Programi i PD për arsimin/ Rritje pagash, investime dhe mbështetje për ekselentët

424
Sigal

Fondacioni për Liri dhe Demokraci në bashkëpunim me Konrad Adenauer, organizuan në qytetin e Shkodrës një dëgjesë me intelektualë e studiues mbi arsimin e të gjitha niveleve, fillor, të mesëm dhe atë të lartë. Në këtë dëgjesë dhjetëra pedagogë, profesionistë, ish-drejtues të drejtorive arsimore, drejtues të sindikatës së arsimit në Shkodër, shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me largimet pa kriter nga puna, pagat diskriminuese dhe promovimin e profesorëve të rinj jo profesionistë, por militantë partie.

Largimet masive nga puna të mësuesve në shkollat e mesme dhe fillore për shkaqe bindjesh politike ishte shqetësimi kryesor i ngritur prej tyre. Kryetari i Sindikatës së arsimtarëve në Shkodër theksoi se mësimdhënësit gjenden përballë një trysnie politike dhe presioni përsa i përket shkarkimeve nga puna. Një tjetër problematikë u parashtrua arsimi profesional ku sipas pedagogëve të Universitetit të Shkodrës rezulton të jetë dështim sepse kjo nuk është bërë në përputhje me nevojat e biznesit dhe në konsultim me ta. Nuk ekziston një studim i plotë i punësimit më pas të këtyre studentëve, ndaj propaganda e ushtruar nga Ministria e Arsimit ka rezultuar e dështuar.

“Bashkëpunimi me biznesin është kusht primar për arsimin profesional. Mësuesit ankohen për mësimdhënien në shkollat profesionale. Arsimi profesional duhet të shkojë ne koordinim me tregun e punës”, tha një pedagoge e Universitetit të Shkodrës. Në tryezë ishte i pranishëm edhe deputeti, njëkohësisht drejtuesi i Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Partinë Demokratike Luçiano Boçi.

Gjakmarrja dhe mospërfshirja e fëmijëve të ngujuar ne arsim, mbetet ende shqetësuese. Sipas deputetit të Partisë Demokratike Luçiano Boçi, Ministrja e Arsimit bëri show me disa fëmijë të ngujuar duke i ofruar një orë mësim në kushtet e shtëpisë, por këta fëmijë ata duan mësim te përditshëm, theksoi z. Boçi. Një pedagoge theksoi se konviktetet dhe hapja e shkollave në zona të thella është e domosdoshme, pasi ka ende familje të cilat kanë fëmijë dhe vuajnë mungesën në arsim dhe kujdesin e shtetit.

Boçi, teksa bëri prezantimin e programit për arsimin, theksoi se cilësia e saj është problematike. Sipas tij, duhen politika efikase për rritjen e cilësisë se arsimit ne Shqipëri. “Investimi për arsimin është ne nivele te mjerueshme, ne do te rrisim investimet për arsimin çdo vit. Do të rrisin burimet njerëzore ne arsim, ky është investimi i PD-së ne qeverisje. Rritja e pagave të mësuesve deri në 50% të mesatares se vendeve më të reja të BE. Kujtojmë se Partia Demokratike rriti pagat e arsimtareve deri në 700 mijë lekë. Ky është premtimi ynë, 700 dollarë deri ne 1500 dollarë për profesorët, në bazë të kualifikimit dhe performancës në punën kërkimore dhe shkencore. Do të mbështesim studentet ekselente. Rikthimi në Shqipëri i studentëve të cilët kanë studiuar jashtë master dhe doktoraturë, të marrin pozicionet e profesorit në Universitetet e Shqipërisë. Shtresat në nevojë, kanë domosdoshërinë dhe nëvojën primare për t’u përfshirë në arsimin e plotë. Mjetet mesimore për këtë kategori do të jenë falas”, tha Boçi.

Sipas tij mësuesi duhet të ketë status për të mbrojtur figurën dhe integritetin e tij. Kur PD të vijë në pushtet do të diskutohet në lidhje me krijimin e Urdhërit të Mësuesit, në bazë të ligjit e jo në baza politike. Përsa i përket mitmarrjes në arsim, z. Boçi theksoi se korrupsioni gëlon në universitete .Akademiku Kolec Topalli, i pranishëm në dëgjesë tha se arsimi në Shkodër ka traditë shekullore dhe është djep i kulturës shqiptare, dhe shkodranët janë të ndjeshëm përsa i përket problemeve në arsim.