Prof. Fehmi Abdiu: Komisioni i Venecias nuk është arbitër të gjykojë 3 draftet e reformës në drejtësi

715
Prof. Fehmi Abdiu, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në interivstën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar draftin e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, së pari pohon se është gabim që Komisionit të Venecias iu dërguan 3 drafte nga politika jonë, pasi Komisioni i Venecias nuk është arbitër, për të mbajtur një qëndrim e të mohojë qëndrime të tjera. Prof. Abdiu, shpeh kritikën edhe pse specialistët e Komisionit Parlamentar paraqitën një draft, kur duhej të paraqitnin alternative, ku mbi to, politika të vendoste. Prof Abdiu, atakon edhe projektin për strukturën e Gjyqësorit, për mandatet 12 vjeçare, për ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe jo edhe të kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësort, sepse formula që është në draft, ka rrezik të krijojë lobe dhe të dëmtojë vendimmarrjen. Prof. Abdiu shpreh mendimin se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë më të gjëra dhe më të plota. 
-Zoti Abdiu, klima politike e tensionuar për dretjësinë, a do të ndikojë edhe në produktin e reformës që përgatitet?

– Personalitetet kryesore të politikës nuk kanë pushuar për të bërë akuza, me vend dhe pa vend ndaj drejtësisë. Si rrjedhojë e fryrjes të gjendjes në drejtësi, si rrjedhojë e politikës së keqe që e ka pjellë vetë këtë drejtësi, kjo politikë tani mundohet të justifikojë veten e vet, duke e goditur drejtësinë, si edhe shumë faktorë të tjerë, për momentin duket se ndikojnë negativisht ndaj drejtësisë, sepse edhe kjo e fundit, megjithëse konstaton shumë reagime ndaj saj dhe shumë pretendime të të tjerëve, vetë hesht. Unë mendoj se kjo klimë jo e mirë, ka rrezik të ndikojë edhe te qëndrimi që do të mbahet gjatë kohës që do kryehen veprime reale për reformën në drejtësi. Unë mendoj se, edhe pse situata është disi pesimiste, ka vend që të flitet më shumë, për të evidentuar edhe ato vlera që ka ky pushtet, ashtu siç janë. Unë mendoj, se reforma në drejtësi nuk do të përfundojë kaq shpejt, sa ishte menduar. 
– Çfarë presim nga Komisioni i Venecias, derisa iu dërguan për të vlerësuar 3 drafte për Reformën në Drejtësi, nga Komisioni Parlamentar përkatës, nga PD dhe nga LSI?

– Reforma në drejtësi, fillimisht u vlerësua jo në mënyrë realiste, lindën shumë probleme, shumë gjëra. Sot Komisionit të Venecias i janë përcjellë 3 grupime materialesh. Unë e shikoj problemin jo shumë të lehtë për të t’u zgjidhur shpejt. Mendoj se do të ketë shumë vonesa, sepse Komisioni i Venecias punon sipas nëj plani të caktuar, jo permanent, ai mblidhet 4 herë në vit dhe nuk dëshiron, ose nuk ka në praktikën e vet të japë përgjigje të shpejta për probleme që janë shumë të rëndësishme. Unë mendoj se kjo praktikë është e gabuar. Komisioni i Venecias nuk do pajtohet me këtë qëndrim të palëve shqiptare. Para Komisionit të Venecias, si rregull, paraqiten opinione unike, të njëjta, të përbashkëta, të diskutuara, për të cilat janë bërë përgjithësime, jo mendime të veçanta. Komisioni i Venecias nuk është arbitër, për të zgjidhur, për të mbajtur anën një qëndrimi dhe për të mohuar qëndrime të tjera. Mendoj, se Komisioni i Venecias nuk do ta pranojë, ose-ose, në fund të fundit, do të kërkojë që draftet e të tre palëve politike shqiptare për Reformën në Drejtësi, të shkojnë t’i paraqesin, të bëjnë debatin e tyre në prani të specialistëve të Komisionit të Venecias, që do t’i dëgjojnë me vëmendje, edhe njëherë nga e para.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi, zoti Xhafa, ka thënë se tashmë presin vlerësimin e draftit nga Komisioni i Venecias, që të vijojë puna e mëtejshme. Ju sapo thatë që me 3 drafte, Komisioni i Venecias nuk bëher arbitër. Atëhere, çfarë bëhet?

– Nuk do të ketë rezultate pozitive, nëse nuk përfundon me një draft të vetëm, që të jetë si rrjedhojë, mundësisht e konsensusit të të gjithë palëve, ose, në fund të fundit, një konsensus maksimalisht të mundshëm. Nuk do ketë konkluzione me 3-4 lloj draftesh, që shkojnë në Komisionin e Venecias. 
– Sipas mendimit tuaj, cili është dallimi esensial i drafteve nga njëri-tjetri, që i janë përcjellë Komisionit të Venecias, për reformën në drejtësi?

– Me infon që kam, vë re se për problemet themelore te drejtësisë, draftet harmonizohen. Për probleme të veçanta, ato kanë kundështi. Do të ishte shumë frytdhënëse që ato kunndërshti të ishin shoshuar, ose, për aspekte shumë të veçanta, që mund të jenë shumë të pakta, t’i paraqiteshin me alternative, Komisionit të Venecias. Por jo, kurrsesi nuk duhet, që t’i paraqiten nga palët, si 3 drafte më vete.
– Opozita kërkon në draftin e saj, të mos preken kompetencat e Presidentit për Drejtësinë, por edhe mënyra e zgjedhjes së tij. Mendoni se ky qëndrim i kundërt politik, do të përbëjë ngërç për mosdhënien e konsensusit?

– Problemi i zgjedhjes së Presidentit, i rolit të tij, i pjesëmarrjes së tij në KLD, është debatuar shumë. Unë kam nënvizuar faktin se është mëse e domosdoshme që të riparohen gabimet kushtetuese të 2008 për zgjedhjen e Presidentit. Pa rikthimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, mundësisht në praktikën e para 2008, nuk mund të ketë President që të përfaqësojë unitetin e popullit. Nuk mund të kemi një president, siç e kërkon Kushtetuta, të jetë vërtet kryetar i shtetit. Nuk mund të jetë një president shumë i besuar, nuk mund të jetë një president shumë cilësor, kur nuk zgjidhet përmes shumë kandidaturave. 
– Edhe drafti i maxhorancës, nuk e parashikon që zgjedhja e presidentit të bëhet siç ishte para 2008. Është një shans i humbur?

– Ka ardhur koha dhe do të ishte shumë më mirë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm një President i zgjedhur nga populli do të ketë më shuëm autoritet, respekt, figurë shteti. Zgjedhja e Presidentit me 71 vota nuk duhet të ekzistojë, absolutisht në Shqipëri. Ajo zgjedhje do të jetë krejt formale dhe do të çojë në atë post të lartë, gjithmonë njerëz, që do të jenë mëkëmbësit e atyre që fitojnë zgjedhjet. President i tillë do të jetë mëkëmbësi i kryeministrit. Prandaj, duket konsideruar absurditet, zgjedhja e Presidentit me 71 vota. 
Në ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, parashikohen që mandatet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, të jenë 12 vjet, ndërsa i Kryeprokurorit 9, ose 12 vjet. Është ndryshim i duhur? Mos është i parakohshëm?

– Ky ndryshim i propozuar, përsa i përket kohëmandatit të anëtarëve të Gjykatave më të larta të vendit është pozitiv. Kjo është sanksionuar, dekadat e fundit, edhe në kushtetutat e vendeve të tjera, me idenë dhe qëllimin se, një anëtar i Gjykatës së Lartë, apo Kushtetuese, duke u zgjedhur për një afat të gjatë, 12 vjeçar, apo 9 vjeçari për Kryeprokurorin, do të ndikojë pozitivisht, për të krijuar kushtet për një pavarësi reale të tyre ndaj politikës. Por, edhe kjo kjo, në mentalitetin shqiptar, kam frikë, dyshoj se do të ketë ndikime negative, sepse gjyqtarë, juristë të papërgjegjshëm, nëse arrijnë ta kapin poste të tilla, kam frikë se do të fillojnë të spekullojnë me jetëgjatësinë e mandatit të tyre. Gjithsesi, është një formulë, që pranohet. Ne e patëm, këtë formulë, me mandate 12 vjeçar, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, para 1998 dhe me Kushtetutën e 1998 e bëmë 9 vjet. Tani rikthimi te mandatit 12 vjeçar, më duket pozitiv, por i diskutueshëm.
– Cili është gjykimi juaj, për strukturën e re të Gjyqësorit, që është menduar në draftin e propozuar nga Komisioni Parlamentar i reformës në drejtësi?

– Përsa i përket zgjedhjes të anëtarëve të Gjykatës Kushtetues, së Lartë, unë mendoj se ka vend për t’u diskutuar gjatë. Formula që ishte, vërtet detyronte Presidentin dhe Kuvendin të bashkëpunonin, mund të përsosej ajo formulë që ishte, duke përcaktuar detyrat e secilës palë, si të Presidentit, ashtu siç është vendosur, për organizmin që merret me përcaktimin e kandidaturave, dhe të Parlamentit, për t’i vendosur detyrimin për t’i shqyrtuar kandidaturat për një periudhë shumë të shkurtër, për të mos lejuar asnjëherë vakuume ligjore në këto institucione. Kështu siç është kërkuar përzgjedhja, unë mendoj se nuk do sjellë ndonjë gjë të re, më pozitive në këto institucionë, ashtu siç mendoj se shumë e e diskutueshme është që trupa e këtyre institucioneve të Gjyqësorit zgjedh drejtuesin e tyre. Zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, e Gjykatës së Lartë, dhe pse jo, edhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga rradhët e anëtarëve, mua nuk më duket se do të jetë më efektive, më pozitive nga mënyra që ka qënë deri tani.
– Përse e kontestoni?

– Sepse, kjo zgjedhje, kjo formulë ishte përqafuar në dekadat e kaluara në Kushtetutat e vendeve të ndryshme, si edhe në Kushtetutën tonë të parë dhe u ndryshua, si te ne, edhe në vendet e tjera, me arësyetimin se kjo kjo formulë zgjedhjeve e drejtuesit të institucionit krijon grupazhe brenda rradhëve të trupës gjyqësore. Ata, duke synuar që secili të jetë i pari i institucionit, detyrimisht do të përpiqet që të bëjë lobing te të tjerët dhe trupa do të parcelizohet nga 3 e 4 anëtarë, që do ta kenë të vështirë që të përafrohen me grupime të tjera dhe kjo përçarje, sipas mendimit tim, do të ndikojë doemos, edhe në veprimtarinë vendimmarrëse. Pra, në doktrinë dhe në praktikë, kjo mënyrë të konceptuarit të zgjedhjes së titullarit të institucionit të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, dhe të Kryeprokurorit, është konsideruar si një mënyrë që më shumë ndikon negativisht, sesa pozitivisht. 
– Pra, ju mbroni formulën, që titullari të emërohet nga institucione të tjera vendimmarrëse?

– Nëse kryetari i Gjykatës së Lartë, Kushtetuese dhe Kryeprokurori emërohen me mençuri, sipas vlerave, sipas kontributeve, në përgjithësi, kjo procedurë është mirëpritur nga e gjithë trupa. Së dyti, dhe më kryesorja, vërtet, duket se e largon zgjedhjen dhe titullarin e institucionit nga politika, me formulën që është propozuar tani, por nuk është kështu, veçanërisht për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Nuk është normale që kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor të zgjidhet nga rradhët e anëtarëve dhe, për më keq, vetëm nga rradhët e anëtarëve që zgjedh Kuvendi. Kështu krijon vetë Kushtetuta, vetë ligji “diskriminim” midis anëtarëve, ku disa anëtarë kanë të drejtën të konkurojnë për t’u bërë kryetar, e disa të tjerë, jo. Ky është një qëndrim, sipas meje, jo shumë i sinkronizuar me standartet bashkëkohore kushtetuese. Dhe kryetari, duke u zgjedhur vetëm nga anëtarët që çon Parlamenti, domosdo ky kryetar do të jetë i politizuar. Dhe, sido që të jetë, ngado që të jetë ky kryetar, i ardhur nga kandidatuarat vetëm të Parlamentit, nuk do të jetë në nivelin e ish drejtuesit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që sot është Presidenti. Sepse, vërtet ai është Kryetar i KLD, por punën e përditshme dhe funksionet e zakonshme i përmbush nënkryetari dhe anëtarët e tjerë. Ndaj edhe formula e propozuar për drejtuesit e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, duhet riparë. 
– Po ndërpreja e mandatit të kryeprokurorit të tanishëm, pas 3 muajsh, pasi miratohet kjo reformë, kur ndërkohë, nuk ndërpritet mandati i Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, a nuk është një qëndrim i njëanshëm?

– Veç formulës së propozuar për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të institucioneve të Gjyqësorit, bie në sy edhe propozimi, që të ndërpritet mandati i Kryeprokurorit dhe kryetarit të KLD dhe ndryshe është menduar për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë mendoj se dy mënyrat e ndryshme të konceptuarit të këtij problemi, nuk shkojnë. Është e domosdoshme që të ketë një standart. Nëse interesat publike, interesat e rëndësishme të vendit, e duan që të preken interesat personale të të mandatuarve dhe të mandatave, pra të justifikohet me ato përjashtime që lejohet në nenin 17 dhe 18 të Kushtetutës, duhet të mbahet i njëjti qëndrim: Domethënë, të ndërpriten të gjitha mandatet e kryetarëve të institucioneve të Gjyqësorit. Por, kjo, mënyra e të vepruarit, aplikohet në rastet shumë të rralla. Por, nuk e quaj normale, që të ketë që në disa institucione të ndërpritet mandate kushtetues i drejtuesit, dhe në disa të tjera, të mos ndërpritet. 
– Mos vallë ky veprim, ndërpreja e mandatit vetëm për disa drejtues të Gjyqësorit, është një qëndrim i pastër politik, i ndërmarrë në emër të reformës?

– Unë nuk e them këtë, por të gjithë ata që kanë mendim të kundërt, kanë të drejtë që ta thonë. Unë vetë nuk e besoj se bëhet enkas për këtë punë, por dyshimet lindin. 
– Ka një mendim, që është shprehur nga nënkryetari i LSI, Ylli Manjani, i cili thotë, se “Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Komisioni Parlamentar i reformës në drejtësi, do ta cenojnë pavarësinë e Gjyqësorit. Ju çfarë mendimi keni?

– Largimi i Presidentit nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, zgjedhja e titullarëve, ndërprerja e mandateve, zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, e shumë faktorë të tjerë, këto procedura të reja, që kërkohet të ndryshojnë nga procedurat aktuale, është mendimi që nuk bëhen për të forcuar pavarësinë e Gjyqësorit. 
– A duhej që ekspertët (vendas dhe të huaj) e Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi, të jepnin vetëm një variant, apo të jepnin alternativa?

– Kjo është një pyetje me shumë rëndësi dhe është vërtet esenciale. Në komisionet punohet me alternativa. Parashtrohen qëndrime dhe zgjidhje dhe kur bëhen ndryshime nga formulat ekzistuese të dispozitave, së pari, arësyetohet dhe argumentohet përse bëhet ky ndryshim. Në draftin e këtij komisioni, kjo është reflektuar shumë pak. Së dyti, çështjet që juridikisht janë të diskutueshme, (dhe në draft, shumica e tyre janë të diskutueshme), sepse shumë Kushtetuta të vendeve të tjera, që kanë zgjidhje të këtij lloji dhe shumë nga ato që kanë zgjidhjet që përmban Kushtetuta jonë, të gjitha janë demokratike, të gjitha pranohen se janë normale. Dallimi, veçse në vende të ndryshme, secili zgjedh kë alternativë mendon për më të mirë, në kushtet e vendit të vet. Por, meqënëse ekzistojnë pikëpamje të ndryshme, fjala vjen, midis problematikës që parashtron maxhoranca dhe problematikës që parashtron opozita sot për prokurorin e Përgjithshëm, atëhere, do të ishte e dobishme, që specialistët e Komisionit Parlamentar të parashtronin disa alternativa. Komisioni të parashtronte shumë nga ato dispozita thelbësore, variantet, edhe të njërit qëndrim, edhe të palës tjetër. Prova, edhe “pro” njërit qëndrim, edhe “pro” qëndrimit tjetër. Kjo nuk është bërë kështu. Problematika, mangësi të draftit të Komisionit të reformës në drejtësi ka plot. Kam përshtypjen që ky komision fillimisht, e konceptoi këtë reformë në drejtësi, disi më ndryshe nga çfarë del tani. Tani kjo reformë duket shumë më dimensionale. U nis reformë në Gjyqësor dhe drafti tani ka shumë ndryshime, të tjera, që nuk kanë të bëjnë vetëm me drejtësinë, por edhe me problematika të tjera, që i nxjerr koha. 
Sigal