Prof. Tritan Kalo/ Shfaqja politike-diplomatike me Reformën në Drejtësi

540
“The Day after”…Shumëkujt prej nesh i kujtohet ky film mbresëlënës…Publiku i gjerë shqiptar dhe jo vetëm, pret me shumë makth se çfarë do të ndodhë pas votimit të shumëpritur të “Reformës në Drejtësi” më 21 Korrik…Ja që në atë ditë do të ndodhë më e zakonshmja që duhet të ndodhë, u aprovuan ligjet për kryerjen e kësaj reforme e disa ndryshime kushtetuese të domosdoshme për zbatimin e saj, po më pas, “The day after” çfarë do të ndodhë?…Këta gjyqtarë dhe prokurorë shumë të korruptuar dhe aspak të aftë, këta “plepista” apo “partiakë të pashembullt” kush do t’i zëvendësojë? Bijat, mbesat apo kushërirat e tyre tashmë me diplomën e siguruar të Juridikut në xhep, apo juristët e diplomuar, masteruar, doktoruar apo profesoruar me shumicë në dyert e universiteteve tashmë të mbyllura?…

Kjo klasë politike që i bëri “glasën” zhvillimeve normale “demon-kratike” në vendin tonë, do të vijojë të ligjërojë si “kokoshi në majë të plehut”, apo do të shpërndajë plehun në arat e ekonomive ndihmëse të institucioneve të riedukimit ku ata do të shlyejnë dënimet e merituara?…A do t’u merren gjithçka që kanë përftuar me vjedhje, grabitje, korrupsion, mitmarrje, presione, koncesione, tendera etj., apo ata do vijojnë padrejtësisht të gëzojnë ato çka nuk u takojnë t’i kenë e të kërkojnë dëmshpërblime, për shqetësimet “psikologjike” që do t’u shkaktohen nga zbatimi i kësaj reforme?…Po ato dhjetëra e dhjetëra miliona dollarë, euro, stërlina, franga zvicerane të vendosura në bankat e Zvicrës, Luksemburgut, Qipros, Anglisë, Gjermanisë, Francës, Amerikës, Kanadasë etj., a do t’i rikthehen popullit dhe ekonomisë “brekëgrisur” shqiptare?! Po ata mijëra e mijëra pronarë, që mbetën dyerve të gjyqeve sa në Tiranë po aq në Strasburg, do ta kenë më së fundmi kënaqësinë të kenë edhe ata një strehëz, aty ku shumë “ardhanako-pushtues” nën flamurin e “tokës së xanum”, kanë ngritur vila pa fund?!

 Askush nga politikanët tanë nuk jep edhe shpjegimin më të vogël, se si dhe brenda çfarë afatesh kohore do të kryhet kjo reformë, dhe në çfarë thellësie do të bëhet “qilizma” e tokës moçalore ku lëvizin ende të pashqetësuara “larvat e nginjura me gjakun, djersën dhe paratë tona”???…Si qytetar, si prind, si profesionist, si ndjekës i vëmendshëm dhe jo duarkryq i zhvillimeve soci-ekonomo-politike të vendit tim, unë kam shumë hezitime, paqartësi, mos-siguri e pak optimizëm, për “shoën politiko-diplomatik” me emrin “Reformë në Drejtësi”, jo se nuk jam optimist nga natyra, por eksperiencat e këtyre 25 viteve të fundit na kanë sjellë shumë zhgënjime dhe shumë pak rezultate shpresëdhënëse, në demokratizimin e shoqërisë sonë të asfiksuar nga “paudhësitë e pafundme” të politi-qenëve tanë, të të gjitha niveleve dhe hallkave të të tre pushteteve: Legjislative, Ekzekutive dhe Gjyqësore!
Sigal