Projekt-Statuti i PD nuk parashikon dorëheqje të kryetarit në rast humbje të zgjedhjeve

555
Projekt-Statuti i ri i Partisë Demokratike, që do t’i propozohet Këshillit Kombëtar nuk do të ketë në përbërje të tij pikat ku parashikohet dorëheqja apo shkarkimi i kryetarit nëse humb zgjedhjet. Neni 51 që trajton kryetarin e Partisë i draft-statutit është pothuajse i ngjashëm me atë të statutit të vjetër. Grupi i punës për hartimin e statuti tha se kjo pikë nuk u përfshi në statut pasi kreu i PD zgjidhet me parimin një anëtar një votë dhe anëtarësia mund të votojë kundër kryetarit. Një arsye tjetër përse kjo pikë nuk u vu në statut është se në Shqipëri ende nuk është konsoliduar një proces zgjedhor i drejtë dhe rreziku i manipulimit është i lartë. Përfshirja e kësaj pike mund të ndikojë gjithashtu në fushatat zgjedhore, pasi kundërshtarët e kryetarit mund të sabotojnë zgjedhjet për të kërkuar largimin e tij. Pjesa tjetër e statutit ka marrë dakordësinë edhe të grupit të kritikëve të Lulzim Bashës, për sa i përket ideologjisë së partisë, sistemit të karrierës dhe vetingut të kandidatëve. Gjithashtu anëtarësia ka më shumë kompetenca për të përcaktuar kandidatët për bashki dhe parlament. PD-ja në statutin e ri heq dorë nga ndryshimet që u bënë në shtatorin e vitit 2014 dhe i rikthehet strukturës që la ish-lideri Sali Berisha me një kryesi, Këshill dhe Kuvend Kombëtar më të reduktuar në numër. Nga 57 anëtarë që ka aktualisht, kryesia e re parashikohet të ketë 27 anëtarë, gjithashtu reduktim të ndjeshëm do të ketë Këshilli dhe Kuvendi. Në ndryshim nga statuti i vjetër, Këshilli Kombëtar do të marrë edhe kompetencën e vendimeve politike të partisë, kur bëhet fjalë për miratime programesh apo koalicione politike, detyrë që më parë e kishte kryesia e partisë.
Sigal