Prof. Sami Repishti: Nga burgjet në Shqipëri e Jugosllavi, te lufta për kauzën kombëtare në SHBA

545
Cila është ndjesia e përgjithshme kur i hidhni një sy jetës suaj si veprimtar, nëse mundeni ta ndani me lexuesin tonë?
Jeta në moshën 90 vjeçare,… gjithçka më duket si nji film, i mbushun me të paprituna e në situata të ndryshme. Megjithatë, ka nji konstante: besnikëria ndaj vetes sime. Ajo që mund të them sot, ashtë: fryma e ime optimiste për nji të nesërme ma të mirë, nji frymë që nuk u shue asnjiherë! Ajo që më frymëzoi ka qenë sensi i lirisë që unë kam konceptue si i lirë nga frika (kryesisht autoriteti) dhe i lirë nga uria (kryesisht papunësia dhe vorfënia e paevitueshme). Okupacioni fashist rrëmbeu lirinë shtetnore, kufizoi lirinë qytetare dhe krijoi nji atmosfere frikë dhe mosbesimi në shoqëninë shqiptare. Ngjarjet që ndoqën, u treguen fatale për vendin, dhe për të rinjtë sidomos. Okupacioni nazist e thelloi këtë tragjedi edhe ma shumë me rritjen e terrorit të ushtruem. Vendosja e “diktaturës së proletariatait” me dhunë, shkatërroi të gjitha shpreset – “andrrat” – e mia djaloshare. Terrori i hapët dhe gjithpërfshirës ndërpreu jo vetëm inisiativën e lirë qytetare, por çdo mendim të lirë – që u trajtue si “krim kundër shtetit”- dhe u dënue randë. Dhe kjo vazhdoi të thellohet çdo ditë e ma shumë për nji gjysëm shekulli. Ashtë e dhimbshme me mendue se gjysma e jetës së shtetit shqiptar të pavarun ka kalue nën rregjimin komunist. Rrjedhimet e kësaj tragjedie vetvrasëse i jetojmë edhe sot.
Sigal

Si e kujtoni fëmininë tuaj?

Rinia e ime u këput në moshën 14 vjeçare me demonstratat kundër invazionit italian të 7 prillit 1939. Okupacion, okupacion u ba fjala e ditës. Përgjigja? Rezistencë! Këto ishin fjalët kuptimplote dhe në moshën tonë të re ata na rrëmbyen emocionalisht. Me rezistue kundër “të huejve” ishte nji vendim i marrun pa diskutim. Por në moshën time, ne u “pjekëm” para kohe për aksion, në vitet që zakonisht karakterizohen nga andrrat romantike e shpreset për nji jetë ma të mirë. Situata na imponoi të kundërtën: “rezistenca kundër okupatorit” ishte urdhëni i ditës i pa shkruem. Natyrisht, forma verbale që përgatiti terrenin, u transformue në rezistencë aktive, të armatosun, të përgjakshme. Sot, me kujtohen vazhdimisht fytyrat e fjalët e shokëve që ranë dëshmorë në luftën kundër okupatorit dhe i vajtoi ma lotë të ngrohtë…! Brezenia e ime u “dogj” në flakën e luftës! Megjithatë, “politizimi i fortë” i ndjenjave tona patriotike – karakteristikë e moshës së re- krijoi nji dyshim ma parë, dhe nji ftohtësi ma vonë. Shqipëria u okupue nga Italia e cila ne atë kohë ishte “fashiste”. Na luftojshim ushtrinë okupuese italiane, doktrina fashiste ishte nji problem personal. Pse të mos përcaktohej “rezistenca kundër okupatorit italian” (ashtu si u ba në Vlorë me 1920)?
Dyshimi i jonë i parë u rrit edhe ma shumë kur parulla “VFLP” mori nji karakter të theksuem ideologjik dhe social që ishte përvetësue nga të gjitha partitë komuniste, e kopjueme nga Sovjetët, me urdhën të Kominternit ndërkombëtar. Nga veçoria kombëtare, rezistenca mori karakter “social” “Liri popullit”. Ashtu si u pa ma vonë, donte të thotë nji Shqipëri komuniste “pa liri dhe pa demokraci”, nji koncept që mund të diskutohej përsa kohë që ishte nji “teori”, e jo nji praktikë kriminale që eliminoi kundërshtarët politikë fizikisht. Për mue, student maturant, ky dallim u ba epiqendra e mendimit tim politik, që përcaktoi edhe veprimin tim politik të mavonshëm, të arritun në nji moshë akoma të re.

Babai juaj u vra nga fashistët ndërsa një kushëri i juaji humbi jetën në Kampin e Mathauzenit. Sa ka luajtur rol kjo përvojë në studimet që keni bërë më vonë për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri dhe temën e përballjes së humanitetit me një regjim kaq racist dhe çnjerëzor?

Po, erdhi “burrëria”. Shqipëria u përfshi në L2B. Ishte e natyrshme që ndamja e opinionit të shoqënisë shqiptare të krijonte dy kampe. Kambëngulja e elementit “komunist” në marrjen e pushtetit me çdo kusht dhe mbajtja e tij me çdo kusht –sidomos me dhunë- solli vëllavrasjen. Kushërini i im 17 vjeçar u deh nga propaganda komuniste dhe përfundoi në kampin nazist Mauthausen, ku u ekzekutue (1944). Nji vit ma parë, ai gjeti strehim në shtëpinë tonë, nji akt që i kushtoi jetën babait tim, viktimë e terrorit fashist. Efekti i vdekjes së babajt e të kushërinit ka qenë i pallogaritshëm. Unë u bana cinik, u vetë-izolova dhe fillova të flas pa kujdes, natyrisht pa ndërgjegjësim të terrorit komunist që u vendos në vendin tim. Ajo që u ba permanente tek unë ka qenë bindja e plotë se “diktatura e proletariatit” nuk mund të kishte sukses në nji shoqëni të qytetnueme e me mjete paqësore; asaj i mungonte elementi thelbësor: “njeriu në qendër të vëmendjes sonë”, humanizmi marksist, i tradhëtuem nga V.I.Lenin dhe i vramë nga krimineli botënor J.V.Stalin. Udhëheqja e PKSH ka qenë me disa të rinj pa eksperiencë, fanatikë, pa arsim, pa përgatitje ideologjike, dhe nën influencën e kontrollin e plotë të agjentëve jugosllavë. Ky ka qenë thelbi i tragjedisë shqiptare nën komunizëm.

Si dëshmitar i asaj kohe çfarë mendoni për tezën që i redukton zhvillimet në Shqipërinë e Luftën II Botërore në një “luftë civile”?

Ashtë e vërtetë se në Shqipëri ka pasë elementë të luftës civile. Që në fillim të vitit 1942, vrasjet e “ballistëve” nga çetat komuniste në zonat e Korçës e Gjirokastrës ma parë e në të gjithë Shqipërinë ma vonë, kanë qenë masakra me tortura të pa imagjinueshme, dhe në praninë e fshatarëve të tmerruem. Mbas këtyne masakrave, fillonte mobilizimi i “vullnetarëve” në mes të banorëve. Marrja e pushtetit me dhunë ka qenë “moto”ja komuniste që në ditët e para të rezistencës. Për këtë jam dëshmitar i bisedimeve me ish “shokët komunistë”. Në vjeshtë të vitit 1944, Enver Hoxha i shkruente Fadil Hoxhës, në Kosovë: ”Mos lejoni asnji njësi ushtarake të luftojë kundër gjermanëve. Vetëm Ushtria NÇ duhet të veprojë ushtarakisht”. Kjo direktivë solli vrasjen e vëllazënve Kryeziu në Malësine e Gjakovës. I njajti qëndrim u mbajt në Shqipëri. PKSH kërkonte monopolin e plotë të rezistencës…. dhe fitores! Terrori i gjithanshëm dhe varësia e plotë tek instruktorët jugosllavë, ngjarjet në Kosovë, sidomos masakra e Tivarit (mars 1945) më kanë përforcue idetë e mia të kundërshtarit. Në prill 1945, u banë manifestime e mëdha në të gjithë Shqipërine tue kërkue Triesten:”Duam Triesten! Trieste është e jona!” Asnjeri e zuni me gojë Kosovën. Unë fola, u qortova, por komunistët nuk e harruen këtë “faj” timin. Gjyqet popullore, dënimet e randa, arrestimet masive, torturat deri në çmenduri, pushkatimet me gjyq e pagjyq, internime familjesh, shumica pleq, gra e fëmijë “familjesh reasionarë”etj.

Çfarë ju bëri që në moshë të re të reshtoheshit aq herët kundër komunizmit në Shqipëri? 

Me keqardhje duhet të pohoj se propaganda komuniste në rradhët e aëtarëve të PKSH dhe sidomos te UNÇ e ka paraqite “Veriun” si nji rajon anmik pa dallim nga “okupatori” dhe qe duhej “ndeshkue”. Veriu ashtë “çlirue” si “zonë armiqsore” me të gjitha konsekuencat e nji mentaliteti të këtillë: në çdo lagje qyteti, çdo fshat në rrethina e Malësi të Veriut u ba “ndëshkimi” për mos-pjesëmarrje në LNÇ. Burgjet u mbushën. Administrata u mbush me elementë të ardhun nga Jugu. Nji përbuzeje për “vendasit” ishte evidente. Teorikisht, në vitin 1944, UNÇ liroi Veriun nga okupatori. Praktikisht, U NÇ pushtoi Veriun me forcë dhe vendosi sundimin absolut të PKSH dhe e mbajti atë në fuqi për 45 vjet me rradhë. Historia do të vërtetojë këto fakte dhe do të dënojë randë kriminelët fanatikë të ish PKSH. Kësaj situate duhet t’i shtojmë persekutimet e klerit katolik dhe të elementit intelektual të arsimuem në Perëndim. Duhet kuptue se për Veriun, pavarësisht nga feja, kleri katolik ka gëzue respektin ma të madh për punën e tij patriotike, kulturore dhe shoqënore, natyrisht se bashku me shërbimet fetare. Unë nuk di nji veprimtari të randësishme kombëtare ku kleri katolik e popullsia katolike të mos kenë qenë pjesë përbamëse dhe në shumë raste të ketë luejtë nji rol udhëheqës. Kleri katolik shqiptar asnjiherë, në ditë të mira ose të këqia, nuk e abandoi popullin dhe nuk u shkëput nga Perëndimi. Kjo ashtë nji meritë e madhe historike! Me eliminimin fizik –gjenocidin- e klerit katolik e të intelektualëve me përgatitje perëndimore, PKSH eliminoi kokën udhëheqse të çdo lëvizje të mundshme në nji krahinë thelbësisht kundërshtare e komunizmit. Edhe unë kam qenë viktimë e këtij “spastrimi politik”.

Çfarë kujtoni nga koha si i burgosur i ndërgjegjes?

Përvoja e ime 10- vjeçare në burgjet komuniste ka qenë determinuese e qëndrimit tim politik të mavonshëm. Ajo prirje vazhdon edhe sot të përcaktojë të tashmen e të ardhmen time. Unë nuk mund të jem “nji tjetër” nga ai që kam qenë, e që jam sot, sepse qëndrimi im mbështetet mbi disa parime bazë të formueme gjatë viteve të mia në Shqipëri, e sidomos në burgjet dhe kampet komuniste. Burgu komunist ka qenë, në fakt, nji vend torturë të vazhdueshme. Unë e kam përshkrue disa herë dhe me hollësi në dy librat e mi “Pika loti” dhe “Nën hijen e Rozafës”. I gjithë helmi i propagandës komuniste i grumulluem nga leksionet e tyne për “armiqtë e popullit” u derdh në burgje dhe kampe të punës e të përqëndrimit: rrahje të parreshtuna deri në vdekje, heqje racioni të bukës, përdorimi me orar i nevojtoreve (nji torturë e vërtetë sidomos për të sëmurët e të moshuarit), izolim për ditë e natë të gjata në qeli të errëta, të ftohta e të flliquna deri në pambarim , të laguna me qëllim që të mos kishte vend për pushim ose për fjetje, dënime pa vizita për familjen për muaj të tërë, mungesa e plotë e pastrimit për 800 të burgosun pa nji sallë banje, 50 cm. vend për fjetje, dhe ma shqetësuesja prania e spiunëve të dërguem qëllimisht me vështirësue jetën e të burgosuneve me akuza të rrejshme,… janë disa nga metodat e zakonshme të keqtrajtimit. Natyrisht, pa folë për torturën ma shenjerësoze gjatë “hetuesisë” dhe para gjykimit- nji shaka makabre që u kushtoi jetën ma shumë se gjashtë mijë shqiptarëve, “armiq të popullit”… Në rastin tim, burgu u randue edhe ma shumë mbas internimit të nanës, motrës dhe vëllaut në kampin e Veliqotit të Tepelënës për disa vite si ndëshkim për arratisjen e vëllait në ish Jugosllavinë. Por ajo që na mbante të fortë ka qenë bindja e jonë absolute se jemi të pafajshëm, se kemi vepruar si patriotë dhe si demokratë, solidariteti në mes nesh, dhe krenaria e jonë për rezistencën heroike kundër diktaturës, si dhe ajo e shumë bashkëvuejtesve para torturës dhe skuadrave të ekzekutimit. Ndoshta, nji ditë, diku dhe dikush do të dalë me përshkrue me hollësi vuejtjet e pafund të ish të dënuemeve. Ata, nuk kanë fund!
.

Sa zhgënjyese ishte për ju burgosja e dytë në Jugosllavi dhe si e kujtoni atë kohë?

Nga posta kufitare ku u dorëzova, më dërguen me nji makinë ushtarake, drejt në burgun e Leshkopoljes, Titograd (sot Podgorice). Tri ditët e para, ushtruen presion me kërkesën për hymje ilegale në Shqipëri e takim me disa persona “të besueshëm” të tyne. Unë refuzova pa hezitim, por me kujdes të mos shkaktoi kthimin tim me forcë në Shqipëri. Shumë bashkëatdhetarë janë kthye në Shqipëri ku janë burgosë për dekada ose janë pushkatue nga ish Sigurimi. Spjegimi që dhashë ishte: jam student, dëshiroj të vazhdoj studimet e nalta, nuk jam njeriu i pushkës. Kërkoj strehim politik në Jugosllavi simbas rregullores së OKB-së për “refugjatët politikë”. “Përgjigjja” e tyne ka qenë mbyllje hermetike në qeli me nji dritare të vogël pa xhama për 11 muej. Drita ishte e kufizuese, pa shtrat, mbulesa vetëm me dy batanije. Dimni i Podgoricës ishte i ftohët dhe unë mbështjellesha me batanije dhe i mbështetun për mur kalojshe ditët e netët e gjata. Asnji kontakt me njeri, as me rojen me të cilën nuk fliteshe edhe pse nuk njiheshe gjuhën serbe. Roja siellte ushqimin dhe largohej pa fjalë. Gjatë të gjithë kësaj kohe, kam ngranë vetëm fasule, drekë e darkë, e nji çaj në mëngjez. Ne orën 12 të mesnatës lejohesha me shkue në nevojtore. Në dhome kishte nji kuti teneqeje për rastet urgjente që qelbej si mos ma keq. Vetmia u randue shumë nga kujdesi që kishe për familjen në Shkodër, dhe trajtimi i saj nga Sigurimi. Gjysem ore larg, në qytetin e Tuzit, banonte vëllai me familje, por nuk u njoftue deri në lirimin tim. Nga pyetjet e ditëve të para, kuptova se UDB-ja kishte njohuni per procesin tim në Shkodër (1946) i cili përmbante dhe deklaratet e mia për Kosovën. Nji qëndrim i këtillë ishte vetëvrasës në ish Jugosllavinë. Por nji ditë gjatë nji vizite të tre oficerëve jugosllavë në qeli kuptova esencën e shqetësimit te tyne. Njëni nga ata tha: “kao nashi reaksionari” (ashtu si reaksionarët tonë). Ashtu si e kuptova unë, kjo tregonte se nuk dyshojshin në bindjet e mia anti-komuniste ose në mundësinë e shërbimit për ish Sigurimin, dhe u qetësova. Sot, mendova, Tito ashte pro-perëndimor dhe si anti-komunist nuk besoj të më kthejnë më që nuk paraqes nji “kërcënim” per ata…Isha në dilemë: ose do të lirohesha dhe atëhere do të kërkojshe largimin në Perëndim, ose kthimin e forcuem në Shqipëri me rrjedhime të pa parashikueshme. Mbas lirimit (qershor 1960) kam shkue në Zagreb ku kam takue shumë studentë shqiptarë nga Kosova. Kam mbetë shumë i shgënjyem nga qëndrimi i tyne pro-enverist, dhe sidomos nga injoranca e plotë e tyne për gjendjen politike në Shqipëri. Spjegimet e mia mbi terrorin masiv në Shqipëri, si dhe burgosjet pothuejse pa përjashtim të kosovarëve të arratisun në Shqipëri nuk i pranojshin. “Propaganda titiste” më thojshin. Kur i tregojshe fatin tim e të familjes sime,”duhet të kesh krye nji krim të madh kundër Shtetit”me përgjigjeshin. E paprituna e madhe erdhi nji ditë mbas takimit. Dy agjentë të UDB-ës erdhën në bibliotekë ku studjojshe gjuhën kroate e me qortuen për “bisedat politike me studentët”. “Ti je refugjat e nuk ke të drejtë të bajsh politikë këtu” më thanë. Premtova se nuk do të diskutoj përsëri.
Ky incident ka pasë dy rezultate. E para, unë u trondita nga mundësia qe nji ose ma shume studentë ishin informatorë të UDB-ës që kishin raportue. E dyta, Ndërpremja e plote e kontakteve me studentët kosovarë, deri në ditën që më thirrën, më ngarkuen ne nji kamion dhe me dërguen në kampin e refugjatëve në Gerovo (Kroaci) nga ku kalova ne Itali. Dhe ajo ma e randësishmja, aty kuptova survejimin intensiv të studentëve kosovarë nga UDB-a. Në fakt, ata jetojshin gjitheherë me frikën e arrestimit. Por ishte e qartë që UDB-a kishte penetrue rradhët e tyne. Për mue, ky incident më forcoi bindjen se duhej denoncue shtypja e popullsisë shqiptare në ish Jugosllavi.

Shqiptarët e SHBA duket se kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në fatin e kombit të tyre. Sidomos për pavarësimin e Kosovës, po a ka një rol për të kryer edhe në të ardhmen? Duket se me rregullimin e atdheut do të bjerë pak vrulli i angazhimit këtu? Apo është një mit?

Ska dyshim që vrulli “emocional” pothuesje revolucionar, i ditëve të vështira ka zbrite në nivele të pakënaqshme. Shqipëria e Kosova: dy shtete të lira dhe të pavarura, nuk janë në gjendje me krijue shoqënine civile demokratike. Me gjithë mungesën e inkurajimit të sinqertë nga të dy qeverite, detyra e jonë sot ashtë me mbrojte interesat gjithëshqiptare në Ballkan pranë qeverisë së SHBA-së, me ndihmue të dy vendet me investime qoftë direkte, qofte me investime nga të tjerët, me përkrahe forcimin e demokracise në të dy vendet, me krijue fonde për arsimimin e studentëve këtu dhe në vend dhe në atë të lindjes, me ndihmue bibliotekat me dhurata librash e botimesh tjera, dhe ajo ma e randësishmja me ruejtë dhe me forcue solidaritetin tonë këtu, në bashkësinë shqiptaro-amerikane. Së bashku, mund të bajmë shumë punë.

Kush është Sami Repishti familjar dhe baba, nëse mund të na tregoni për këtë aspekt të jetës suaj?

Në SHBA kam ndërtue nji jetë të re, fatmirësisht të qetë dhe nji martesë të lumtun me ish Zonjushën Diana Chipi. Kemi nji djalë, Daren, mjek, i martuem me tre fëmij; dhe nji vajzë, Ava, juriste, e martueme me dy fëmijë; pesë nipa e mbesa jane gezimi i jetes sone ne keto vite pleqnie. Jeta e tyne ka qene dhe vazhdon me qene e qete, pa trazime, dhe me perspektive. Kryesisht, jetojne pa friken e pushtetit ose te urise. Natyrisht, zakonet shqiptare jane “zbute” por koncepti i shoqenise civile te qytetnueme ashte ma i forte se ne Shqiperi. Femije te lire, qytetare te lire, qytetare te mire.
(Marrë me shkurtime nga Ylliria Press)