Prof. Rexhep Meidani: Pas kongresit të PS të majtën do ta ndjekë fati i Greqisë dhe Spanjës

450
Profesor, doktor Rexhep Meidani, ish – Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e para parlamentare më 1991, ish-deputet socialist, ish – Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe ish – Presidenti i Republikës në periudhën korrik 1997-2002, në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, ka analizuar zhvillimet politike në vend, përfshi Reformën në Drejtësi, Reformën për Dekriminalizimin, si dhe zhvillimet e brendshme në PS. Kryeshtetari shqiptar, në një nga periudhat më historike të Shqipërisë, është mjaft kritik për atë çka ndodh aktualisht në qeverisje, për të ashtuquajturat reforma, për mënyrën se si kanë hyrë në Kuvend individë me precedentë të rëndë penal dhe nga ana tjetër jep sugjerime mjaft të vlefshme për demokracinë e brendshme në partitë shqiptare, për reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor, për ngritjen dhe varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për ndryshimet Kushtetuese, etj. 

Zoti President! Ju keni qenë numri Një i Shtetit Shqiptar në vitet 1997-2002 dhe jeni takuar me shumë personalitete botërore dhe figura të shquara të politikës, botës shkencore dhe akademike. A mendoni se ka ardhur koha që të gjitha takimet zyrtare me shtetarët dhe homologët e huaj të mos personalizohen?
Pa dyshim! Madje, tashmë, nuk ka fare kuptim kjo “garë” pa përmbajtje midis politikanëve shqiptarë,përfaqësues të institucioneve kryesore. Për këtë, ilustrimi më i mirë është periudha e luftës së Kosovës. Shqipëria e atyre ditëve u kthye në një vend pelegrinazhi për udhëheqësit kryesorë të botës demokratike, për vetë median më të zëshme botërore. Për më tepër, kjo e fundit vuri në dispozicion të politikanëve e diplomatëve shqiptarë ekranet televizive më të fuqishme. Megjithatë, edhe në atë periudhë tepër të veçantë, u bënë mjaft përpjekje pozitive për shmangien e personalizimit. Bile, krahas rolit të rëndësishëm të politikës shqiptare, në plan të parë u vendos aty si solidariteti mitik i familjeve shqiptare, ashtu dhe reagimi i fuqishëm ndërkombëtar, ushtarak e human, ndaj politikës së pastrimit etnik e gjenocidit të regjimit të Millosheviçit. 
Si do e konsideronit vizitën e Sekretarit Kerry dhe sa do ndikojë ajo në përshpejtimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër kriminalitetit? Në vazhdimësi, a mendoni se pas largimit të tij, politika do t’i kthehet situatës tradicionale shqiptare?
Ishte një vizitë e shkurtër, por me tematikë të ngjeshur dhe të rëndësishme. Pati probleme protokolli, por, me shumë mundësi, me origjinë shqiptare. Ndërsa, për sa i përket reformës në drejtësi dhe luftës kundër kriminalitetit, do të vazhdohet pak a shumë, në mënyrën e zakonshme, brenda lojës dhe teatrit politik dhe parlamentar të përplasjeve tradicionale. 
Zoti President! Gjatë ushtrimit të detyrës suaj si Kreu i Shtetit keni qenë njëkohësisht edhe Kryetar i KLD-së. Cili është mendimi Juaj për ligjin për reformën në drejtësi, për të cilin PD-ja, LSI-ja dhe Venecia janë shprehur kundër. Kundër projektit dhe emërimeve në gjyqësor të propozuara nga ekspertët e PS-së?
Në thelb, pyetja e shtruar më sipër e ka përgjigjen triviale: lojtarët kryesorë në skenën politike janë po ata të mëparshmit. Dhe janë po ata që nuk e kanë lënë dhe nuk po e lënë drejtësinë të forcohet, të pastrohet e vetë-pastrohet; aq më tepër që mekanizmat disiplinorë për këtë qellim (Inspektorati i KLD-së dhe KLD-ja, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, etj.) ose reagojnë dobët, ose futen shumë pak në veprim. Në këtë kuptim, është vështirë të besohet se kjo reformë, me gërmë të vogël apo të madhe, do ta shpëtojë drejtësinë, aq më tepër që do të arrijë të mënjanojë ndikimin politik në funksionimin normal të saj?! Dhe të mos harrojmë, se disa nga politikanët, që aktualisht kanë të drejtë vote, nuk kanë as dëshirën më të vogël për harakiri! Në thelb, po të ishte gjithçka e sinqertë, zgjidhjet e përgjigjet do të ishin shumë më të thjeshta dhe jo të bëheshin “shpikje” strukturore me varësi tepër komplekse. Nisur dhe nga veprimtaria personale akademike e politike, shumë shpesh më ka rezultuar, se atje ku thjeshtësia zëvendësohet nga ndërlikimi i panevojshëm fshihet, jo rrallë, hileja e marifeti, hipokrizia e gllabërimi. Po ashtu, në një gjykim fare të pastër, një nga rrugët më të pranueshme për të gjithë mund të ishte që gjithçka që do të miratohej me konsensus për reformën në drejtësi (përfshirë dhe amendamentet kushtetuese lidhur me të), do të duhej të futej në fuqi dhe të zbatohej vetëm në parlamentin e ardhshëm dhe qeverisjen e përftuar prej tij, ku me siguri do të ketë balanca të tjera shumë më pak imponuese. Në këtë kuptim, mund të jetë normal kufiri minimal i 60% të votave të kuvendit për emërimin e largimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të Gjykatës Kushtetuese apo të Prokurorit të Përgjithshëm. Por, ama, pas përfundimit të procesit të domosdoshëm parlamentar të dekriminalizimit dhe pas zgjedhjeve të reja të përgjithshme. 
Deputetë me rekorde kriminale, a kanë të drejtë të bëjnë reforma të tilla për dekriminalizimin apo për reformën në drejtësi?
Në parim jo! Prandaj, siç e theksova më sipër, pas ndryshimeve të miratuara me konsensus, një rrugë normale për reformën në drejtësi mund të ishte zbatimi i saj pas kryerjes së procesit të dekriminalizimit dhe pas organizimit të zgjedhjeve të reja të përgjithshme. 
Po për ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, nga kush do e mendonit vartësinë? A mendoni se, duke qenë nën vartësinë e qeverisë do jetë e vështirë të hetojë vetveten? 
Mund të veçohen dy përafrime: 1) brenda kushtetutës aktuale dhe një ligji të veçantë, në të cilin e ashtuquajtura Byro Kombëtare e Hetimit do të ishte një strukturë me detyra të sanksionuar sipas atij ligji brenda prokurorisë, d.m.th. dhe në vartësi të Prokurorit të Përgjithshëm; sidoqoftë e gjitha kjo nuk do t’i përgjigjej “zhurmës” aktuale të brendshme apo të jashtme, ose ta justifikonte atë, brenda skemës së sotme kushtetuese të hetimit e penalizmit; 2) me rregullime kushtetuese për ndërtimin e një strukture të re, por, edhe në këtë rast, do të ishte tepër e rrezikshme që ajo të varej nga ekzekutivi. E thënë ndryshe, ajo, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, nuk duhej të shndërrohej në një armë në duart e qeverisë. Parë me këtë sy, ende mund të shtrohen disa pyetje kyçe: a kemi nevojë për një byro të tillë, a është analizuar në detaje kjo strukturë apo ajo ka qenë thjesht një propozim elektoral i pastudiuar si duhet? Le të shohim zhvillimet e mëtejshme… 
 Si e shikoni klimën politike në vend dhe a mendoni se mungesa e lirisë së brendshme tek partitë tona politike sot, do jetë nesër pasqyrë për qeverisjen e vendit?
Mjaftojnë të ndiqen seancat parlamentare të së enjtes për ta vlerësuar si të “shëmtuar” klimën politike. Prandaj, si detyrë parësore mbetet reformimi i politikës, reformim pa të cilin dhe reforma në drejtësi do të mbetet thjesht pjesore, qoftë dhe nën “teprim” e trysni ndërkombëtare. E thënë ndryshe, për të reformuar më tej drejtësinë duhet reformuar fillimisht politika. Kjo, në thelb, nënkupton ndryshime legale e konceptore brenda partive politike. Madje, një rrugëzgjidhje e thjeshtë mbetet ajo e përfshirjes në statutet e sotme të partive të po atyre neneve demokratike të fillimeve të tranzicionit, ku vetë kryetarët e këtyre strukturave politike kishin mandat të kufizuar kohor në drejtimin e tyre. Në mënyrë të veçantë, kjo vlen, sot, për partitë kryesore parlamentare, pikërisht për të mos lejuar shndërrimin e kryetarëve të tyre në “monarkë” partiakë, të cilët, më tej, në qeverisje sillen si autokratë tipikë. 
Në mbështetje të pyetjes së më sipërme, si e shikoni “Lëvizjen Blushi” dhe faktin e dhimbshëm, se tek e majta po rikthehen të famshmit “kongresmenë”, ku një pjesë të mirë të listave e përbëjnë punonjës të administratës shtetërore?
Është realisht një lëvizje emancipuese. Ajo nxjerr në dritë shkelje të qarta statutore disa vjeçare, që nuk duhej të ishin lejuar nga forumet e partisë, sidomos nga “senatorët” e partisë. Por, ama, nuk është e rastit që sot disa zëra brenda PS-së, si Dade, Hafizi, etj., po përpiqen që ta korrigjojnë këtë situatë absurde “laburiste”, nëpërmjet ankesës së argumentuar në Komisionin e Garancive Statutore. Natyrisht, nuk pritet ndonjë reagim nga përzgjedhjet e kohëve të fundit. Aty është fare i lehtë imponimi i pozicionimit të ngjashëm me atë të kryetarit, pavarësisht që bëhet fjalë për shkelje të “kushtetutës” së partisë. E thënë ndryshe, “kongresmenët” e rinj apo kontingjenti i ri i thithur nga administrata publike ndodhet nën “zhurmën” e pllakës së prishur të gramafonit, pse jo dhe nën presionin e largimit nga puna. Si do të ecet më tutje, nuk është e qartë, por, ama, me “kongresmenë” ose pa “kongresmenë”, jeta vazhdon dhe ajo mund të imponojë deri strukturime të reja, si në rastin e Greqisë, Spanjës, etj. 
 Zoti President! Ju mbaheni mënd, veç shumë e shumë vlerave pozitive edhe për faktin, se keni drejtuar me profesionalizëm Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dihet që vota e lirë është pasaporta në luftën kundër korrupsionit, krimit, trafiqeve, mirëqenies dhe gjithçka që normon punën dhe ekzistencën e shoqërisë dhe qytetarisë së sotme. A ekziston mundësia për zgjedhje të ndershme dhe si mund t’i realizojmë ato?
Për këtë arsye fola pak më sipër, për një reformim demokratik të partive politike. Aty, hallka e dobët mbetet gara brenda partisë me rregulla të qarta e afate periodike. Ajo përbën dhe vetë shëndetin e demokracisë brenda saj dhe që rrezaton në përfaqësimin e saj politik në qeverisje. E thënë ndryshe, sa më e ndershme konkurrenca kolektive e individuale, brenda strukturave partiake, aq më i shëndetshëm është vetë sistemi demokratik, institucionet e tij përfaqësuese, të prodhuara po nga ato struktura partiake. Pra, siç duket, në procesin e qeverisjes, ka shumë rëndësi procesi i demokratizimit në partitë politike, sepse me të lidhen edhe zgjedhjet kombëtare e vendore, cilësia e tyre, liria e ndershmëria në krijimin e produktit përkatës. 
Kam bindjen e patundur, se, sa më të lira e demokratike të jenë zgjedhjet aq më përfaqësuese është qeverisja, por po aq më i përgjegjshëm bëhet dhe angazhimi qytetar. Në këtë kuptim, ky lloj angazhimi me votë është dhe lidhja e parë midis qytetarit dhe qeverisjes së tij. Prandaj, dhe cilësia e demokracisë lidhet me cilësinë e kësaj gare në përfaqësimin politik, është treguesi kryesor i tij. Ndërsa, marifetet politike jo parimore, deformimi i votës, blerja e vjedhja e saj apo dhe praktika të tjera të pandershme e lodhin qytetarin, e bëjnë atë indiferent ndaj procesit politik. 
Por, administrimi i drejtë i zgjedhjeve, siç do ta komentoj më vonë, është vetëm njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër e saj është përzgjedhja e kandidatëve për t’u përfaqësuar në institucionet qendrore e vendore. Në mjaft parti demokratike përzgjedhja e kandidatëve realizohet ose në forume, ose me parimin “një anëtar, një votë” në bashkësitë për të cilat planifikohet përfaqësimi. Në rastin e PS-së së viteve të fundit, po të ndiqej një rrugë e tillë demokratike nuk do të ndodhte ajo që ndodhi në përfaqësimin parlamentar dhe vendor të kësaj partie, me elementë përfaqësues me rekorde kriminale. Dhe, që të mos ngjasin më histori të tilla, duhet të zhvillohet një debat apo një garë e mirëfilltë në përzgjedhjen e kandidatëve për përfaqësimin politik apo në votimin e lirë dhe të ndershëm të drejtuesve partiakë. Sipas përvojës ndërkombëtare, por dhe përvojës sonë të mëparshme, sa më e gjerë që të jetë struktura vendimmarrëse partiake aq më e mirë do të rezultojë, në mesatare, kjo përzgjedhje apo ky votim. Dhe kjo është thelbësore për vetë demokracinë partiake; ajo shoqërohet me rrjedhoja politike pozitive në proceset demokratike, në vetë pjesëmarrjen qytetare. Sa më të shpeshta dhe të suksesshme procese të tilla partiake, sa më të ndershme e parimore ato, aq më i shëndetshëm do të jetë funksionimi i partisë politike dhe i përfaqësimit të saj. Krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në PS, në këtë periudhë gati 3 vjeçare! Sepse kur shtyhet e bllokohet gara për kryetarin dhe poste të tjerë të rëndësishëm qendrorë e lokalë, në se mungon debati për të dhe kryerjen e kësaj gare në përputhje me statutin aktual të partisë, atëherë partia (në të vërtetë, udhëheqja e lartë e saj) shndërrohet në një strukturë jo demokratike, autoritare e autokratike; me përqendrim të gjithë vendimmarrjes në duart e kryetarit dhe të dy-tre vetave rreth tij. Pikërisht, kjo ka ndodhur, pak a shumë, në PS-në e viteve të fundit. Këtë e dëshmoi dhe niveli i përfaqësimit politik të PS-së, në pushtetin qendror e vendor; aq sa dekriminalizimi i kuvendit u bë kërkesë e kriter për avancimin e procesit të integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE!… 
Pa e zgjatur më tej, vetë gara demokratike partiake e politike mund të shoqërohet vetëm me efekte pozitive. Kjo duhet kuptuar dhe mbështetur në thellësinë e vet, por jo të nxiten e shtyhen individë “besnikë” për deklarime e pohime deri qesharake përkundrejt statutit aktual të partisë; apo të “filozofohet” në mënyrë gjoja pragmatiste dhe empiriste! Respektimi i këtij statuti, siç është sot (jo ai nesër!) është shumë më thelbësor dhe më i dobishëm, se sa transmetimet televizive për anëtarësime të reja, në prani ministrash! Aq sa në popull, nisur nga këto regjistrime televizive, por dhe niveli i dobët i zhvillimit, ka filluar të shtrohet pyetja: a punon apo jo qeveria; kur punon ajo…? 

Ju jeni për lista të mbyllura apo të hapura? Po për sistemin, për kë mendoni se është më i mirë dhe a parandalon në maksimumin e mundshëm manipulimet në kushtet e Shqipërisë? 
Praktikat edhe në botën demokratike janë të ndryshme. Konkretisht, sistemet elektorale mund të ndahen në tre familje kryesore. Ato janë: sistemi mazhoritar, sistemi i përzierë dhe sistemi proporcional. Secili prej tyre përmbledh një numër të konsiderueshëm nënllojesh. Midis tyre në kuadër të sistemit proporcional rajonal ndeshet sistemi me lista të mbyllura dhe ai me lista të hapura. Para se t’i përgjigjem pyetjes tuaj, vlen të kujtohet se në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, janë zhvilluar tetë zgjedhje të përgjithshme, nga të cilat dy kanë qenë të parakohshme. Konkretisht, ato janë zhvilluar në vitet: 1991, 1992, 1996, 1997, 2001, 2005, 2009 dhe 2013, por jo patjetër me të njëjtin sistem zgjedhor. 
Në fakt, sistemet zgjedhore, me gjithë periudhën e shkurtër të tranzicionit shqiptar, kanë qenë të shumëllojshme (sistem mazhoritar, i përzierë apo proporcional rajonal; me 1 dhe 2 raunde, me një ose dy fletëvotimi, me lista të hapura apo të mbyllura, me korrektim të votës kombëtare, me votim vetëm për individë apo votim vetëm për partitë). Për më tepër, në praktikën shqiptare asnjë sistem nuk jetoi në kohë, por as nuk garantoi një ekuilibër të drejtë midis votave e mandateve parlamentare. Madje, këto sisteme elektorale, nën trysninë dhe “intrigën” politike partiake, nuk kanë pasur kohë të konsolidohen sepse pas çdo zgjedhje është tentuar një skemë tjetër ligjore për të garantuar fitoren e radhës të partisë, që e ka pasur mundësinë ose “komandën” e radhës. P.sh., pas zgjedhjeve të vitit 1991, sistemi mazhoritar me 250 deputetë kaloi, më 1992, në atë përzierë me 140 deputetë (100+40), që u ndryshua më tej në proceset elektorale të viteve 1996 e 1997, e kështu me radhë. E thënë ndryshe, nën trysni politike, ka ndodhur ndryshimi sistematik i sistemit elektoral, ose janë bërë modifikime të tij, duke prodhuar shumica qeverisëse të forta ose të dobëta. Dhe, siç e theksova pak më sipër, është aplikuar, p.sh., sistemi mazhoritar me dy raunde, sistem i përzierë i varur dhe ai i pavarur (sistemi i përzierë ku përmasa mazhoritare kushtëzohet nga dy raunde apo me një raund me shumicë minimale, si në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005); sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura. 
Por, në mungesë të një procesi demokratik përzgjedhjeje brenda partive politike, sistemi me lista të mbyllua i ka bërë kryetarët e partive “monarkët” apo “patronët” e përfaqësimit politik. Janë ata që bëjnë përzgjedhjen përfundimtare. Dhe kjo e ka dëmtuar jo pak demokracinë shqiptare, deri duke i imponuar elektoratit përkatës jo pak kandidatura të dyshimta apo me të kaluar kriminale, të mbuluar nga sigla e partisë. Por, me ligjin e dekriminalizimit kjo edhe mund të shmanget. Dhe unë besoj se diçka do të bëhet këtej e tutje. Duke e pranuar këtë pohimin e fundit si të vërtetë, në gjykimin tim, varianti më i mirë del ai që e pakëson fuqinë imponuese, deri absolute, të kryetarit të partisë. Dhe kjo, në sistemin proporcional, arrihet vetëm me lista të hapura. Natyrisht, dhe ky variant ka mangësitë e veta, sidomos nëse nuk luftohet ashpërisht blerja e votës prej kandidatit (në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet kontrollit financiar të shpenzimeve të fushatës), sepse, përndryshe, mund të fitojë jo më i miri por ai që shpenzon më tepër para. Por, po të peshohen mirë të dy mundësitë, varianti me lista të hapura del më i përshtatshëm me shmangien e mangësive të përmendura pak më sipër. 
Një problem tjetër i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është dhe administrimi i zgjedhjeve. P.sh. në vitet 1921-1923, administrimi zgjedhor ka qenë shtetëror (nga Ministria e Brendshme), ndërsa gjatë regjimit komunist u aplikua modeli “vullnetar” i kontrollit parti-shtet mbi administrimin zgjedhor kohëshkurtër. Me shpalljen e pluralizmit politik u tentua një administrim pluralist, por me një deformim qartësisht antidemokratik nëpërmjet një kontrolli politik-partiak (si në rastin ekstrem të zgjedhjeve të majit 1996 apo në zgjedhje të tjera vendore), ku ndërthurej përfaqësimi i fuqishëm shtetëror (partiak) me atë të dobët opozitar (partiak). Një hap mjaft pozitiv u hodh në kushtetutën e vitit 1998 (neni 153, 154). Aty u përcaktua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kohë të plotë si një institucion kushtetues, me synimin e një administrimi zgjedhor neutral dhe të pavarur (jopartiak). Por, para zgjedhjeve (lokale) të vitit 2003 u bënë ndryshime të tjera të Kodit Zgjedhor, përfshirë dhe parakushtin “apolitik” për anëtarin e KQZ-së (që ai të mos ishte në strukturat drejtuese partiake në nivel qendror e vendor në 5 viteve të fundit). Marifete u bënë dhe në procedurën e zgjedhjes së këtyre anëtarëve nga Kuvendi, Presidenti e KLD-ja, deri duke cenuar thelbin e vetë kushtetutës, natyrën neutrale e kushtetuese të KQZ-së. Kështu, p.sh., presidenti detyrohej të emëronte të dy anëtarë të KQZ-së, jo sipas formulës kushtetuese, por në bazë të propozimeve partiake; apo KLD-ja, ndryshe nga rregulli i zakonshëm, merrte në shqyrtim propozimet e partive kryesore politike. Ndryshime të tjera ishin dhe ato që lidheshin me ndërhyrjet në kushtetutë për të rritur anëtarësinë e KQZ-së (nga 7 në 9 anëtarë), sa për të plotësuar disa orekse politike çasti. Kurse, më 2008, ndryshimi më “fatal” ishte vendimi për suprimimin e KQZ-së si organ kushtetues dhe shndërrimin e tij në një organ partiak me 7 anëtarë të zgjedhur nga kuvendi, katër nga partitë në qeveri dhe tre nga partitë në opozitë. Kështu, nga modeli kushtetues i vitit 1998 u kalua në një strukturë jo kushtetuese, praktikisht militante e dypartiake. E thënë ndryshe, nën trysni jo demokratike politike-partiake u hodh poshtë skema kushtetuese dhe u kalua në një administrim zgjedhor shumë-partiak, më tepër dypartiak, që nga viti 2009. Ndërkohë, siç por rezulton, nevojë absolute e kohës është eliminimi i kontrollit politik, kthimi tek administrimi zgjedhor (kushtetuese ose jo kushtetues) me komisionerë jopartiakë me zgjedhje krejt tjetër apo të përzgjedhur me short brenda kategorive të caktuara. Aq më tepër që Shqipëria, midis shteteve anëtare të NATO-s, por dhe si vend kandidat për në BE, duhet ta shndërrojë me shpejtësi administrimin zgjedhor tërësisht partiak në atë neutral dhe të pavarur; dhe ndoshta, pak më vonë, brenda një dekade, dhe kalimin e tij nën një administrim shtetëror (nën Ministrinë e Punëve të Brendshme apo atë të prefekturave). 
Sigal