëna për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit dhe të personave të veçantë, që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji, si edhe të kërkojë dublikate për dokumentet që do të përfshihen në dosjen e verifikimit të subjektit. Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo çdo institucion tjetër shtetëror, detyrohen të paraqesin informacionin e kërkuar pranë Autoritetit, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Autoriteti njëherazi me verifikimin e figurave te zyrtareve dhe të kërkesave që merr nga subjekte të ndryshme, në përputhje me këto kërkesa realizon edhe hapjen e të gjitha dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Trajtimi i dosjeve të sigurimit të shtetit

Dosjet e Sigurimit të Shtetit janë dokumente me rëndësi historike kombëtare, që kanë vlerë ruajtjeje te përhershme për shkak te rëndësisë juridiko-administrative, historike, shkencore dhe kulturore për trashëgiminë e popullit shqiptar. Ruajtja dhe mirëmbajtja e tyre kryhet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat.

Nisja e procedurës së verifikimit

Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të funksionarëve publikë: Kryesisht, për të gjithë subjektet e përcaktuara në nenin 16, të këtij ligji me kërkesë me shkrim, të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij, për funksionarin publik; me kërkesë të vetë subjektit ose të personit, kur ai kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor.

Njohja me dosjet e sigurimit të shtetit për individët

Të drejtat e Individit

Çdo individ ka të drejtë t’ i drejtohet Autoritetit për të kërkuar dhe ditur nëse ai ka qenë i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Në këtë rast, individët kanë të drejtën për t’ u njohur me dosjen e tyre dhe për të siguruar të dhënat sikurse e parashikon ky ligj. Çdo individ ka të drejtën dhe detyrimin të përdorë informacionet dhe të dhënat e marra nga Autoriteti, sipas ligjit. Të drejtat e këtij neni nuk mund të përdoren për të dëmtuar interesat e ligjshme të individëve të tjerë.

Procedura për t’ u njohur me dosjen

Çdo individ ka të drejtë të kërkojë hapjen e dosjes së tij personale nëpërmjet një kërkese drejtuar Autoritetit të Kontrollit të Figurës. Nëse personi nuk jeton më, asnjë i afërm nuk mund të kërkojë të dhëna mbi dosjen. Nga ky rregull bën përjashtim rasti kur fëmijët apo bashkëshortët kërkojnë të vihet në vend dinjiteti dhe nderi i të ndjerit. Dosjet vihen në dispozicion të studiuesve, historianëve, gazetarëve, dhe të interesuarve të tjerë në funksion të grumbullimit të fakteve historike. Në këtë rast, Autoriteti merr masa për anonimizimin e të dhënave që identifikojnë individët e përfshirë në këto fakte historike, me përjashtim të rasteve kur faktet janë publike.

Trajtimi i dosjeve duhet bërë mbi parime të respektimit të të drejtave të individit, duke analizuar të dhënat e dosjes, rast pas rasti.

E drejta për t’u njohur me dosjen personale
1. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me të dhëna personale, në lidhje me atë që përmbajnë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ose arkivat e tjerë sipas përcaktimeve të këtij ligji. Kërkesat për këtë mund të paraqiten 6 muaj pas fillimit të punës nga Autoriteti.
2. Për njohjen e këtyre të dhënave shtetasi paraqet kërkesë me shkrim në Autoritetin Shtetëror. Autoriteti brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës, është i detyruar të kthejë përgjigje negative nëse nuk ka të dhëna, ose nëse ka të dhëna të sigurojë mundësinë që shtetasi të njihet me to. Në çdo rast shtetasi njihet vetëm me të dhënat personale të tij dhe i ndalohet të njihet me të dhënat e personave të tretë të tjerë që mund të përmbajë dosja e tij. Shtetasi nuk mund të nxjerrë apo të bëjë publike materialet e dosjes me të cilat ai njihet.
3. Rregulla të hollësishme për zbatimin e këtij neni përcaktohen në Rregulloren e Funksionimit të Autoritetit.

Procedurat dhe subjektet e verifikimit

Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të cilët ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat dhe funksionarët politikë, nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit. Funksionarë të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave, anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtuese të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri. Guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë, funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”. Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave,

drejtuesit e drejtorive të Administratës Publike në nivel qarku dhe prefekture, anëtarët e Këshillave të Qarkut si dhe të këshillave bashkiake; Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendshëm (SHKB, Komandanti i Gardës e Republikës, drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati, Avokati i Popullit, Komisioneri kundër Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura. Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë. Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit. Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionit Publik Shqiptar, Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s. Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private, Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme: Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991. Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit. Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege, punonjës operativ, legal apo ilegal, bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991.

Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike, denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike. Funksionarët publikë me mandat kushtetues dhe çdo person tjetër i zgjedhur nga Kuvendi janë subjekte të verifikimit sipas këtij ligji. Ata nuk e ndërpresin mandatin kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur, por të dhënat e grumbulluara nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në çdo rast, një funksionar publik i tillë mund të dorëhiqet përpara përfundimit të mandatit të tij dhe në këtë rast dosja e tij nuk publikohet.

Transparenca me publikun

Autoritetit i Kontrollit të Figurave do të publikojë në faqen e vet zyrtare, informacion për numrin dhe emrat e personave zyrtarë të verifikuar sipas këtij ligji. Ky informacion përditësohet çdo javë.Autoriteti duhet që brenda 90 ditëve të publikojë edhe Listat e përpunimit aktiv A-2 dhe B-2, si dhe emrat e personave për të cilët ka denoncime.Autoriteti brenda 120 ditëve të publikojë Listat e plota të drejtuesve dhe punonjësve të Sigurimit të Shtetit dhe të Hetuesisë së tij në vite.

Përdorimi i të dhënave të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit nga organet publike dhe private.

1) Nëse Autoriteti vendos ose vihet në dijeni se të dhënat në dosjen personale të subjektit, janë të pasakta apo janë kontestuar nga ana e subjektit, atëherë mbahet një procesverbal me vërejtje në lidhje me verifikimet e bëra sipas rastit.

2) Interesat e ligjshme të personave të tjerë, nuk mund të dëmtohen nga përdorimi i të dhënave.

Fillimi dhe afati i veprimtarisë

Autoriteti fillon ushtrimin e detyrës menjëherë pas emërimit të anëtarëve të tij nga Kuvendi. Veprimtaria e Autoritetit sipas këtij ligji vazhdon deri në 31 Dhjetor 2030.

dosje_981193148

Jakup B. GJOÇA