Prof. Fehmi Abdiu/ Ja cilat nene të draftit të reformës në drejtësi do të prekë Komisioni i Venecias

486
Prof. Fehmi Abdiu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf”, thotë se Komisioni i Venecias do të kontestojë disa nene të draftit të paraqitur nga Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësi, sikurse janë mandatet e institucioneve që do të ndërpriten, mënyra e zgjedhjes së titullarëve të institucioneve të sistemit të drejtësisë, roli i presidentit, etj. Prof. Abdiu konstaton se edhe vetë Presidenti nuk ka të qarta konceptet kushtetuese, derisa kërkon Gjykatë Speciale. Prof . Abdiu pohon se rekomandimet e Komisionit të Venecias do të jenë transparente, do të publikohen, ndërsa forcat politike në Shqipëri duhet t’i miratojnë me konsensus, për të shmangur acarimet dhe qëllimet e tyre partiake në reformën në drejtësi. 
– Zoti Abdiu, rekomandimet dhe opinionet që do të japë në fund Komisioni i Venecias për reformën në drejtësi, a duhet të vihen në pikëpyetje nga politika jonë?

– Politika duhet t’i miratojë ato me konsensus dhe të vërë detyra përpara organeve të ndryshme, sepse, sido që të jenë dhe të miratohen të gjitha këto propozime të reformës në drejtësi, që do miratohen shumë prej tyre, ashtu siç nuk do miratohen një pjesë prej tyre, ato që do miratohen, do imponojnë autoritetet shqiptare të punojnë intensivisht, sepse e gjithë kjo punë duhet të shoqërohet me një reformë të gjithanshme, me ligje, organike dhe të zakonshme, që duhet të dalin për ta bërë të zbatueshëm këtë reformë në drejtësi. Me masa organizative, për të krijuar organe të ndryshme, që sipas draftit që i është dorëzuar edhe Komisionit të Venecias, janë të shumta, bile edhe të tepërta, që nuk duhet të jenë edhe aq me masa organizative për të kompletuar, rregulluar, plotësuar, mentalitetin ndërgjyqësor.
– Vlerësimet dhe opinionet që do të japë në fund Komisioni i Venecias, a do të bëhen publike?

– Domosdo, vlerësimet e Komisionit të Venecias duhet të botohen. Duhet të njihet mbarë publiku me ato. Absolutisht duhet të bëhen publike ato vlerësime. Veprimtaria e Komisionit të Venecias është shumë transparente, ata çfarëdo që japin si rekomandime dhe opinione, i publikojnë, i botojnë, i gjen edhe në sajtet e saj në internet. Ndaj unë them se publikimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për draftet e reformës tonë në drejtësi, që do të shqyrtojë, do të jetë gjëja më e domosdoshme edhe për një arsye tjetër. Për të qartësuar, për të ndërgjegjësuar palët, që në mënyrë të heshtur dhe të ndërgjegjshme, të pranojnë konkluzionet, vlerësimet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të tolerojnë me njëra-tjetrën, që të gjetur një zgjidhje që të jetë konsensuale. 
– Nëse Komisioni i Venecias do të atakojë ose do të vlerësojë jo të drejta disa propozime në draftin e Komisionit tonë Parlamentar të reformës së drejtësisë, çdo të bëhet?

– Unë nuk besoj që maxhoranca të mos ketë predispozicionin, që të mos tolerojë dhe pse jo edhe për t’u tërhequr, për të ndryshuar në një pjesë të propozimeve, që ka ajo në dispozitat që ka hartuar e ka dërguar Komisionit të Venecias. Fjala vjen. Këtu janë bërë shumë kritika, edhe vërejtje edhe nga ekspertë, jam i sigurt që do ketë kritika edhe më shumë nga ekspertë e Venecias, dhe për problematika të ndryshme. A mbetet ajo formulë që është zgjedhur, që është pranuar më e dobishme për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese? Mund të diskutohet edhe formula e tanishme e mënyrës së zgjedhjes së tyre, që edhe në 1998, kur është diskutuar dhe është vendosur, është diskutuar edhe kjo zgjedhje, që kemi ne sot, si alternativë përballë kësaj që parashtrohet sot për të ndryshuar zgjidhjen që kemi deri tani. Ka problematike lidhur me mandatet në organet kushtetuese, për mënyrën e zgjedhjes së titullarëve të tyre. 
– Cili është mendimi juaj për draftin, që i është dërguar Komisionit të Venecias nga Komisioni Parlamentar i reformës në drejtësi?

– Drafti ndryshon shumë edhe me mënyrën, edhe me tekstin e Kushtetutës ekzistuese. Kushtetuta që kemi ka ndjekë një teknikë legjislative të karakterit të përgjithshëm, të shkurtër, duke lënë hapësira të lira për ligje të tjera që dalin për zbatimin e Kushtetutës. Drafti që është paraqitur tani nuk i qëndron shumë besnik kësaj teknike, por më shumë ka natyrën e komenteve. Domethënë, dispozitave të hollësishme, interpretuese për të zbërthyer sa më shumë detajet. Edhe kjo krijon një tablo tjetër me përmbajtjen e dispozitave që përmban Kushtetuta sot. Natyrisht, aty në draft, mund të mos ketë asgjë të karakterit antikushtetues, por në kuptimin e teknikës legjislative flas, janë dy teknika të ndryshme, që është vështirë të pajtohen në një tekst. Aty në draft janë shtuar shumë organe kontrolli, kontrolli, organe të reja, me vend dhe pa vend, që për kushtet e Shqipërisë, janë shumë.
– Komisioni i Venecias, a mund të japë mendim, mund t’i atakojë për këto që ju pohoni?

– Patjetër. Ose mund të thotë, për shembull për këtë problem ka këto avantazhe, këto disavandazhe, shiheni vlerësojeni njërin prej tyre. 
– Për shembull?

– Fjala vjen, dëgjova të nderuarin, Presidentin Nishani, që këmbëngulte në shumë probleme për reformën në drejtësi dhe parashtronte disa mendime se gjoja, pa shkak, nuk lejon drafti që është paraqitur nga Komisioni Parlamentar, që të krijohen gjykata speciale. Kushtetutat europiane, bashkëkohore nuk e pranojnë më krijimin e gjykatave speciale. Edhe në Shqipëri është kritikuar rëndë ajo praktikë që ka ekzistuar në kohën e diktaturës për krijimin në raste të rralla të gjykatave speciale. Por koncepti që vura re se ka Presidenti për gjykata speciale, mu duk se është një koncept i gabuar. Nuk janë gjykata speciale, gjykata e Krimeve të Rënda, fjala vjen, siç thoshte Nishani. Ose, nuk është gjykatë speciale gjykata që gjykon çështjet e të miturve. Ose, nuk është gjykatë speciale gjykata që shqyrtojnë konfliktet e punës, administrativja, etj. Gjykata Speciale janë ato që krijohen në bazë të akteve, dekreteve për një çështje konkrete, për një njeri konkret, ose për akuzë konkrete. Ose, mendime të tjera, që janë prekur të drejtat themelore të Njeriut, ose opinione që nuk gjejnë pasqyrim në draftin e reformës në drejtësi, por që të çojnë në përfundime indirekte, që mund të jenë bërë qëllimisht për të kapur drejtësinë, këto apriori, unë jam i sigurt që aq kohë sa janë, të papasqyruara, nuk do të mbështeten nga Komisioni i Venecias. 
– A do të mund të japë Komisioni i Venecias një vlerësim dhe rekomandim të drejtpërdrejtë për rolin e Presidentit, në sistemin e drejtësisë?

– Ky është një problem më vete, që duhet trajtuar më vete. Por, unë jam shprehur personalisht, për një KLD që është shumë i rëndësishëm. Sipas maxhorancës, një KLD do të ishte më frytdhënës, më efektiv, duke mos pasur kryetar Presidentin, duke mos qenë presidenti fare në KLD, por duke e kryesuar KLD apo institucionin që do krijohet në vend të tij, një nga kandidaturat që zgjedh parlamenti. Sipas meje, KLD, duke pasur në krye Presidentin e Republikës, që është ai që është, sipas Kushtetutës, është dhe do të jetë një organ më autoritar, më serioz, më profesional, më i përgjegjshëm, se sa duke pasur në krye të KLD një personalitet tjetër, kushdo qoftë ky, që vjen nga parlamenti. Prandaj formula ekzistuese për KLD është më pozitive, por se presidenti, natyrisht, duhet të zgjidhet me votë të cilësuar nga parlamenti, të riparohet ai gabim kushtetues i 2008. 
Sigal