Prof. Dr. Zamira Cavo: Turizmi dhe kryeministri im

871
Sigal

Unë e dua vendin tim dhe nuk do lejoja asgjë që mund ta dëmtonte atë! Dhe nga që e dua, e shikoj përherë në sy, me të mirat dhe të këqijat që shfaqen përditë para meje dhe me shpresën se, duke i thënë ashtu si i gjykoj, vendi do bëhet më i mirë. Kam qenë gjithnjë e bindur se figura e kryeministrit në median ndërkombëtare, falë sqimës dhe sarkazmës së tij, do ishte në lartësinë e një Lideri që e dëshiron çdo vend! Dhe nuk jam gabuar. Por jam po kaq e bindur se” imazhi” është surprizues vetëm në shikimin e parë. Më tej vjen realiteti, të cilin e jetojmë vetëm ne shqiptarët. Edhe turistët. Vetëm se këto realitete janë pak të ndryshme nga ajo çka na i tregon me mburrje kryeministri im! Shqipëria e turistëve është ajo e imazhit të parë; ku kurioziteti të befason. Më tej nuk ka qëndrueshmëri. Ata që vijnë e kanë shumë zor të rikthehen sërish. Dhe e dini përse? Sepse plehrat të mbysin kudo, shërbimi është në nivele skandaloze, kontrolli ushqimor është inekzistent dhe siguria rrugore e vështirë për t’u konceptuar. Nuk është faji i kryeministrit për të gjitha këto. Ne shqiptarët e kam thënë me dhjetëra herë: nuk kemi Edukatën e punës! Por ama kryeministri duhet ta njohë këtë të vërtetë, që është e dukshme në sytë e cilitdo, që vjen e viziton Shqipërinë. Dhe në këtë rast Kryeministri do duhej të gjente “mundësitë” për të përmirësuar shërbimin, pastërtinë, kontrollin. E dini sa turistë kosovarë kanë ardhur sivjet në raport me vitin që shkoi? Rreth 450 mijë më pak! Arsyet mbeten të diskutohen. Kryeministri lavdëron “çmimet e ulëta” të ushqimit, apo shërbimit shëndetësor. Por Shqipëria nuk është e turistëve, por e shqiptarëve. Dhe shqiptarët i shikojnë përditë çmimet. Dhe nuk besoj se janë të ulta! Përkundrazi. Shërbimi stomatologjik? I lirë për turistë,t që kanë rroga disa herë më të mëdha në raport me shqiptarët e varfër, por sigurisht janë çmime të kripura për ne të gjithë! Dhe këto nuk janë perceptime të njerëzve, që kërkojnë të “dëmtojnë” imazhin e vendit. Jo ky është realiteti ynë z. kryeministër. Por kam frikë se, duke u marrë me “politikën “ e botës, Evropës, Ballkanit jeni shumë lart për të parë realitetin shqiptar dhe varfërinë e dukshme. Po ta ulnit pak kokën nuk do të habiteshit me varfërinë e asaj familjes në Shijak. Sa të tilla ka në të gjithë vendin? Shqipëria që duam nga Shqipëria reale janë larg, shumë larg… dhe ta thuash këtë nuk është krim, por detyrë!