Profesor Servet Pllumbi: Ja e vërteta e Projekt -Rezolutës “Për Çështjen Çame”

535
Sigal

PARLAMENTI/Zbardhet votimi i Projekt-Rezolutës “Për Çështjen Çame” . Procedurat që u ndoqën dhe botimi në Fletoren Zyrtare

Afrimi i datës së zgjedhjeve, lufta për zgjerimin e koalicioneve dhe mbi të gjitha premtimi i Shpëtim Idrizit se po nuk u miratua “Rezoluta për Çamërinë ‘do të japë dorëheqje ka bërë që jo vetëm të trazohen ujërat e premtimeve të pambajtura, por edhe të gjenden shtigje për të dalë nga mosmbajtja e fjalës së dhënë. Ish-deputeti socialist Shpëtim Idrizi pasi mori mandatin nga e majta ashtu si dhe  shumë “tradhtarë”të tjerë të së majtës u bashkuan kundër vullnetit me të djathtën, duke ulur se tepërmi imazhin e Komunitetit Çam.  Loja që nisi me Xhuvelin po përfundon në mënyrë të turpshme me Islamin, Dogjanin dhe Kadelin, të cilët u kthyen në shërbëtorë të zellshëm të pushtetit  duke shitur  në mënyrën më të turpshme votën e socialistëve. Nëse Dogjani  erdhi aksidentalisht në PS, Kadeli dhe sidomos Kastriot Islamit nuk i falet ky veprim i turpshëm prej ordineri. Vërtetë në politikë morali humbet, por jo pafundësisht. Por le t’i kthehemi zhurmës së djeshme që shkaktojë kamerdarja e qeverisë që u hodh në det të hapur si një  lëvozhgë për të shpëtuar nderin dhe postin e Shpëtim Idrizit. Sipas këtij të fundit, në bazë të procesverbaleve që ju vunë në dispozicion nga Kryetarja  e Parlamentit Jozefina Topalli, Kuvendi i Shqipërisë e paska miratuar Projekt-Rezolutën për Çështjen Çame që në kohën kur në pushtet ishin socialistët dhe se ky projekt paska fjetur në sirtarët e Kuvendit.  Dhe për këtë, Idrizi dhe demokratët akuzojnë ish-Kryetarin e Kuvendit Prof.Servet Pllumbin. Mirë socialistët e paskan fshehur po demokratët përse heshtën? Nëse Shpëtim Idrizit i qan vërtetë zemra për Çamërinë, përse nuk u kujtua gjatë viteve 2005-2009 kur ishte deputet i socialistëve. Ashtu sikurse i kërkoi zonjës Topalli dje të zbardhte Projektin për Rezolutën Çame, përse nuk ja kërkoi një gjë të tillë në mandatin e kaluar, ku po zonja Topalli ishte Kryetare e Kuvendit. Këto mashtrime, Shpëtimi mund tua bëjë gjithkujt, por jo Komunitetit Çam dhe shqiptarëve që e njohin mirë. Do ishte më e ndershme që Idrizi të deklaronte se, Partia Demokratike, të cilën ne si Komunitet Çam e zgjodhëm për koalicion, na gënjeu dhe na mbajti me shpresa . Ndiej përgjegjësi,-  të thoshte -jo për postin, por për popullin martir të Çamërisë, ndaj të cilëve shovinistët grekë kanë kryer gjenocidin më të madh dhe se Parlamenti shqiptar nuk ka kurajë ta pranojë, megjithëse, Ligji i Luftës është ende në fuqi.  Kreu i PDIU-së duhet t’u tregojë shqiptarëve se përse zonja Topalli, e pranishme në Kuvend ditën e votimit të Rezolutës Çame nuk votoi as Pro, as Kundra as Abstenoi, por përkundrazi nuk mori pjesë në këtë votim. Por si e shpjegon Ish-Kryetari i Kuvendit Prof.Servet Pëllumbi, votimin në Parlament të Projekt-Rezolutës në datën 8 prill 2004 ora 11 e 40 minuta.

Prof., si i shpjegoni akuzat ndaj Jush, se keni fshehur  votimin e bërë për Projekt-Rezolutën “për Çështjen Çame”?

Absolutisht, këto janë të pavërteta pasi nëse unë dhe sekretarja e Parlamentit do të kishim vepruar në mënyrë të tillë, duke fshehur Projekt-Rezolutën, atëherë si ka mundësi që ky dokument doli nga arkivat e Kuvendit pas kërkesës që u bë nga deputetët çamë. Pra, dokumentet janë të plota dhe të arkivuara sipas të gjitha rregullave që janë përcaktuar me ligj.

Prof. Pëllumbi, akuzat ndaj Jush si  ish-Kryetar Parlamenti (sipas deputetëve të djathtë dhe atyre çamë ) janë edhe për faktin se ju nuk e keni botuar në Fletoren Zyrtare votimin e Projekt-Rezolutës?

Atëherë le t’i referohemi procesverbalit që ka dalë sot nga Kuvendi. Rezoluta është depozituar më 26 Mars 2004 në Kuvend. Më seancën e datës 8 prill 2004 në orën 11:40 minuta dhe sekuencë (SEQ NO ) 2237  është  hedhur për votim në Kuvendin e Shqipërisë P/Rezoluta “Për Çështjen Çame”. Në  votim kanë marrë pjesë si të pranishëm në sallë 108 deputetë. Pra, kaq ishte numri i pranishëm në sallë. Pas votimit doli ky rezultat: Votuan  PRO rezolutës 53 deputetë, KUNDËR 4 deputetë (Karamelo, Dule, Goci dhe Tavo), ABSTENUAN 44 deputetë, ndërsa 7 deputetë nuk morën pjesë në votim: (Limoz Dizdari, Nazmi Bilani, Lek Çukaj, Ndre Legisi,Besnik Mustafaj, Jozefina Topalli dhe Ilir Zela). Pra, që kjo Projekt-Rezolutë të kishte vlera dhe të quhej e ligjshme duhej të paktën të votohej nga 50+ 1 deputetët e pranishëm në sallë. Dhe 50+ 1 deputetët e pranishëm nga 108 që merrnin pjesë i takonte të ishin 55 deputetë. Realisht, ky projekt u votua nga 53 deputetë dhe ky numër nuk përbënë shumën e përcaktuar për ta legjitimuar dhe për të marrë miratimin dhe më vonë botimin në Fletoren Zyrtare. Pra, ky ligj, nuk e mori dot shumicën e cilësuar.

Po përse atëherë, bëhet gjithë kjo zhurmë nga Kryesia e Kuvendit, e cila nxori dhe vuri në dispozicion të PDIU-së këto materiale?

E gjitha kjo është një lojë e ndyrë politike në batakun e së cilës kanë rënë fatkeqësisht edhe përfaqësuesit e PDIU-së. Nëse ata vërtetë kërkojnë drejtësi do të ishte në nderin e tyre t’i kërkonin në radhë të parë llogari zonjës Topalli, e cila jo vetëm që nuk votoi, por prania e saj në sallë rriti pragun, i cili u bë shkak për bllokimin e kësaj  Rezolute. Zonja Topalli nuk e ka votuar këtë ligj dhe për rrjedhojë ajo nuk ka të drejtë morale të hiqet sot kaq e zellshme me PDIU-në. Përse nuk u kujtua PD-ja dhe zonja Topalli 8 vjet për këtë Projekt-Rezolutë, por u kujtua tani në fund para zgjedhjeve. E meqë jemi këtu. Në dorë e kanë përsëri të djathtët, le ta fusin në rend të ditës dhe ta votojnë. Kush i pengon për ta bërë një gjë të tillë?  E pra, kjo nuk është gjë tjetër veçse një demagogji e ulët dhe e pamoralshme.

Por  sa e rëndësishme është miratimi i një rezolute të tillë Profesor?

Rëndësia e miratimit të këtyre rezolutave është e karakterit SENSIBILIZUES. Pra, nëpërmjet tyre, tërhiqet vëmendja për një veprim të ndodhur dhe se këto rezoluta nuk janë të karakterit detyrues për qeveritë e vendeve respektive. Mjaftojmë të kujtojmë rezolutat e Parlamenti Europian, ato të OKB-së etj.. Personalisht  mendoj dhe gjykoj se Çështja Çame duhet të ndjekë rrugën e propozuar nga Kreu i socialistëve, Edi Rama duke e ngritur këtë çështje në nivel të lartë politik ndërshtetëror.

Faleminderit Profesor!

I pyetur nga gazeta “Telegraf”, një nga deputetët dhe  specialistet e së drejtës, pjesëmarrës në komisionin  e ligjeve në Parlamentin e viteve 2001 -2005,  shpjegon se kjo është një lojë e pisët që po bëhet me çamët. Sikur të mos mjaftonin krimet greke dhe harresa gjatë kohës së monizmit, një tjetër fyerje po i bëhet këtij komuniteti. Trajtimi si abuzim me mosbotimin në Fletoren Zyrtare të një Projekt -Rezolute që nuk është miratuar sot, është nul, pasi amnistitë e bëra nga vetë Parlamenti këto 8 vjet dhe Presidenti i Republikës e kanë amnistuar si vepër. Ndaj, nëse duan aty e kanë dhe le ta miratojnë. Shpëtim  Idrizi përveç dështimit që mori nga premtimi i qeverisë, të mos bëjë gabimin e dytë, atë lojës së ndyrë me qeverinë për karrigen e tij.

Kryetari Idrizi në Komisionin e Jashtëm: “Na duhet një tekst konsensual i Rezolutës për zgjidhjen e Çështjes Çame” 

Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, Kryetari i PDIU-së, zoti Shpëtim Idrizi shprehu dhe njëherë nevojën e miratimit të një dokumenti konsensual për zgjidhjen e Çështjes Çame. Ai e vlerësoi projektin alternativ të propozuar nga kreu i PS-së, por kërkoi që teksti përfundimtar të ishte rezultat i kontributit  të të gjithë partive. Për çudinë e të gjithëve, kryetari i Komisionit të jashtëm, zoti Fatos Beja paraqiti si të miratuar tekstin e një Rezolute, që Kuvendi e kishte marrë në shqyrtim në 8 prill 2004. Bëhet fjalë për atë tekst për miratimin e të cilit Shoqata Çamëria kishte organizuar një protestë, e cila përfundoi në mënyrë të dhunshme nga forcat e policisë. Sipas zotit Beja, ky tekst, i cili kurrë nuk u bë publik në Fletoren Zyrtare, gjendej në arkivin e Kuvendit. Duke replikuar në lidhje me këtë fakt të ri, zoti Idrizi shprehu habinë, sesi një dokument kaq i rëndësishëm, të mund të fshihej dhe të mos botohej në Fletoren Zyrtare. Ai kërkoi që Kryesia e Parlamentit të shprehej në mënyrë përfundimtare në lidhje me vlerën zyrtare të tekstit, dhe që ai tekst të shërbente dhe sot si bazë për veprimin diplomatik të qeverisë në zgjidhjen e Çështjes Çame. «Kanë kaluar 9 vjet prej atëherë, -tha zoti Idrizi- dhe asgjë nuk është për bërë zgjidhjen e saj. Në këto kushte,  Parlamentit i duhet të shprehet dhe njëherë në lidhje me zgjidhjen e Çështjes Çame. Parlamenti duhet ta imponojë qeverinë ta trajtojë këtë çështje si duhet në takimet diplomatike. E kuptoj rëndësinë e Traktatit të Miqësisë, por ai Traktat ka funksionuar vetëm për grekët, për varrezat e ushtarëve të tyre, për pronat e minoritarëve, etj., dhe asgjë s’është bërë për ne shqiptarët. Në të gjithë rastet ne kërkojmë shfuqizimin e Ligjit të Luftës », përfundoi ai. Dy deputetët Idrizi dhe Tahiri i dërguan një shkresë Kryesisë së Parlamentit, ku i kërkojnë të shprehet zyrtarisht dhe pa vonesë në lidhje me miratimin ose jo të Rezolutës në 8 prill 2004, dhe t’i japë asaj Rezolute fuqi të plotë ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare

Kryetari i Komisionit Beja: “Ka një rezolutë të miratuar në 8 prill 2004”.

Idrizi: “Ky është skandal. Kryetarja e Parlamentit të shprehet nëse ajo rezolutë ka fuqi të plotë ligjore apo jo dhe ta botojë në Fletoren Zyrtare.

Në këto 9 vjet pas diskutimit të atij teksti, asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e Çështjes Çame!».

Kryetari i “Lëvizjes Çame”: “ Klasa politike sillet në mënyrë makabre me Çështjen Çame”

Flet për “Telegraf”, Artur Dojaka, Kryetari i “Lëvizjes Çame”,

– Sipas jush, a është miratuar Rezoluta Çame në 2004-n?
– E vërteta është që klasa politike shqiptare po sillet me mënyrën më makabre me Çështjen Çame. Dhe këtu përfshin edhe 2 deputetët e PDIU-së, Idrizi e Tahiri, për të cilën këta do të përgjigjen para Komunitetit Çam.

– Po për akuzën që PD-ja i bën Kryetarit të Kuvendit të 2004-s, që ajo Rezolutë është miratuar nga ai Kuvend, por kryetari e ka fshehur miratimin?
– Ne si çam kemi një merak dhe nevojë tonin, që është të miratohet një Rezolutë Çame, që është guri i themelit dhe nuk jemi gurë shahu, që të zgjidhin partitë politike problemet që kanë, kushdo qofshin këto.

– Si e vlerësoni iniciativën e PS-së, që ka publikuar një draft të vetën për Rezolutë Çame, të ndarë nga Rezoluta që ka paraqitur PDIU-ja?
– Ne mbështetim çdo iniciativë për Çështjen Çame, nga çdo lloj parti politike, të cilët ndikojnë në zgjidhjen e kësaj çështje.

– Mos vallë ky qëndrim i PS-së është një truk elektoral, derisa e shpall në këtë fushatë, e jo më përpara?
– Vlerësojmë politikën e PS-së që thotë se Çështja Çame duhet të kthehet në një çështje politike.