Prof. Servet PËLLUMBI/ Aktualiteti i filozofisë politike mbi kombin

646
Sigal

Retorikat nacionaliste në gojën e krerëve të shtetit dhe lidhja e bashkëveprimi midis koncepteve “shoqëri”, “shtet”, “popull” dhe “komb”

Retorikat nacionaliste në gojën e krerëve të shtetit, ndër të tjera dëshmuan për paqartësi ekstreme në kuptimin dhe përdorimin e koncepteve “vullnet i përgjithshëm i qytetarëve”, “interesa të përgjithshme të qytetarëve”, prej nga rrjedh nevoja e qartësisë edhe rreth koncepteve “shoqëri”, “shtet”, “popull” dhe “komb”. Po përpiqem të jap mendimin tim rreth lidhjes dhe bashkëveprimit midis këtyre koncepteve, gjë që mund të lehtësojë sado pak kuptimin e problemeve që kanë lindur, ndër të tjera edhe nga mosnjohja, apo dhe më keq, nga abuzime në përdorimin e tyre. Kështu me konceptin popull, duhet të kuptohet një bashkësi njerëzish që përbëjnë një njësi jetësore të qëndrueshme, që rrjedh nga nevoja për të qenë pjesë e një sistemi të pavarur juridik. Në këtë rast, lidhjet juridike janë ato që shprehin dhe realizojnë stabilitetin dhe sigurinë, që ua ndjejnë nevojën si individi i veçantë ashtu dhe një bashkësi njerëzish. Kurse shteti bashkon formimet e ndryshme etnike në bashkësi politiko- juridike dhe falë universalizmit që shpreh dhe normave juridike mbi të cilat mbështet veprimtarinë e vet, arrin të mbrojë interesat dhe të drejtat e qytetarit pavarësisht nga përkatësia sociale, nacionale, racore, fetare etj. Shteti detyrimisht përfshin në vetvete edhe idenë e sovranitetit shtetëror, ide e përpunuar që në periudhën e formimit të shtetit-komb nga Zh. Boden, që sintetizoi në të kuptimin që shteti është pushteti sovran mbi të gjithë qytetarët dhe mbi gjithçka që i përket atij. Prej këtej rrjedh në mënyrë logjike se shteti formohet e bëhet legjitim atëherë kur anëtarët e bashkësisë, që jetojnë në një territor të caktuar, bashkohen nën një pushtet politik, pra nën sovranitetin e tij. Njëherësh, shteti duke qenë subjekt i së drejtës dhe i universalitetit bazohet mbi pandashmërinë e territorit, paprekshmërinë e kufijve territorial dhe ndalimin e ndërhyrjes në punët e brendshme të tij. Realisht, tipare të tilla mund të vlerësohen edhe si kritere për të dalluar organizimin politik shtetëror nga format parashtetërore të organizimit. Jo rastësisht është ruajtur në thelb që nga koha e Aristotelit kuptimi i konceptit “politikë”, që për këtë filozof të shquar do të thoshte “shtet”, “drejtim i shumicës”. Koncepti komb, përkundrazi, shpreh një stad tjetër zhvillimi që kalon përmes kapërcimit dhe nënshtrimit të lidhjeve fisnore, arkaike, patriarkale etj., për të arritur në formimin në një territor të caktuar të bashkësive njerëzore të qëndrueshme, me gjuhë, kulturë, psikologji e tradita të përbashkëta, por që jo gjithmonë përputhen me lidhjet shtetërore apo politike. E megjithatë, sipas Xh. Mill, “fati i përbashkët politik, historia dhe kujtesa e përbashkët e bazuar në këtë, kanë rëndësi të veçantë për kuptimin e kombit” (Xh. S. Mill, Predstavitelnoe pravlenie, SPb, 1907, s. 275). Kuptohet, kombi duke qenë forma etnike më e lartë mundi të formohej si i tillë kryesisht gjatë shekujve XVIII- XX-të, kur industrializimi kapitalist u dha vlerë proceseve përbashkuese dhe ndodhi formimi i vrullshëm i kombeve dhe kombësive. Kjo është koha kur shqiptarët për vetë rrethanat historike dhe qenien për 500 vjet nën Perandorinë Osmane u vonuan në “sofrën” e krijimit të kombeve dhe u “qëlloi” ta realizonin një objektiv të tillë në vitin 1912, në situata të vështira të Krizës Lindore, të luftërave ballkanike, të përgatitjeve dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në kohën e rënies së perandorive dhe të krijimit të vrullshëm të kombeve lindi një larmi e pafund teorish për kombin dhe çështjen kombëtare, prej të cilave më me interes për rastin tonë do të quaja ato që janë për sintetizimin në konceptin komb, si të karakteristikave të përgjithshme socio-kulturore e psikologjike, ashtu dhe të atyre historiko-politike. Prej këtej, rrjedh se kombi nuk është dhe nuk duhet parë vetëm si një kategori etnografike apo vetëm kulturore. Në këtë rrafsh, tërheq vëmendjen fakti që studiues të ndryshëm vënë në dukje se nuk është kombi që krijon historinë, por historia krijon kombin dhe si shembull tipik sjellin rastin e kombit francez, i krijuar në shek. XI dhe atij anglez i formuar në shek. XIV, pra, pas disa shekujsh të jetës së përbashkët shtetërore të francezëve dhe anglezëve. Gjithsesi, në një formë apo në një tjetër edhe pse qenia e një shteti të përbashkët mund të mos përfshihet ndër faktorët e formimit të kombeve, praktika historike e shumë vendeve, përfshi dhe tonën, provon lidhjen e ngushtë që ekziston midis kombit dhe shtetit që realisht janë pjesë e të njëjtit proces. Pa aktin e ngritjes së Flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912 dhe pa shpalljen e Shqipërisë Shtet i Pavarur, nuk do të kishte as komb shqiptar në kuptimin që kishte atëherë dhe që ka sot ky koncept. Madje, ndodh që një komb të ketë më shumë se një shtet të pavarur, siç është rasti i kombit arab ndarë në dhjetëra shtete të pavarura, Kombi Grek me dy shtete, Greqinë e Qipron, i Shqipërisë së sotme me Shtetin Shqiptar dhe Shtetin e Kosovës etj. Kuptohet, nga bashkëveprimi midis etnosit, kombit dhe shtetit në hapësirën socio-kulturore pak a shumë të përbashkët, lindin një varg dukurish shpesh tepër më të ndërlikuara për t’u analizuar e menaxhuar. Në botën e sotme, realisht shumica dërrmuese e vendeve janë shumë nacionale, gjë që nënkupton dallime në pozitën sociale dhe në interesa, në nivelin e zhvillimit ekonomik e kulturor, në mentalitete e tradita, që në rrethana të caktuara mund të shndërrohen në çështje të mprehta politike. Kjo shërben si bazë për të përpunuar e zbatuar doemos politika nacionale për rregullimin e raporteve midis tyre. Më qartë e shpreh një ligjësi të tillë Pietro Grilli di Cortona, sipas të cilit nacionalizmi është në të njëjtën kohë një ideologji dhe një lëvizje politike që e konsideron kombin subjektin kryesor të çdo aksioni politik, pse jo dhe si vetë themelin e identitetit politik. Të vijmë te rasti i Shqipërisë. Konkretisht gjurmimi i formimit të etnosit shqiptar, elementët e vetëdijes së përbashkët “kombëtare” në periudhën e luftërave të Skënderbeut kundër pushtimit osman, më pas organizimi në tre-katër vilajete të shqiptarëve që të kujtonte organizimin shtetëror të shqiptarëve sipas bashkësisë së territorit por që varej nga “Porta e Lartë” Osmane, krijuan iluzionin e qenies së shqiptarëve të bashkuar, se kishin një “shtet” që kujdesej për të krijuar kushte për realizimin e interesave të tyre individuale, por që realisht nuk ishin sovranë në trojet e tyre, gjë që ua kufizonte shumë jetën publike. Ja ç’shkruante Marie Amelie Freiin Godin, korrespodente gjermane e gazetave “Volkzeining” dhe “Teglichen RandsJiau” më 1913, “Në pjesën dërmuese, shqiptarët – shkruante ajo në ditët kur luheshin fatet e Kombit Shqiptar në tavolina diplomatësh të fuqive të mëdha të kohës – nuk janë në gjendje të lexojnë gazetat e huaja, në një farë mënyre, janë në mëshirën e kafeneve… Thashetheme që shtrembërojnë në kokat e shqiptarëve raportet e drejta të gjerave… Shpërfillje ndaj publikes dhe pushtetit. Për shkak të shtypjes politike gjatë së cilës shqiptarëve u ishte mohuar çdo pjesëmarrje në jetën politike, pjesa më e madhe e popullatës ishte mësuar të çinteresohej për çështjet publike dhe kjo siç ishte e natyrshme, nga shpërfillja e ngjarjeve politike çoi në humbjen e krejt shpresave për të ardhmen që çdo popull tjetër, jo kaq të shkathët e energjik, do ta kishte degjeneruar në një letargji të thellë e pa shpëtim”. Për saktësim do të shtoja se pa jetën publike dhe praktikën e përbashkët politike, kombi dhe shteti nacional mbeten tepër formalë, pa përmbajtje. Këto kushte politike shqiptarëve u kanë munguar për një kohë relativisht të gjatë, mirëpo siç shkruan I. Qemali në kujtimet e veta, nderi vetjak dhe pavarësia që janë karakteristike për shqiptarin, bënë që asnjë fuqi të mos ishte në gjendje t’ua hiqte pavarësinë dhe atdhedashurinë” (I. Qemali: Kujtime, TOENA, 2009, f. 401-405). Ndonëse Shqipëria në rrjedhat e historisë së saj të gjatë, sipas I. Qemalit, shpesh ka qenë e detyruar të qeveriset nga të tjerët, ajo kurrë nuk ka hequr dorë nga pavarësia” (Po aty, f. 405). Megjithatë, duhet pranuar se më e saktë do të ishte që për këtë periudhë të themi se mund të flitet për “popullsi e popull shqiptar”, por jo për komb shqiptar”, sepse si atëherë ashtu dhe sot pranohet si kriter bazë që komb të quhet populli që ka shtetin e vet dhe tipare të tjera thelbësore. Bëhet fjalë, pra, për një “pavarësi” të kuptuar në mënyrën e vet, si pavarësi individuale, jo politike, si identitet shqiptar falë të cilit shqiptarët në substancë u formësuan dhe jetuan si komb brenda një perandorie mbinacionale. Kjo që mund të përbëjë një veçori në formimin e Kombit Shqiptar, hapat e parë të të cilit i përkasin periudhës së lavdishme të luftës 25-vjeçare kundër ushtrive të sulltanëve otomanë (Shekulli XV-të) nën komandën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), mund të jetë njëherësh edhe një nga shkaqet e vonesës historike të tyre për të formuar shtetin e pavarur, të aftë për të ruajtur sovranitetin mbi trojet e veta që i përkisnin historikisht, që i humbën më pas në procesin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe nga rrjedha e pafavorshme për ta e Konferencës së Londrës, 1913. Popullsia shqipfolëse dhe Kombi Shqiptar në pamje i formuar e kompakt në trojet e veta, nën perandorinë mbinacionale osmane u copëtua në pesë shtete, duke u bërë pjesë e popujve e shteteve fqinjë që kishin shtetet e tyre të pavarura para shqiptarëve. Shqiptarët u vunë në mënyrë fatale para dilemës së zhdukjes nga harta e Ballkanit pikërisht pse u vonuan për krijimin e shtetit të tyre të pavarur e sovran. Praktika historike botërorë përfshi dhe atë shqiptare, provon kështu katërçipërisht se midis organizimit si komb dhe organizimit shtetëror ekziston një lidhje e ngushtë dhe bashkëveprim shumëplanësh. Mbi këtë bazë, në shekullin e XlX-të ideale quhej krijimi i shteteve-kombe. (Shih: Deklarata e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, të miratuar në Francë, 1789 etj.). Kurse M. Veber e pasuroi konceptin komb duke e trajtuar atë si dukuri sociale të ndërlikuar dhe si kategori politike. Një bashkësi njerëzish, sipas tij, përcaktohet si komb vetëm kur është bashkuar apo synon të bashkohet në shtetin e vet të pavarur, gjë që i mundëson të shfaqet në sistemin e vlerave që krijojnë ndjesinë e veçantë të solidaritetit. Në këtë vështrim, akti historik i patriotëve shqiptarë të kryesuar nga J. Qemali më 28 nëntor 1912, ishte me rëndësi jetike dhe në shtratin e mendimit politik më të avancuar të kohës, pikërisht sepse jo vetëm që rishpalli në një situatë tepër kritike ekzistencën e kombit shqiptar në trojet e lashta, dikur të bashkuara në tre-katër vilajete të varura nga Stambolli, por edhe sepse shpalli botërisht “Mëvetësinë e Shtetit Shqiptar”. Sipas akademikut Kristo Frashëri, kjo “është si lindja e një fëmije, është rezultat i një procesi të gjatë ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor. Pra, është dalja e një populli në arenën e historisë si një popull i pavarur me vlerat, meritat dhe dobësitë e veta” (Tema, 18.08.2012). Vërtet ky akt historik nuk mundi të vendoste sovranitetin shtetëror mbi të gjitha trojet shqiptare tashmë të okupuara, por i tha ndal rrënimit të mëtejshëm të Kombit Shqiptar që fatmirësisht mbeti unik në tiparet e tij themelore. Gjithsesi, rruga për vlerësimin realist të rolit të tij dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm mbeti e hapur. Pas kësaj ideja e Shtetit Kombëtar Shqiptar, e forcimit dhe begatimit të tij u bë me të drejtë ideal i gjithë shqiptarëve që aspironin për Bashkimin Kombëtar. Në këtë vështrim, përmasa popullore që mori festa e 100-vjetorit të pavarësisë ishte plotësisht e përligjur, por dhe një “mësim” për politikën, për të pasur një strategji e filozofi politike kombëtare. Në këtë kuptim pjesëmarrja e paparë e shqiptarëve në festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar ishte jo thjesht pjesëmarrje në një gëzim, në një festë historike jubilare, por në një proces politik dhe lëvizje me karakter mbarëkombëtar me vlera të padiskutueshme socio-politike dhe etnopsikologjike për zgjidhjen demokratike të problemeve të trashëguara. Për vlerësimin e këtij aspekti thelbësor të kom­bit tonë, nga një kënd tjetër vështrimi mund t’u referohemi të dhënave më të fundit të studimeve antropologjike. Dy profesorë të Universitetit të Kalifornisë, Petër Ralph dhe Graham Coop kanë botuar një studim mbi të dhënat gjenetike të para- ardhësve në të gjithë Europën, pra dhe të shqiptarëve. Shqiptarët, sipas tyre, janë kombi më homogjen në Europë dhe se të gjithë popullsitë në Ballkan kanë paraardhës të përbashkët me shqiptarët që datojnë më shumë se 2000 vjet përpara. Duket biologjia dhe studimet gjenetike, deklarojnë ata, “do t’u japin të drejtë shqiptarëve që të quhen popullsia më autoktone e Ballkanit dhe të konsiderohen në mënyrë të padiskutueshme si pasardhës të Ilirëve në histori”. Më konkretisht, ata shkruajnë më tej: “Niveli më i lartë i prejardhjes së përbashkët të identitetit gjendet tek individët që flasin gjuhën shqipe (nga Shqipëria dhe Kosova), kanë një rritje të prejardhjes së përbashkët që vjen që nga 2000 vjet më parë. Kjo sugjeron që një pjesë e rëndësishme e shqiptarëve modernë kanë qenë nga një grup relativisht koherent dhe i mbledhur popullsie që ka qenë i qëndrueshëm për të paktën 1500 vitet e fundit. Po ashtu këta individë kanë numër të ngjashëm paraardhësish edhe me popullsitë e afërta, si dhe individët në pjesë të tjera të Europës, duke treguar që popullsitë shqiptare nuk kanë qenë aq shumë të izoluara… Për më tepër, individët grekë (edhe disi më pak të vetëquajturit maqedonas), kanë një numër më të madh paraardhësish me shqiptarët sesa me fqinjët e tjerë” (Shekulli, 21.08.2012). Megjithatë, sekretin e suksesit të kombit dhe të shtetit kombëtar duhet ta kërkojmë jo aq te antropologjia, por para së gjithash “në politikë, në historinë e përbashkët, në biologji ose në gjeografi” (H. Ortega & Gasset – Vostanie mass, VF, 1989, Nr. 4). Gjithsesi, e rëndësishme është të nënvizohet se vjen një kohë kur lidhjet e gjakut, lidhjet fisnore (tribale) që mund të mbajnë të bashkuar një familje, një fis a etni, nuk kanë të krahasuar me “lidhjet nyje” që sintetizohen në konceptin “shtet”. Sipas E. Dyrkhejmit, destinacioni i shtetit qëndron në atë që së pari, ai të mund të drejtojë “mendimin e paarsyeshëm” të turmës me ndihmën e “mendimit më të menduar”; së dyti, që shteti të çlirojë individin, t’i kthejë atij “hapësirën” që ia kanë hequr “grupet vendore që kanë pushtetin dhe kishën”. Shteti, sidomos ai modern e demokratik, duke qenë institucion inpersonal, i pavarur nga personaliteti i këtij apo atij udhëheqësi konkret, ka mundësi ta realizojë qëllimin e vet, sepse ndryshe nga populli, apo dhe kombi, si i tillë zotëron një organizim të brendshëm e të përsosur institucional dhe në sajë të këtij faktori arrin të realizojë nënshtrimin ndaj qëllimeve të veta të gjithë shtetasit apo qytetarët e vetë dhe të akumulojë tipare specifike, zakonet dhe traditat.

 

Aforizma për shtetin, atdheun dhe kombin

-F. Niçe: Unë e quaj shtet atë ku të gjithë dehen me helmin e të mirave dhe të këqijave: shtet, ku askush nuk di për veten e vet, as të mirët e as të këqijtë: shtet, ku vetëvrasja e ngadalshme e të gjithëve quhet –“jetë”.

-Tolstoi: Shteti është shoqatë individësh për ruajtjen e pasurisë së tyre nga ata të cilëve më së shumti iu duhet.

-Gete: Shteti është i krijuar për njeriun, e jo njeriu për shtetin.

-Zhan Zhak Ruso: Demokracia e vërtetë kurrë s’ka ekzistuar dhe kurrë s’do të ekzistojë.

Kenedi: Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet me gëzim ç’mund të bësh ti për të.

– Horaci: Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe! Edhe më kënaqësi është të jetosh për të.

-Bjelinski: Kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit.

-Flober: Atdheu është si familja: vlerën ia njohim vetëm atëherë kur e humbim.

-Stendal: Nuk jam i sigurt se a mund t’i dua në jetë dy gra, por jam i sigurt se nuk mund t’i dua dy atdhe.

Ciceroni: Njeriu nuk lind për veten e vet, por për atdheun.

Euripidi: O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut.

Volteri: Të vdesësh për atdhe, kjo është punë mbretërish.

N.Veqilharxhi: Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd.

Kundem: Kombi që humb vetëdijen për të kaluarën e tij, gradualisht humb edhe “veten” e tij.

S.Frashëri: Populli është themeli i shtetit; sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina.

Kamy: E dua aq shumë popullin tim saqë mund të jem nacionalist.

Mirabo: Heshtja e popullit është vërejtje për mbretin.

Bonapart: Zemra e një burrështeti duhet të jetë në kokë.

Saad: Po ta marrë mbreti një vezë nga fshatari, ministrat e tij do të rrëmbejnë të gjitha pulat e katundit.