Programi, Rama fton opozitën dhe premton 220 mijë vende pune

592
Kryeministri kërkon votëbesimin dhe deklaron se do të ketë rritje pagash për mësuesit e mjekët. Vlerësimet për kanabisin, Skënderbeun, emigrantët dhe Greqinë
Kryeministri Edi Rama paraqiti para Parlamentit programin e qeverisë socialiste për katër vitet e ardhshme dhe kërkoi zyrtarisht votëbesimin e deputetëve. Votëbesim që pritet të jepet sot nga Kuvendi, i dominuar në shumicë nga socialistët. Në qendër të programit për mandatin e dytë, shefi i qeverisë renditi rritjen ekonomike, kujdes më të madh social për fëmijët dhe të moshuarit, investime në shkolla e spitale dhe bashkëpunim ekonomik më të mirë me vendet fqinje. Qeveria e re ka vendosur një objektiv për shtimin e 220 mijë vendeve të punës në regjistrat e shtetit. Rama iu bëri thirrje opozitës që të bëhej pjesë e disa reformave me rëndësi që lidhen me ekonominë, sistemin gjyqësor, integrimin europian, shkollimin e fëmijëve dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë, imazhin e Shqipërisë në botë. Ai pranoi edhe rolin e opozitës në betejën e nisur nga policia ndaj mbjelljes e trafikimit të kanabisit. “Çështjet që na bashkojnë janë më të mëdha se sa ato që na ndajnë”, iu drejtua ai deputetëve të opozitës, duke kërkuar që kundërshtimet e saj të mos jenë “fluturake e mediatike”, por të jenë konstruktive dhe dobiprurëse për qytetarët. Rama bëri thirrje që në parlament t’u jepej fund grindjeve të kota e të zhurmshme dhe të gjithë palët të përqendrohen tek nevojat e qytetarëve. Në politikën e jashtme ai theksoi si të shkëlqyera marrëdhëniet me SHBA, gatishmërinë për një bashkim doganor me Kosovën dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Greqi. 

Pas prezantimit të programit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të një pjese të opozitës, pasi Partia Demokratike njoftoi refuzimin për të paraqitur pyetje për programin e qeverisë së re. Pyetjet e drejtuara nga deputetët e LSI-së lidheshin me infrastrukturën, shëndetësinë, bujqësinë, arsimin dhe politikat sociale. Sa i takon infrastrukturës, kryeministri tha se synimi është rritja në pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të investimeve publike, që sipas tij do të japin një shtysë edhe në funksion të rritjes ekonomike. Objektiv do të jetë gjithashtu edhe rimëkëmbja e sistemit të rrugëve kombëtare. “Synimi është garantimi i lëvizshmërisë me synim zhvillimin e sektorëve të turizmit, bujqësisë dhe trashëgimisë kulturore, përveç rimëkëmbjen e gjithë sistemit të rrugëve kombëtare. Do të ndërhyjmë tek rrugët kombëtare me një projekt madhor, që po përgatitet dhe do ta sjellim në Parlament”, tha Rama. Sa i takon thithjes së investimeve të huaja, Rama tha se paketa e re fiskale do të parashikojë lehtësi për investitorë në sektorë të rëndësisë së veçantë.

Ndërkohë për shëndetësinë, Rama deklaroi se do të sigurohet që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të kujdesit shëndetësor, ndërsa tha se objektivi për të rritur me 40 për qind pagat për mjekët dhe mësuesit është tërësisht i realizueshëm. “Politika jonë e mbulimit universal në shëndetësi do të vijojë, duke rritur shpenzimet për shëndetësinë e duke ecur drejt mbulimit universal shëndetësor për të gjithë. Rritja e pagave për mësuesit dhe mjekët me 40 përqind brenda këtij mandati. Skemë e financimit për të nxitur mjekët specialistë që të punojnë pranë spitaleve rajonale, apo spitaleve bashkiake jashtë Tiranës”, tha ai. Bujqësia do të vijojë të jetë një prioritet edhe në mandatin e dytë. “Qëllimi është që të ecim më shpejt me riorganizimin tërësor dhe fokus të posaçëm tek fermat njësi tregtare. Jemi të qartë që 100 për qind e tokës bujqësore me ujë, është një angazhim i arritshëm dhe brenda 2 viteve të para të mandatit do të jetë realizuar”, tha Rama. Ai foli edhe për arsimin profesional, ku tha se do të jetë në dorë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ngritja e qendrave të arsimit profesional në bashkëpunim me njësitë e pushtetit vendor.
Basha: “Rama 2” nuk e njeh “Rama 1”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi ishte seanca dhe fjalimi më bosh, që ishte dëgjuar më parë gjatë paraqitjes së programit qeverisës. “Thelbi u zëvendësua me propagandë të stilit të vjetër. Rama nuk foli për 300 mijë vendet e punës që premtoi dhe për 300 mijë shqiptarët që nisi në emigracion. ‘Rama 2’ nuk e njeh dhe nuk mban përgjegjësi për premtimet e ‘Rama 1’. Integrimi është stopuar totalisht për shkak të krimeve, që u shtuan gjatë qeverisjes socialiste”, tha Basha.
Kryeministri Rama për…

… opozitën
“Ky vit, ku konflikti dhe mirëkuptimi mes nesh, qeverisë dhe opozitës, kulmuan që të dyja, si asnjëherë më parë, brenda një harku shumë të shkurtër kohe, na ka dhënë një mësim të rëndësishëm. Uroj që edhe kolegët opozitarë ta kenë marrë dhe ta kenë kuptuar këtë mësim. Ne kemi kuptuar që e kemi pasur gabim, kur mendonim se durimi me këtë opozitë që kemi nuk i’a vlen, se në fund asgjë nuk ndryshon. Kemi gjykuar gabim, kur çdo sulm përtej kufijve etike të opozitës e kemi skualifikuar për shkak të shëmtisë së pajustifikueshme të formës, pa e analizuar sidoqoftë, arsyen burimore të sulmit”.

… Bashën
“Në një nga ditët e protestës së opozitës, e cila pararendi për disa muaj me radhë zgjedhjet, kryetari Basha doli në protestë bashkë me vajzën e tij të vogël. Nuk e risjell këtu atë episod për ta komentuar, aq më pak për ta gjykuar. Por sepse, në fund fare, qofshim në qetësi, a qofshim në konflikt, qofshim në të drejtë, a qofshim në gabim, gjithçka që ne bëjmë, lidhet me fëmijët tanë. E në këtë punën tonë, e cila është shumë më shumë sesa e jona, ne duhet të mos e harrojmë asnjëherë, se në çdo gjë që bëjmë keq, u bëjmë keq fëmijëve të gjithë Shqipërisë”.

… kanabisin 
“Mos të mendojë askush se po i bie vërdallë, duke pasur parasysh thjesht dekriminalizimin a kanabisin, të dyja tema të ngritura me shumë forcë nga Partia Demokratike; problematika reale padyshim, por që sipas meje u frynë, duke kaluar çdo cak e masë në veshët e në sytë e botës. 
Hiri i të vërtetës e do të thuhet sot, se opozita luajti një rol real, në shkundjen tonë karshi të dyja këtyre problematikave. Nëse sot, ne jemi në një ofensivë totale dhe me rezultate të paimagjinueshme kundër kanabisit, e kotë të mohohet se edhe opozita pati kontributin e saj”.

… Skënderbeun 
“Edhe vetë gjuha jonë sot, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, pak nga inercia e boshllëkut të shumë viteve tranzicioni ku shkolla e humbi misionin e funksionin e saj, pak nga çorodia vlerore e pjellë prej tranzicionit, e cila vazhdon sot e tërë ditën të na shfaqet në disa forma shqetësuese marrëzie, siç qe së fundmi ajo që përfshiu edhe vetë Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun! Njerëz që, për hir të të vërtetës, nuk mund të maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit, mbinë nga dheu nëpër ekrane, portale dhe ballina për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë tonë, historisë së të gjithë fëmijëve tanë”.

… emigrantët 
“Ju ftoj të gjithëve të mos humbasim më kohë, por të ulemi dhe ta bëjmë së bashku realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet politike të vitit 2021. Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht, nëse kjo nuk bëhet? Absolutisht, askush nuk fiton asgjë. Shqipëria po, humbet, humbet shumë më shumë se sa thjesht një pjesë votuesish në zgjedhjet parlamentare. Humbet lidhjen morale të bijve të vet me vendin amë”.

… Greqinë 
“Ne vazhdojmë të besojmë në devizën tonë, “Zero probleme me fqinjët” dhe do të intensifikojmë përpjekjet për të zgjidhur përmes strukturës tanimë të dakordësuar të dialogut problemet e mbartura me të vetmin fqinj sot që kemi probleme, Greqinë. Mesazhi im për fqinjin jugor është i thjeshtë dhe i qartë: Ne duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim strategjik. Për ne, çdo grek që jeton në Shqipëri është anëtar, apo anëtare me liri dhe me të drejta të barabarta i familjes sonë dhe minoriteti grek në tërësi, është një urë tejet e vyer lidhëse mes të dy vendeve dhe popujve tanë, urë për të cilën kujdesi i qeverisë dhe i shtetit shqiptar vetëm do të vijojë të rritet. Por, Shqipëria, pavarësisht halleve dhe nevojave të saj, nuk do të mbyllë asnjëherë as sytë, as gojën, në mbrojtje të të vërtetave dhe të drejtave të veta”.
Sigal