Prof. Fehmi Abdiu: Kushtetuta duhet të riformulohet me komision parlamentar të posaçëm, jo me amendime të veçanta

485
Dje Kuvendi i Shqipërisë miratoi amendamentet për ndryshime kushtetuese për dekriminalizimin. Pas disa javësh, sërish priten të miratohen edhe ndryshime kushtetuese për reformën në drejtësi dhe më vonë për Sistemin Zgjedhor. Prof. Femhi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se duhet të ngrihet një Komision Parlamentar për ndryshime kushtetuese, sikurse është vepruar sa herë, pasi ka ardhur koha që të riformatohet Kushtetuta jonë. Prof. Abdiu thekson se ndryshimet në Kushtetutë, veç këto që janë përmendur, duhet të prekin edhe kompetencat e Presidentit, të ribëhet ligji për partitë politike, të ndryshohet Sistemi Zgjedhor, si edhe të tjera ndryshime, që t’i paraprijnë proceseve të integrimit të Shqipërisë. Sot Komisioni i Venecias do të diskutojë draftet e palëve politike për reformën në drejtësi dhe Prof. Abdiu thotë se ,“Mendoj se Komisioni i Venecias ka rezerva për draftet e reformës zgjedhore, që i janë dërguar për vlerësim, si për metodën e ndjekur, si për thelbin e problematikës të prezantuar nga palët politike”. Për ligjin e dekriminalizimit që u votua në Kuvend dje, Prof. Abdiu thotë, se dekriminalizimi fillon nga hetimi i pasurisë së gjithsecilit, politikan, gjyqtar, prokuror, nëse duam të bëjmë vërtet katharsin. 

-Prof. Abdiu, dje Kuvendi miratoi amendime për ndryshime kushtetuese për dekriminalizimin, ndërkohë që do bëhen sërish ndryshime të tjera kushtetuese për reformën në drejtësi. A duhet ndryshuar kështu Kushtetuta, parcela-parcela?
-Tani ka ardhur koha, kur faktorët politikë të mendojnë për të riformuluar Kushtetutën e re, e cila thelbin do ta ketë te kjo Kushtetutë që kemi tani. Për këtë, në një kohë të afërt Parlamentit do t’i duhet që të fillojë të aplikojë ato procedura që u bënë për miratimin e kësaj Kushtetute që kemi. Praktika për të bërë Kushtetuta me ekspertë dhe vetëm me ekspertë, për mua është e gabuar. Sado përgatitje profesionale të kenë ekspertët, kurrsesi ata nuk mund ta kenë pavarësinë për të hartuar Kushtetutë, sepse Kushtetuta është një akt politik. Në këtë akt themelor të shtetit, kontributin kryesor duhet ta japë politika. 

-Atëherë, cili është hapi i parë që duhet të ndërmerret?
– Së pari, krijohet një komision parlamentar, i cili më vonë, do të plotësohet, do të ketë edhe grupime ekspertësh, për t’i ndihmuar, këshilluar, për t’u hapur horizontin për mirëvajtjen e punës. Veprimtaria për të bërë një Kushtetutë të re, kurrsesi nuk mund të lihet në dorën e ekspertëve të veçantë. Unë mendoj, që për një periudhë 2-3 vjeçare duhet të bëhet një Kushtetutë e re e Shqipërisë. 

– Përse sot, Shqipërisë i duhet një Kushtetutë e re?
– Një Kushtetutë e re do të sillte një ridimensionim në pjesëmarrje në të të një sistemi zgjedhor të ri, për të shkuar te sistemi zgjedhor mazhoritar, ku përzgjidhen me votën e drejtpërdrejtë të popullit vlerat e kandidatëve që do të bëhen deputetë, ku të shmangen përzgjedhja e elementëve të inkriminuar që u bënë deputetë, edhe falë këtij Kodi Zgjedhor që kemi sot. Ky Kod Zgjedhor e shkëputi elitën politike nga njerëzit që e votojnë. Do të duhen dimensione të reja kushtetuese edhe për probleme të tjera, ndryshime të tjera për qeverinë, ndryshime të tjera për Presidentin, që faktikisht bëhen ndryshime, kufizime të kompetencave të Presidentit, por që bëhen me ligje të veçanta që shpesh ato bien ndesh edhe me frymën e Kushtetutës. Në këtë vorbull politike, duhet të bëhet detyrimisht ligji “Për partitë Politike”, për aq kohë që ne pranojmë që partitë politike janë faktorë me rëndësi shtetformues, në Shqipëri nuk mund të ecet më me atë ligjin që kemi ende për partitë politike, i bërë 25 vjet më para, që shumë gjëra i mungojnë dhe nuk përcakton shumë gjëra dhe detyrime që duhet të përballohen nga partitë politike. Nuk mund të pranojmë ne që çdo parti politike që del në opozitë të ketë të drejtën të bëjë çfarë të dojë, dhe si të dojë me pasurinë e përbashkët, duke spekuluar me të drejtën për grevë dhe mitingje. Ligji për partitë politike ka nevojë të ristrukturohet në tërësi, edhe partitë politike duhet të vihen në shërbim të njerëzve të tyre dhe jo njerëzit të vihen në shërbim të partive. Partitë politike dhe parlamenti duhet detyrimisht të ndryshojnë koncept, lidhur me transparencën që duhet të kenë në çdo hap të veprimtarisë së tyre përpara popullit, sepse qeverisin në emër dhe për llogari të tij. 

– Ndërkombëtarët janë bindur që kjo klasë politike nuk do të bëjë operacion të thellë me reformën në drejtësi, pasi krimi dhe korrupsioni janë pjellë e kësaj klase politike. A duhet që ndërkombëtarët të publikojnë faktet e krimit dhe të korrupsionit që ata kanë për politikanët tanë?
– Në Shqipëri ndodh, mesa duket, që faktori ndërkombëtar, e veçanërisht diplomatët, shkojnë aq thellë në kërkesat e tyre, siç është rasti konkret për reformën në drejtësi. Unë mendoj që ata kanë shumë rezerva midis vetes nga ajo çfarë dinë, çfarë vëzhgojnë, çfarë kontrollojnë, për gjendjen reale dhe për përpjekjet për ta ndryshuar. Por, nuk mund të them se janë të gjithë faktorët politikë që nuk e duan reformën në drejtësi. Kjo mazhorancë, tregoi, që së paku ka qenë nismëtare për ta filluar reformën në drejtësi. Por mënyra sesi u procedua, hapat e marra, puna e bërë herë-herë të bën të dyshosh se kjo veprimtari nuk është nisur me seriozitetin dhe maturinë e duhur. Sipas meje, nuk duhet, që në emër të reformës, të spekulohet e të bëhen gabime drastike. Kjo mazhorancë, në raportet që krijoi me opozitën duhet të jetë më luajale, ta ftonte që të niste procesi i reformës në drejtësi nga të dy palët politike bashkë. Prandaj them, që praktika e hartimit të amendamenteve të Kushtetutës me ekspertë nuk jep rezultatet e duhura, sepse pa mbështetjen konsensuale të politikës, është mjaft e vështirë. Komisioni Parlamentar dhe eksponentët e politikës duhet domosdoshmërisht që të kenë konsensusin e të të gjithëve, siç u bënë përpjekjet që në Kushtetutën e parë të 1992- 1994, ku, 3 grupimet politike, duke marrë pjesë në komisionin parlamentar për Kushtetutën, ato shfaqën parimisht dëshirën për ta bërë ndryshimin dhe sot, këtë dëshirë duhet ta kishin shfaqur që në fillim për reformën në drejtësi dhe nuk do të ishte vonuar kaq shumë ky proces. 

– Deri tani, publikimi i fakteve për politikanë të inkriminuar është bërë nga ndërkombëtarët dhe jo nga institucionet shqiptare. Katharsi i politikës nga të inkriminuarit, mendoni se do të vijë nga reformat, nga ligji i dekriminalizimit apo nga publikimi i dosjeve që kanë ndërkombëtarët?
– Me ligjin e dekriminalizimit, që shpresoj të miratohet sa më parë, mendoj se politika do të detyrohet të pastrojë disa nga radhët e veta nga të dy kahet politike, por ky do jetë një hap fillestar, por katharsi duhet të bëhet edhe në pushtetin vendor, edhe në administratën shtetërore të lartë. Ky proces duhet të trajtohet si një proces i vazhdueshëm. Nëse pastrojmë 3 elementë sot, nuk duhet të mendojmë se u zgjidh problemi i inkriminimit të politikës shqiptare. Duhet të jetë standard, të jetë normë ligjore që në postet drejtuese, të zgjedhur, të emëruar, në poste ku vendoset për fatin e njerëzve, të jenë drejtues dhe të zgjedhur me integritet, të jenë të pastër, të ndershëm, të përgjegjshëm dhe profesionistë. Kjo mund të arrihet kur në konkurset që zhvillohen, kërkesat të jenë rigoroze, për të gjetur më të mirin dhe jo më militantë. Kjo arrihet vetëm nëpërmjet një procesi transparent, për të eliminuar miqësitë, tarafin, militantët partiakë. Para 3 vjetësh, me konsensus u miratua edhe ligji për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve. Asnjë efekt pozitiv nuk dha ai ligj. 

– Përse duhet të mendojmë që, ky ligj i dekriminalizimit dhe reforma në drejtësi nuk do të pësojnë atë fat të ligjit të heqjes së imunitetit?
– Edhe kjo reformë, në qoftë se do të niset vetëm nga ky fakt, për të goditur disa gjyqtarë, prokurorë apo zyrtarë të lartë, të penalizuar, do të arrijë diçka shpejt e shpejt, por menjëherë, kjo punë do shuhet dhe nuk do ketë asnjë vlerë. U bënë 6 vjet luftë politike për heqjen ose jo të imunitetit. Sot, themi që gjithë spekulimi që u bë për të hequr ose jo imunitetin deputetëve dhe gjyqtarëve, ka qenë për spekulime politike të secilës palë, për të marrë stafetën e hakmarrjes kundër kundërshtarit. 

– Para disa javësh në Shqipëri erdhi edhe kryeprokurori i Kroacisë dhe këshilla e vetme që dha për luftën kundër korrupsionit, ishte që hetimi të fillojë paraprakisht nga pasuria që kanë politikanë, gjyqtarë, prokurorë. Mendoni që edhe në Shqipëri do fillojë hetimi nga pasuria e gjithsecilit?
– Po, në çdo vend tjetër ish- komunist, lufta kundër korrupsionit ka filluar nga hetimi i pasurisë. Ne, në fakt, bëmë një ligj, detyrimin e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe deputetë, që të bëjnë çdo vit deklaratën e pasurisë. U krijuan edhe institucione kushtetuese e shtetërore për këtë qëllim, por nuk u dhanë rezultate të dukshme pozitive të këtyre institucioneve për të hetuar, denoncuar rastet skandaloze që lidhen me pasuritë e zyrtarëve të lartë dhe deputetëve. Nuk ka si shpjegohet fakti që zyrtarët e rinj të jenë pasuruar pafundësisht, në raport me njerëzit që kanë punuar shumë herë më shumë vite se ata dhe të mos u kërkojë asnjë llogari në Shqipëri? Si ka mundësi që një punonjës i drejtësisë të ketë 3, 4, 5 milionë euro, në 3-4 vjet punë? 
– Mendoni se reforma në drejtësi, do të japë edhe këto përgjigje?
– Mendoj që kjo duhet të jetë parësorja që duhet të pretendojmë kësaj here nga reforma në drejtësi. Të kontrollohet në mënyrë rigoroze pasuria e secilit dhe aty ku duhet, se haptazi ka të dhëna që nuk justifikohen këto të ardhura me punën, me trashëgiminë, atëherë të fillohet çështja penale, kushdo qoftë ai. 

– Ju si e cilësoni projekt-ligjin e qeverisë për shpifjen?
– Ai projektligj ishte një gabim. Problemi i shpifjes u diskutua atëherë gjatë dhe mezi u hoq me këmbënguljen e Këshillit të Europës. Por si qenia dhe mosqenia e këtij ligj për shpifjen ka pozitivet dhe negativet e saj. Unë mendoj se ky projektligj nuk mund të miratohet sërish. 

– BE kërkon domosdoshmërisht miratimin e reformës në drejtësi. Ndërkombëtarët do të mjaftohen vetëm me miratimin formal të kësaj reforme?
– Nuk është rastësi që ambasadorët e huaj në Tiranë ditët e fundit këmbëngulin me forcë për miratimin e reformës në drejtësi. Në fakt, kjo këmbëngulje është një ultimatum për politikën shqiptare. Pra, ata janë të pakënaqur deri tani nga ecuria e procesit. Reforma në drejtësi u nis mbi një mentalitet jo shumë të qartë, të saktë, të drejtë, dhe jo parashikues, duke menduar se kjo reformë do të hiqte disa gjyqtarë të korruptuar. Pritshmëria e kësaj reforme duhet të jetë që të ndërtojmë një legjislacion në nivelet e vendeve perëndimore, që të ketë më shumë mundësi të zbatojë standardet që lidhen me të drejtën e gjyqtarëve për pavarësinë e tyre, që të lejojë mundësinë për të kontrolluar veprimtarinë e çdo gjyqtari. Të lejojë hetimin ndaj çdo gjyqtari për çështje korrupsioni apo dhënie të padrejtë të vendimeve. Njerëzit duhet të shikojnë një kthesë të drejtësisë në aspektin e cilësisë të dhënies së vendimeve gjyqësore, si dhe të përfundimit të gjykimeve brenda një kohe diametrikisht të kundërt me praktikën e deritanishme sot në gjykata. Duhet të futen afate rigoroze për shqyrtimin e çështjeve penale, civile, që ajo kërkesë që është vendosur në Konventën Europiane të të drejtëve të Njeriut, të afateve, të mos lihet në dëshirën e çdo gjyqtari, prokurori. 

– Ambasadori amerikan Lu, por edhe të tjerë publikisht deklarojnë hapur për politikanë, gjyqtarë të korruptuar, deputetë kriminelë, por përse nuk kemi asnjë reagim? Të mendojmë se do të veprohet pas kësaj reformë?
– Deklarimet e ambasadorit amerikan Lu, të bëjnë të mendosh se Donald Lu ka thënë shumë, pret shumë, por vazhdon të ketë rezerva të mëdha për çfarë ka pritur nga politika shqiptare, të cilat akoma nuk i ka shprehur të gjitha, por ka dhënë paraprakisht ultimatumin. Ambasadori Lu, paralajmëroi, që nëse nuk shkon si duhet reforma, ata, do të thonë se cilët, me emra ndoshta nuk e duan. 

– Çfarë presim nga Komisioni i Venecias, që do shqyrtojë draftet e reformës në drejtësi, më 18 dhjetor?
– Mendoj se Komisioni i Venecias ka rezerva për draftet e reformës zgjedhore, që i janë dërguar për vlerësim, si për metodën e ndjekur, si për thelbin e problematikës të prezantuar nga palët politike. Gjithsesi reforma nuk mund të quhet e përfunduar vetëm me ndryshimet kushtetuese që mendohet të bëhen, të cilat duhen bërë pa humbur kohë, të jenë cilësore, të pranohen për zgjidhje ato që janë më efektive, të pranueshme dhe më të aplikueshme për kushtet e Shqipërisë. Alternativat që kanë dhënë palët politike, mund të mos jenë antikushtetuese, natyrisht që janë të gjitha demokratike, por e rëndësishme është që të zgjidhen ato që janë më të dobishme për ne. 

– Si do të veprojë, më 18 dhjetor Komisioni i Venecias derisa në tryezë ka 3 drafte dhe jo një të unifikuar dhe si mund të gjykojnë ata, cilat zgjidhje janë më të dobishme për Shqipërinë?
– Ekspertët e Komisionit të Venecias do të japin vlerësimet e tyre, sipas problematikës parashtron për çdo problem, sepse në drafte janë shumë probleme. Për secilin problem Komisioni i Venecias mund të japë mbështetjen më pozitive për njërën apo tjetrën variant. Nuk do të japin vlerësime të veçanta për secilin variant, por, mbase do të orientojnë që të pranohet për secilin problem, për secilin institucion, njëra nga opsionet e parashtruara. 

– Cili do të jetë hapi më i rëndësishëm i reformës në drejtësi?
– Do të jetë faza e dytë, ose e implementimit të reformës në drejtësi, e fillimit të zbatimit në praktikë të kësaj reforme, sepse do të duhen të harmonizojnë e bashkëpunojnë punën shumë faktorë. Do të duhet që urgjentisht të fillojë puna për të nxjerrë paketat e ligjeve që kanë rëndësi bazë dhe për zbatimin e dispozitave përkatëse të draftit. Janë mbi 20 rekomandime për të nxjerrë një ligj për secilin prej tyre. Do të duhet që të ndryshohen, të plotësohen, të amendohen të gjithë, legjislacioni bazë që ka të bëjë me ligjet organike, që lidhen me drejtësinë, për çdo institucion të Gjyqësorit, që do të ndërtohet pas kësaj reforme, si strukturat që kanë të bëjnë me kontrollin, strukturat për vlerësimin, për emërimin, por edhe për ato ekzistuese, sepse do të ndryshohen shumë kompetenca të tyre dhe mënyra e funksionimit të tyre. 
– Faleminderit!
Sigal