Prof. Zamira Çavo: Rilindja duhet të heqë dorë nga “selfiet” e dukjet dhe t’i shtrohet punës

110

Analistja Prof. Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar fenomenit “CIPRAS”,  pohon se  me masat e para që ndërmori qeveria e tij, “ ato ndihmojnë vetëm përkohësisht ndryshim e gjendjes dhe nuk gjenerojnë më tej zhvillim”, por duke i bërë analogjinë së majtës shqiptare, pohon që qeveria duhet të bëjë më shumë politikë sociale. Por, analistja Çavo, shpreh rezervat se rruga që ka zgjedhur deri tani “Rilindja” nuk është ajo e drejta, ndaj  “Rilindja duhet të heqë dorë nga “selfiet” e dukjet dhe t’i shtrohet punës”.

  Prof. Çavo, ardhja në pushtet e një partie radikale të majtë në Greqi, mendoni se do të sjellë përmbysje të statuskuosë politike të Europës? Ku deri tani qeverisnin për 70 vjet, 2 parti tradicionale, e djathta dhe e majta socialdemokrate.

– Në mendimin tim, fitorja e të majtës radikale në Greqi dëshmon qartazi dy probleme: E para, ka të bëjë me situatën e turbullt dhe krizën e thellë të Greqisë, krizë që po e mban mbi shpatulla populli grek. Elita politike greke, pavarësisht krahëve të saj, e ka përdorur politikën si mjetin e demagogjisë për përfitime shtresore, klasore e individuale. E dyta, ka të bëjë me tendencën që duket sot kudo në botën e zhvilluar, për të ndryshuar politikat e ekonomike, në favor të një rishpërndarje më të mirë të pasurive. Pra, e thënë më ndryshe do të ishte: Greqia, po jo vetëm ajo, barrën e krizës e ka shkarkuar mbi popullin. Masat shtrënguese nuk mund të shkojnë dot gjatë, ndaj dhe dënimi vjen shpejt. Pyetja mund të ishte pse e majta radikale dhe jo e djathta radikale? Sepse të dyja forcat mbështesin një farë pavarësie nga masat shtrënguese të diktuara edhe nga Europa. Arsyeja është se: Bota sot, edhe pse në qëndrime jo fort të qarta politike, kërkon të ri gjejë rrugë të reja për t’ju shmangur krizave të pashmangshme të kapitalizmit dhe të tentojë drejt një ngushtimi të pabarazisë, që gjithnjë e më shumë po shkon drejt ekstremit. Nuk është fort e “përtypshme” që një pakicë e vogël njerëzish të zotërojnë pjesën më të madhe të pasurive të botës! Ndaj zgjedhjet në Greqi janë padyshim një  dukuri që meriton të vlerësohet seriozisht.

-Hapat e para të kryeministrit Cipras janë: Rishikimi i marrëveshjeve Greqi-Trojka, ndalimi i privatizimi te korporatës energjetike ndalimi i shkurtimeve të pensioneve, i parashikuar nga ish-qeveria, ndalimi i largimit të nëpunësve dhe ri dhënia e dhuratës për vit të ri. Çfarë domethënie politike kanë në analogji kjo edhe me politikat që ndoqi PS-ja, edhe pse erdhi me premtimet e Rilindjes?

Zakonisht masa të tilla janë pjesë e programeve të së majtës ekstreme. Personalisht, do uroja që Cipras t’ia dilte. Por përvoja botërore ka dëshmuar se masa të tilla ndihmojnë vetëm përkohësisht ndryshim e gjendjes dhe nuk gjenerojnë më tej zhvillim. Në një botë globale, askush, as dhe Cirpas, nuk mund të jetë i lirë të bëjë atë çka dëshiron. Koha do na tregojë. Sa për PS-në,  besoj se ajo nuk është në spektrin e fundit të së majtës, përkundrazi është një parti socialiste me afër qendrës së majtë, ndaj dhe programi i saj nuk mund të krahasohet me programet e ekstremit te majtë. Megjithatë, disa parime të së majtës duhen dalluar e që kanë të bëjnë me politikat sociale në favor të shumicës. E majta ka një moto: Botë pa të varfër dhe jo botë pa të pasur!

Flitet shumë për reformë në drejtësi, duke theksuar ndryshimin në legjislacion. Por, pa veprime konkrete, pa çuar në gjyq zyrtarët e lartë të korruptuar, a mund të ketë reformë në drejtësi të besueshme?

– Drejtësia është problem që duhej vënë në rrugën e zgjidhjes, që nga dita e pare kur maxhoranca hyri në parlament. Është vonë, dhe sa më shumë vonohet në reforma, aq më shumë i kthehet bumerang ndaj vetë shtetit. Me një drejtësi kaq të korruptuar, zor se do shikojmë zyrtarë që dalin para drejtësisë.

Sa substancë kanë akuzat e kundër akuzat maxhorancë-opozitë, se krimi ka kapur shtetin?

– Më mirë të mos flasim farë për këto akuza e kundërakuza. Sinqerisht, më duket se sa herë flet Berisha, aq herë tenton krizë dhe rrëmujë, pasi vetëm kështu ai mbetet faktor. Ai ushqehet me trazirën, sepse është realisht lider i saj. Opozita e sotme nuk ka moralin më të vogël të akuzojë për kriminalizim qeverinë, sepse vetë, sa ishte në pushtet, kriminalizoi gjithë vendin. Por, fatkeqësisht, kjo situatë e favorizon qeverinë dhe e bën më pak të ndjeshme ndaj kritikave reale të opozitarizmit në Shqipëri. Në mendimin tim çdo selektim në zbatimin e ligjit, është shfaqje korruptive, po kështu është edhe mbushja e administratës me njerëz pa përvojë dhe jo rrallë edhe pa arsimin e duhur.

Rastësore dhe pa përgjegjësi politike (pa thënë drejtpërdrejtë për lidhje me politikën) janë zbulimi i laboratorit të kokainës në Elbasan dhe majori i FA në trafikun ndërkombëtar të drogës?

– Jo. Unë them se në 24 vjet në këtë vendin tonë kushedi se çfarë ka “lulëzuar” në favor të krimit. Por unë them se shteti ynë vuan nga copëzimi. Si ka mundësi që shërbimet informative, qoftë kombëtare, qoftë sektoriale nuk punojnë? Pse duhen? Rilindja duhet të heq dorë nga “selfiet” e dukjet dhe t’i shtrohet punës, sepse edhe pak, e askush nuk do ta justifikojë me këtë mënyrë qeverisje.

– Përse edhe e majta, në emër të reformave të saj, kërkon të përmbysë gjithë çfarë është ngritur deri dje nga qeveria e kaluar, dhe nuk respekton vazhdueshmërinë e shtetit?

– Mungesa e qëndrueshmërisë është e keqja e këtij vendi. Është psikologjia primitive ballkanotomane e lidershipit shqiptar, sipas së cilës historia fillon me mua. Duhen detyrimisht të ruhet vazhdimësia. Natyrisht, duke larguar pjesët e kalbura. Sa për administratën publike, mendoj se sjellja e lidershipit, si ajo që përmenda më sipër, reflektohet pikërisht në këtë administratë: Qeveria sillet si pronar i shtetit ndaj dhe punësimin në të e konsideron domen të fuqisë së vet!

A janë reforma të vlerësimit të meritokracisë këto lloj testimesh që pretendon të bëjë qeveria në arsim e në shëndetësi, por edhe ne struktura të tjera të administratës publike?

– Kam qenë dhe jam kundër kësaj testomanie, që mendohet se do na garantojnë meritokracinë. Jam kundër, tërësisht, në formë dhe në përmbajtje. Duhen standarde në vlerësim për të hyrë në sistem, por nuk mundet një grup administratorësh (dhe personalisht vë në dyshim edhe profesionalizmin e tyre) të mund të marrë në testim grupet e mëdha të punonjësve në sektorë të ndryshëm.

Rilindja nuk e ka në agjendën e saj rikthimin e besimit të qytetarëve te shteti

– Pas 17 muajsh qeverisjeje të së majtës, a mund të themi që zbatohet politikë e majtë?

– Është shumë e vështirë, sepse realiteti shqiptar ka disa veçori: për 24 vjet në Shqipëri, elita politike ka shkatërruar gjithçka; ekonominë, arsimin, shëndetësinë, financën e mbi të gjitha kanë shkatërruar shtetin. Kjo elitë është varrmihësja e Shqipërisë dhe do duhet detyrimisht të japë një ditë llogari. Jam e bindur për këtë. Sa për “Rilindjen”, mendoj se e ndodhur përballë një gjendje të tillë, po përpiqet të ndërtojë funksionimin normal të institucioneve. Vullneti është, por rruga që ka zgjedhur nuk më duket fort e drejtë. Mbi të gjitha “Rilindja” duhet të kthejë besimin e qytetarëve ndaj shtetit. Pikërisht, këtë kam frikë se nuk e ka në “agjendë”. Besimi i qytetarëve rikthehet nëse shteti e tregon me vepra që është për qytetarët, që funksionon si një i vetëm, se institucionet nuk ia hedhin fajin njëri-tjetrit për gjendjen. Besimi rikthehet nëse qytetari shikon te institucionet e shtetit njerëz të përkushtuar, profesionistë që dinë si të veprojnë dhe ndihmojnë qytetarin. Fatkeqësisht, nuk është kështu. Ne jemi një vend i varfër, por kemi mjaftueshëm resurse për zhvillim. Rilindja duhet të mbështeste veprimtarinë e saj, duke pasur parasysh pikërisht këta dy faktorë.

A mund të kultivojë qeveria edukatën, apo detyrimin, e respektimit të ligjit me ashpërsimin e Kodit Penal, ku edhe pamundësia për të paguar detyrime financiare nga qytetarët ndaj OSHEE të cilësohet vepër penale?

– Të jemi të qartë: Të zbatosh Ligjin është detyrim. Pra askush nuk duhet të sillet mospërfillës ndaj tij. Kjo është e para. Tjetra ka të bëjë me masën e popullsisë, që nuk ka mundësi financiare. Kam qenë dhe jam pro politikave të mbështetjes së kësaj shtrese. Sigurisht, nuk besoj se edukata vendoset me dhunë, ndaj dhe masa ndërmjetëse sigurisht që duhet të ketë. Nga ana tjetër, lidershipi ynë politik për 24 vjet e ka mësuar shoqërinë që ligji në Shqipëri zbatohet me fushatat dhe kur vjen akti final i zgjedhjeve arrihet “amnistia”,  pra falja e atyre që nuk kanë zbatuar ligjin. Kjo duhet të marrë fund!

 – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA