Prof. Shezai Rokaj:“Kërkohet politikë për qytetarët dhe integrimin”

541
Sigal

INTERVISTA/ Prof. Shezai Rokaj, Kryetari i LSI-së, për Tiranën: “Kemi kohë për reformat e integrimit, qytetarëve nuk u interesojnë sherrnajat e PD-PS”

Të hënën vjen në Tiranë, komisionieri për zgjedhimin e BE-së, Stefal Fule, si një apel i fundit për të bindur palët politike të arrijnë në një konsensus politik për të votuar 3 ligjet e prioritetit, të statusit kandidat i BE-së. Kryetari i LSI-së, për Tiranën, Prof. Shezai Rrokaj, në intervistën për “Telegraf”, argumenton se, kemi ende kohë politike që të votojmë 3 ligjet e integritetit. Por, nga ana tjetër, Prof.Rrokaj shtron domosdoshmërinë që kërkohet politikë për interesa të qytetarëve dhe jo politikë për të ushqyer egoizmat e liderëve të partive.

– Zoti Rrokaj, si përgatitet LSI-ja për 23 Qershorin në përgjithësi dhe Tiranën, ku ju kryesoni?

– Për dy vjet ka patur një proces zgjedhor brenda vetëLSI-së, me zgjedhjen e të gjitha forumeve tëLSI-së, LGI-së dhe LRI-së. LSI-ja është përpjekur që gjatë mandatit qeverisës të përqendrohet më shumë në ato që ajo ka prioritetet e saj qeverisëse, duke kuptuar këtu edhe peshën specifike që ka në këtë qeverisje. Ka edhe interpretime për qeverisjen, duke thënë, që “LSI-ja, po të donte, të bënte atë, apo të bënte këtë”. Puna përgatitore e LSI-së vazhdon që të shtrijë strukturat e saj politike në çdo cep të territorit  politik. Ne kemi mendimin se Shqipëria nuk duhet të mbytet që tani në ethet elektorale, duke harruar prioritetet që lidhen me reformat. Politika e vetë Kryetarit tëLSI-së është që politika të mos futet në klimën konfliktuale, nuk duhet të kthehet në një politikë boshe, sepse kjo dëmton vetë interesat e qytetarëve. Ne kemi ende kohë politike që të miratojmë 3 ligjet e integrimit dhe kemi ende kohë që të ndërmarrim reforma të dobishme në interes të qytetarëve, sepse këtyre nuk u interesojnë sherrnajat e PD-së dhe PS-së.LSIpo sintetizon nga bashkëbisedimi me qytetarët, idetë, se si Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit e të integrimit.

– Cila është veçantia në Tiranë, në të cilën ju drejtoni?

–  Jemi duke punuar me strukturat bazë, në terren dhe njëkohësisht, në 18 mars, ne të shkojmë në Konventën e Tiranës. Ne kemi ambicien që të dyfishojmë votuesit eLSI-së.LSI-ja i ka të gjitha potencialet dhe resurset politike, për të ndryshuar në interes të qytetarëve politikën.

– Profesor, si do ta vlerësonit bashkëqeverisjen PD-LSI?

– Unë do ta vlerësoj të suksesshme bashkëqeverisjen , sepse garantori qëndrueshmërinë e institucioneve. Vendi nuk u rrokullis në rrëpirën e zgjedhjeve të përkohshme, për shkak të mosrealizimit të koalicioneve. E shpëtoi Shqipërinë nga një krizë institucionale. E dyta, liberalizimi i vizave. Gjithashtu, arritje do ta quaja edhe përmirësimin e dukshëm të infrastrukturës rrugore, si edhe arritjet e rëndësishme në energjinë e rinovueshme. Megjithë problemet e krizës, ne ruajtëm rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë, në dallim nga shumë vende të rajonit. Ka patur rritje pagash e pensionesh dhe ka patur një stabilitet të papunësisë. Ka rritje të turizmit, falë reformave që bëhen në ndihmesë të zhvillimit të tij. Jemi më të artikuluar për çështjen kombëtare sot.

– Çfarë nuk janë arritur në këtë maxhorancë?

– Natyrisht, që ne prisnim të realizoheshin edhe reforma të tjera, që do t’i bashkonin shqiptarët me Familjen Europiane, por një pjesë e detyrimeve janë edhe të maxhorancës, edhe të opozitës. Të kishim një politikë më stimuluese për biznesin, sidomos për biznesin e vogël dhe do të duhej që të ndiqeshin politika më sociale për disa shtresa më në nevojë. Ne kemi kërkuar nga qeveria që të investohet më shumë në arsimin profesional.

Cili kriter mund të diktojë te LSI domosdoshmërinë për bashkëpunim, sidomos paszgjedhor, derisa në 2009-, ishte integriteti i domosdoshmëria për aleancë PD-LSI?

– Prioriteti bazë që kemi është integrimi. Integrim, nuk do të thotë thjesht marrja e statusit kandidat, por do të thotë integrim të plotë, si anëtar i BE-së, sepse kjo përbën boshtin kryesor të LSI-së. E dyta, do të lidhet me stabiliteti ekonomik. Dhe e treta, do të jetë punësimi.

LSI-ja çfarë qëndrimi  do të mbajë ndaj politikës ndaj taksës së sheshtë e taksës progresive?

– Në kushtet e Shqipërisë ngjajnë më shumë një model teorik, sesa një realitet, sepse  çështja e taksave do të trajtohet rangje teknikësh, të cilët do të përcaktojnë më qartë se për çfarë ka nevojë Shqipëria. Për një taksë të sheshtë  zhvillimi, që krijon punësim, apo për një taksë proporcionale, e cila mund të krijojë eventualisht mungesë zhvillimi, nga e cila vuajti më parë.

– PD-ja dhe PS-ja, veçmas, kanë premtuar se, fitorja më 23 Qershor, do të thotë integrimi (automatikisht) në BE. Është një premtim elektoral, apo realizëm?

– Është premtim elektoral. Ajo që i duhet politikës sot, është të tregojë emancipimin e saj, të dëftojë që është e denjë për qytetarët e saj. Politika në shumë raste tregon që është shumë mbrapa vizionit të qytetarëve dhe shpeshherë degradon në militantizëm. Politika duhet të jetë e thjeshtë, e kapshme, e hapur, e drejtë. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten gjithnjë të fundit në integrim.

Duhet të shqetësohemi, nga acarimi i konfliktualitetit edhe në KQZ, për ecurinë normale të procesit zgjedhor?

Ky është rezultat i imazhit që japin dy partitë kryesore. Politikat duhet t’i largohen KQZ-së, që kjo të ushtrojë të gjitha kompetencat që i ngarkon ligji. KQZ-ja nuk e ka detyrimin ndaj partive, por detyrimin e ka ndaj ligjit dhe qytetarëve. Sa më shumë t’i largohet trysnia politike KQZ-së, kaq më mirë, kaq më pastër do të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri.

– Fushata elektorale ka filluar, lista ende nuk publikohen. Përse votuesit  detyrohen  të votojnë, në përgjithësi për liderin partiak dhe  jo të zgjedhin përfaqësuesit e tyre?

–  Partitë politike në Shqipëri janë të organizuara rreth liderit. Derisa hartimi i kandidaturave është në varësi të liderit, derisa lideri përfaqëson imazhin politik të një partie, natyrisht, roli i liderit është përfaqësues i vetë partisë. P.sh, Kryetari iLSI-së, Ilir Meta, nuk përfaqëson vetëm mendimet e tij të shprehura, por mbart edhe vendimet e mara nga strukturat partiake. Fushata elektorale, e bazuar mbi imazhin e liderit, ka pjesën e saj të vërtetë, por nuk duhet t’i tejkalojë ato që quhen parime të drejtimi, si njeri i vetëm, apo të drejtimit kolegjial. Këtë udhëheqje të liderit, sot, më shumë, e stimulon edhe vetë sistemi zgjedhor. Kandidatët nuk lidhen me një zonë të përcaktuar, mund të lidhen, në përgjithësi, me qarkun.

– Përse LSI-ja nuk bën risi, të publikojë listat, qysh herët,  përse listat ende qëndrojnë në sirtarin e liderit, e nuk i ofrohet elektoratit mundësia përzgjedhëse për përfaqësuesit?

-LSI-ja, nëpërmjet veprimeve të saj, i është përgjigjur pozitivisht edhe pyetjes tuaj. Por në bazë, krijohet konfiguracioni i përfaqësuesve. Janë orientuar e përcaktuar njerëzit nëpër qarqe dhe ata punojnë.

– Veçse kandidatët nuk dihen publikisht.

– Nuk i di elektorati i lirë, por anëtarët e simpatizantët eLSI-së, i dinë tashmë, cilët kandidatë kanë për qarkun e tyre. Mund ta bëjë, që të publikohet paraprakisht edhe lista e kandidatëve, që në fillim, por nuk është shumë e lehtë edhe për lidershipin përzgjedhja e kandidaturave, në funksion të rezultatit që partia kërkon të arrijë.

Integrimi, pengu i politikës

Ju pajtoheni me kritikën që integrimi është peng i politikave që kanë në plan të parë mbajtjen/marrjen e pushtetit?

Politika e PD-PS të jep bindjen se ato mendojnë më shumë për vetveten, se sa për qytetarët. Në thelb, PD-PS nuk e kanë problemin me Shqipërinë dhe shqiptarët. Liderët më shumë mendojnë se kush (nga ata) do të jetë Njëshi, për egoizmin e vet, e jo për të qeverisur Shqipërinë. E shikojmë këtë te politika konfliktuale dhe boshe. Sot shikojmë që politika është lëshuar në një linçim familjar. Duke i përfshirë në strukturat europiane, politika do të gabojë edhe më pak. Po të jetë pretendimi i opozitës se, “në 3 ligjet nuk i votojmë se duhet të bëhemi më të mirë”, kjo është e gabuar, kështu përkeqësohemi më shumë.

 – Faleminderit!