Projekti i stadiumit “Qemal Stafa”, Paloka kërkon kopje të plotë të dokumentacionit​

1307
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i është drejtuar me një letër kryeministrit Rama si dhe Presidentit të FSHF Armando Duka, ku kërkohet transparence në lidhje me projektin e stadiumit Qemal Stafa. Në letrën e tij, Paloka kërkon informacion dhe kopje të dokumentacionit të plotë zyrtar duke përfshirë; 1-Projektin e miratuar nga KKT 2-Kontratën e partneritetit publik-privat 3-Kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime ku pasqyrohet qendrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit 4-Procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fituese 5-Dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit, dhe jo sportin e qytetarët. Sipas planit të Edi Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit. 
Letrat që Paloka i ka dërguar Ramës dhe Dukës:
Lënda: Kërkesë për informacion mbi projektin e ndërtimit të Stadiumit të ri “Qemal Stafa” DREJTUAR: ZOTIT EDI RAMA KRYEMINISTËR DHE DREJTUES I KËSHILLIT TË MINISTRAVE KRYETAR I KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT 
Nëpërmjet medias jemi njohur me miratimin nga Këshilli i Ministrave paraprakisht, dhe më pas edhe të projektit konkret nga Këshilli Kombëtar i Territorit, të shndërrimit të stadiumit “Qemal Stafa” në një pronë për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe josportive, si dhe ndërtimit të një stadiumi të ri, të përfshirë brenda një Qendre Tregtare! Në mbështetje me nenin 8 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit”, i ndryshuar, në funksion të përmbushjes së detyrës sime si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, lutem të më vini në dispozicion një kopje të dokumentacionit të plotë mbi këtë cështje, duke përfshirë: a) Kopjen e Projektit të miratuar nga KKT për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar; b) Kopje të kontratave të partneritetit publik – privat për realizimin e këtij projekti, të miratuar nga shoqëria anonime, ku shteti zotëron 25 % të aksioneve; c) Kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime, ku pasqyrohet qëndrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit; d) Procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fitues për ndërtimin e projektit të stadiumit të ri kombëtar dhe rolin që kanë patur organet shtetërore në këtë proces, duke qenë se janë zotëruese të 25 % të aksioneve; e) Dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti. Duke e vlerësuar si thelbësore për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës, jo vetëm garantimin e parimit të ligjshmërisë dhe luftën ndaj korrupsionit, por mbi të gjitha qeverisjen transparente, mbetemi në pritje të informacionit tuaj, brenda afatit ligjor 15 ditor.
KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PD EDI PALOKA
Sigal