Prof.Fehmi Abdiu/ Ratifikimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ngjarje e rëndësishme për drejtësinë shqiptare

473
Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori dhe juristi i njohur Fehmi Abdiu flet për ratifikimin nga ana e shtetit shqiptar të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke e konsideruar ngjarje të rëndësishme për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe për sistemin e drejtësisë
Çfarë përfaqëson ratifikimi i protokollit nr. 16 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut?
Ratifikimi i këtij protokolli është ngjarje me rëndësi për të Drejtat e Njeriut dhe për të gjithë sistemin e drejtësisë. Pas botimit të fletores zyrtare, rastësisht opinioni publik është vënë në dijeni të një fakti me rëndësi, se Kuvendi i Shqipërisë më dt. 7/5/2015 ka miratuar ligjin ratifikues të protokollit nr. 16 të K. E. D. NJ. Ky akt është botuar në fletoren zyrtare nr. 85 dt. 26/5/2015 dhe ka hyrë në fuqi më dt. 10/06/2015. Përveçse sapo përmendëm, asgjë nuk dimë që të jetë thënë apo bërë zyrtarisht më shumë për të. Kjo ngjarje në fakt ka një domethënie me rëndësi shumë më të madhe se shumë ngjarje të tjera për të cilat tek ne bëhet fjalë për ditë e javë të tëra. Pas kësaj ngjarjeje, vendi ynë si shumë vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian ose jo (sepse ka dhe nga ato që e kanë ratifikuar) fiton të drejtën që të parashtrojë para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, procedurat e ngritjes së çështjeve ligjore për të marrë opinione paragjykimore të saj. Pra, në këtë mënyrë fillon të krijohet një “epokë“e re e bashkëpunimit të sistemit gjyqësor shqiptar dhe atij ndërkombëtar, në lidhje me kontrollin kushtetues paragjykimor apo incidental që njihet pak tek ne, edhe pse është përqafuar nga kushtetuta e vitit 1998 që e parashikon këtë institut në nenin 145 të saj, sipas të cilit “Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ato pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjithë gjykatat”.
Cili është qëllimi kryesor i protokollit nr. 16 dhe i përmbushjes së këtij detyrimi nga Kuvendi i Shqipërisë?
Qëllimi kryesor i protokollit të lartpërmendur, mbase duhet vështruar në disa drejtime: Së pari, siç konstatohet nga i gjithë historiku i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe i aktiviteteve të zhvilluara prej vitesh, që kanë për objekt debati këtë nismë, është menduar që të fuqizohet fizionomia e kësaj gjykate. Për ta pajisur atë me një kompetencë plus, por të rëndësishme (që brenda kuadrit vendor e kanë gjykatat më të larta të vendeve anëtare apo Europiane). Së dyti, ndërmarrja e një nisme të tillë do të shërbejë më pozitivisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë ato vende që e kanë përqafuar këtë nismë, pra ka krijuar një mjet më tepër për këtë qëllim madhor, të domosdoshëm për çdo vend demokratik. Së treti, unë e shoh këtë problem të lidhur ngushtë me nevojën dhe domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit midis hallkave e strukturave të bashkimit të Europës. Jo pa rëndësi është insistimi i nismëtarëve që në këtë proces të arrihet edhe një synim ndërkombëtar për të rritur autoritetin e pushtetit gjyqësor dhe ndërkombëtarizimin e këtij bashkëpunimi. Por, çfarëdo të parashtrojmë ne, qëllimi kryesor i kësaj nisme mbetet ajo që është pranuar në preambul, se “zgjerimi i kompetencës së gjykatës për dhënien e opinioneve rekomanduese do të përmirësojë më tej ndërveprimin midis Gjykatës dhe autoriteteve kombëtare, si dhe do të forcojë zbatimin e konventës në përputhje me parimin e subsidaritetit”. Pra që tani, këtë mjet të brendshëm ligjor të rëndësishëm për kontrollin kushtetues, do të kenë të drejtë ta përdorin edhe gjykatat shqiptare, njëlloj siç e kanë ato të shumë vendeve të zhvilluara europiane. Nga koha e ratifikimit të këtij akti, në rendin tonë juridik shqiptar është shtuar një institut, një mjet kontrolli analog me kontrollin incidental ligjor që do të shërbejë për riparimin e gabimeve ligjore, që siç dihet, tek ne vihen re jo rrallë. Pra që nga ky moment, shqiptarët, si subjekte të së drejtës, sigurojnë edhe një mjet tjetër që s’ka ekzistuar më parë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Në këtë mënyrë, ne do të kemi të drejtë te presim dhe të krijojmë një historik, qoftë dhe në mënyrë modeste për marrëdhënie të reja midis gjykatave shqiptare kompetente dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ju flisni për një ngjarje me rëndësi, jo vetëm për organet e sistemit gjyqësor, por edhe më gjerë për gjithë shqiptarët. Si mund ta shpjegojmë faktin, që kjo ngjarje nuk është bërë e njohur për publikun, por edhe për juristët?
Procesit të miratimit, i mungoi transparenca e duhur. Kjo vërejtje është përmendur shumë herë në lidhje me procesin e ligjbërjes, pasi ai është shndërruar dalëngadalë në një proces hermetik, formal, e herë-herë qesharak, sepse raporti i kohës që harxhojnë ligjvënësit tanë për të diskutuar e reflektuar për cilësinë e këtij procesi nuk mund as të përllogaritet, sepse prevalon në mënyrë të çuditshme debate shterpë politike, që vështirë se ka sjellë ndonjë dobi përveçse dëme të pariparueshme. Edhe për këtë rast, ndonëse është miratuar një akt, pjesë e Konventës Europiane me dimensione kushtetuese, askush nuk mori vesh se ishte fjala për një dokument me shumë rëndësi për të Drejtat e Njeriut, për një akt që do të përligjë hyrjen e drejtësisë shqiptare në një etapë të rëndësishme, ku dhe kjo do të iniciojë procese të kontrollit kushtetues për parimet e Konventës, duke vënë në lëvizje Gjykatën e të Drejtave të Njeriut dhe duke tërhequr mendime konsultative për çështje të rëndësishme. Më e pakta që mund të bëhej me rastin e ratifikimit të protokollit të 16-të të Konventës, mendoj se do të ishte, të diskutohej paraprakisht përmbajtja e këtij protokolli, sa për ta njohur e vlerësuar si ngjarje e si dokument, aq dhe për të shfaqur mendime për problemin themelor lidhur me caktimin e gjykatave që mund të kenë të drejtën për të iniciuar procese të tilla, si dhe për të dhënë mendime se si duhet plotësuar kuadri ligjor procedural për të bërë të mundur që këto raste të bëhen funksionale për të plotësuar legjislacionin për këtë qëllim.
Çfarë mund të thoni, në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e veçanta që kanë punonjësit e organeve të drejtësisë, për të vënë në jetë idetë themelore të këtij protokolli të rëndësishëm të Konventës Europiane?
Tani dalin shumë detyra, si për organet e drejtësisë dhe për Kuvendin. Për Kuvendin mendoj se miratimi i këtij protokolli është fillimi i një pune, që do të kërkojë një varg masash të karakterit ligjor dhe organizativ, që lidhen sa me ndryshimin e një mentaliteti që ekziston, se gjoja një veprimtari e tillë do të jetë e vështirë për t’u realizuar, aq dhe me përcaktimin e detyrimeve ligjore e procedurale, që rrjedhin drejtpërsëdrejti nga përmbajtja e protokollit nr. 16, pasi në legjislacionin tonë, qoftë në Kushtetutë, qoftë në kodet e procedurave përkatëse, nuk ka gjetur pasqyrim një status i veçantë, që do të gëzojnë gjykata të veçanta shqiptare për t’iu drejtuar gjykatës europiane për të Drejtat e Njeriut dhe për t’iu kërkuar ndihmën e nevojshme për gjykimin e çështjeve të veçanta, ku reflektohet mbi domosdoshmërinë e aplikimit të përmbajtjes së konventës. Kryesorja për Kuvendin mendoj se duhet të ishte përcaktimi drejtpërsëdrejti në ligj, i gjykatës apo i gjykatave, që do të kenë të drejtë për ta ndërmarrë këtë nismë konkrete. Kjo gjë mendoj se duhej bërë në kohën e duhur, sepse do të kërkojë punë për trajnimin për të njohur rregullat që do të zbatohen në këtë proces, të cilat nuk janë në dorë të këtyre organeve, dhe për të vendosur rregulla për marrëdhëniet ndërkombëtare midis gjyqësorit shqiptar dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Detyra të veçanta pas kësaj do të kenë subjektet pjesëmarrëse në gjykim. Aktorët e gjykimit do të jenë personazhet, që do të jetojnë nga afër me këtë problematikë, prandaj detyra e parë e tyre do të jetë njohja e ideve më të rëndësishme që përmbajtja e protokollit dhe e ndryshimeve ligjore, që duhet të bëhen në bazë, të bëhen edhe për zbatimin e tij. 
Sigal