Prof. Kristaq Kume:“Ndarja përfundimtare e numrit të mandateve është e drejtë ekskluzive e Kuvendit”

463
Sigal

INTERVISTA/ Prof. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: “KQZ-ja i ka konsumuar të gjitha mundësitë për këtë vendimmarrje”

– Zoti Kume, a është e ligjshme që sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, t’i përcjellë Kuvendit informacion për caktimin e numrit të mandateve?

Referuar Rregullores së Brendshme të Administratës së KQZ-së, e cila vazhdon të jetë në fuqi, Kryetari i KQZ-së administron të drejtën për të autorizuar trajtimin e çështjeve të ndryshme dhe njoftimin për to, të institucioneve të interesuara nëpërmjet kanaleve të administratës së KQZ, respektivisht të sekretarit të Përgjithshëm. Për pasojë, shkresa që sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së i ka dërguar homologut të saj në Kuvend është një korrespondencë normale, që përcjell vetëm informacion në lidhje me çfarë ka ndodhur në KQZ, në lidhje me çështjen e caktimit të numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendi, që do të zhvillohen në 2 qershor 2013. E tepërt dhe e pavend në këtë korrespondencë është bashkëlidhja me të, e vendimit të KQZ-së Nr.2, datë 12.02 2009 “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend të vitit 2009” . Çfarë sot diskutohet ishte dashur të diskutohej më parë në KQZ, në kuadër të hartimit të Rregullores së re. Ishte dashur që kjo Rregullore të hartohej dhe të ishte një ndër produktet e para të punës së këtij institucioni, të riformatuar rishtazi në zbatim të Ligjit nr. 74/2012.

– A quhen të përmbyllura procedurat e parashikuara në Kodin Zgjedhor, për ndarjen e mandateve, kur nuk është arritur konsensusi, kur nuk ka votim për mosmarrjen e vendimmarrjes për ndarjen e mandateve të deputetëve?

– Kodi Zgjedhor, e parashikon prodhimin e një situate të tillë në procesin vendimmarrës të KQZ-së dhe, në nenin 145 ka krijuar hapësirën e nevojshme ligjore, e cila iu mundëson subjekteve të interesuara, ankimimi  në Kolegjin Zgjedhor. Në rast se kjo e drejtë do të përdorej prej ndonjë subjekti, Kolegji Zgjedhor, pasi të deklarohej që e pranonte ankesën, pa e shqyrtuar atë në themel, do të urdhëronte KQZ-në të merrte vendim.  Si dihet, kjo mosvendimmarrje e KQZ-së  nuk u ankimua në Kolegjin Zgjedhor nga asnjë subjekt politik.  Për pasojë u shter edhe mundësia që KQZ-ja të riaktivizohej.  Kjo situatë do të thotë se, referuar kuadrit ligjor në fuqi, KQZ-ja tashmë nuk ka asnjë shteg ligjor për të rimarrë në shqyrtim këtë çështje.

– A mundet Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në një informim nga sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, të nisë procedurën e ndarjes të mandateve të deputetëve?

Detyrimi i Kuvendit për të filluar procedurat për të vendosur për caktimin e numrit të mandateve në zonat zgjedhore të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, rrjedh nga kërkesat e nenit 76 të Kodit Zgjedhor. Nuk është informimi i sekretares së Përgjithshme që e vë në lëvizje këtë institucion. Korrespondenca e saj i shërben Kuvendit vetëm për të patur informacion se cila është situata në të cilën ai po fillon plotësimin e këtij detyrimi ligjor. Kujtoj se është në të drejtën e Kuvendit që edhe në rastin kur, nga KQZ-ja do të kishte një vendimmarrje dhe një produkt të dërguar në Kuvend, ndarja përfundimtare e numrit të mandateve është e drejtë ekskluzive e Kuvendit. E drejtë të cilën ai e realizon nëpërmjet një vendimmarrje me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të pranishëm në seancën e Kuvendit.

– Derisa Nënkryetari i KQZ-së, i kërkoi Komisionit të Ligjeve që KQZ-së t’i rijepet kompetenca e shqyrtimi të ndarjes të mandateve, pasi e kanë marrë informacionin e duhur, për të cilën refuzuan të votonin, a mundet që Komisioni i Ligjeve, Kuvendi t`ia mohojë?

–  KQZ-së i janë shterur mundësitë ligjore për t`a rishqyrtuar këtë çështje. Për t`u riaktivizuar ky institucion është e nevojshme jo vetëm që të dy palët politike të bien dakord për këtë gjë por, të bien dakord edhe që janë duke e anashkaluar ligjin.

-A është kushtetues që Kuvendi që bëjë ndarjen e mandateve për 23 qershorin, me vendim të 2009?

– Mesa duket ligjvënësi e ka parashikuar se mund të ndeshen situata si kjo e tanishmja, ndaj edhe tek nenin 79, pikën 3 e ka formuluar duke filluar me shprehjen:  Në çdo rast numri i mandateve miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Për rrjedhojë,  edhe në rastet kur Kuvendit nuk i vihet në dispozicion informacioni i nevojshëm, për përgatitjen e të cilit Kodi Zgjedhor ngarkon KQZ-në, Kuvendi është i detyruar të marrë vendim për këtë ndarje. Ajo që mbetet pas kësaj, për mendimin tim,  është pjesë e sjelljeve dhe lojës politike që çdo subjekt zgjedhor ka të drejtën e  tij ta bëjë, si dhe për çfarë atij i duket se i intereson.

– Kësisoj, a kemi barazi të votës, mbështetur mbi numrin e popullsisë, sikurse është kriteri themelor i Kodit Zgjedhor?

– Një vendim i Kuvendit, nëpërmjet, të cilit mund të amendohet vendimi i marrë prej tij për ndarjen e numrit të mandateve në zonat zgjedhore të zgjedhjeve të zhvilluar në 2009-n, duke e bërë e vlefshëm atë edhe për zgjedhjet e ardhshme, është një ndër mundësitë që aktualisht ka Kuvendi për të vepruar. E shumta që mund të bëhej në situatën konkrete, do të ishte rënia dakord që t`i kërkohej KQZ-së marrja e një vendimi mbi bazën e të cilit Kuvendit t`i vihej në dispozicion i gjithë materiali që KQZ-ja do të përdorte në rastin kur vendimmarrja për projektin për ndarjen e numrit të mandateve do të bëhej prej KQZ-së.

Komisioni i Ligjeve sot u shpreh se, KQZ-së i është tejkaluar afati ligjor, për të rishqyrtuar edhe një herë ndarjen e mandateve. Mirëpo në 2009-n KQZ-ja e mori vendimin në 5.3.2009, nr 241. Këtë qëndrim kontradiktor i Komisionit të Ligjeve, ju si mund ta shpjegoni?

– Komisioni i Ligjeve nuk e konsideroi mundësinë  e rimarrjes në shqyrtim të kësaj çështje  prej këtij KQZ-së. Nuk është koha,  afati  i parashikuar në Kod  për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë, i cili edhe mund  të mos respektohet, duke përdorur si justifikim edhe precedentin, por është fakti se Kodi nuk ka hapësirë që do të mundësonte rikthimin e kësaj çështje për t`u trajtuar, si e tillë, në KQZ.

-Faleminderit!