Prof. Dr. Zamira Çavo: “Rilindja” i ka treguar rëndësi fasadës, por jo përmbajtjes së qeverisjes

526
Prof. Dr. Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se “Rilindja” i jep më shumë rëndësi fasadës, sesa përmbajtjes së qeverisjes. Zonja Çavo mendon se politikanët shqiptarë kanë paratë e tyre ne offshore të botës. Për referendumin e PS, zonja Çavo pohon se deputeti Balla i trembet pjesëmarrjes së socialistëve, ndërkohë që rezultatin e dinë. Zonja Çavo nuk beson se ky parlament do të dekriminalizohet, as që ka iluzion për reformën në drejtësi, as për produktin që do prodhojë kjo reformë, pasi kryetarët e partive sillen si pashallarë të kuq. Zonja Çavo pohon se nuk mund të ketë reformë zgjedhore, pa reformuar vetë procesin zgjedhor demokratik brenda partive.
1. Zonja Çavo, a mund të themi tani, pas 3 vjetësh të qeverisjes së “Rilindjes”, që kemi një qeverisje ndryshe?
– Çdo qeverisje është “ndryshe”, në njëfarë kuptimi. Por, nëse e keni fjalën për “drejtimin e duhur”, do të rezervohesha. Sigurisht pastrimi i plehrave që la pas qeverisja “Berisha”, do kohë të realizohet. Dhe kryesisht e kam fjalën për zhvillimin ekonomik të vendit. Politikat e tij populiste shkatërruan gjithçka që do i shërbente realisht vendit. Pra në një kuptim, detyra e “Rilindjes” ishte të frenonte këtë rrënim, duke rritur besimin e qytetarëve për të ardhmen e tyre. Nëse ka mundur të frenojë deri diku rrënimin e mëtejshëm, “Rilindja” nuk ka mundur dot të krijojë besimin se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Në mendimin tim, “Rilindja” i ka kushtuar kujdesin e veçantë dukjes, fasadës, por jo përmbajtjes së qeverisjes. Shqiptarët janë të varfër sikundër ishin, kanë po aq korrupsion, sikundër kishin dhe ekonomia nuk është se u ka dhënë shpresa për një gjallërim të shpejtë. Politikat sociale dhe pse me shumë zhurmë trumbetuese, janë në thelb, një demagogji e pastër dhe kjo e ka bërë edhe më të pakuptimtë “drejtimin e duhur”. 
2. A mund të shprehemi që, ndoshta ka kohë akoma që qeverisja e “Rilindjes” të përmbushë premtimet elektorale? 

– Jo, nuk ka. Por ama ka aq kohë sa të presë disa shirite inaugurimesh e për ta bërë të besueshme idenë e ndryshimit të madh. Megjithatë, sa kohë që në kampin tjetër politik do të vazhdojë Berisha me teoritë e tij destabilizuese dhe tashmë të dala boje, apo Basha me frazat e tij komike, “Rilindja” e ka të fituar edhe mandatin tjetër. Kështu që edhe nëse nuk i përmbush premtimet e dhëna, as 1/10 e tyre, sërish do përpiqet të mbajë në politikë Berishën. 
3. A mendoni se Kongresi i PS ishte një pike referimi për reflektim në qeverisje? Mendoni se u bë një analizë serioze? 
– Pyetje e drejtë. Realisht, Kongresi duhet të analizojë programin qeverisës të sajin. Por ndodhi pikërisht ashtu si ka ndodhur historikisht në Kongreset e partive shqiptare: paradë “suksesesh” dhe patetizëm! Kështu ndodhte në Kongreset e Partisë së Punës, kështu në Kongreset e PD-së dhe po kështu ndodhi dhe në këtë Kongres. Sepse kjo është filozofia e elitës sonë politike: kur pushteti është i imi, gjithçka shkon mirë! Ndaj nuk prisja të bëhej ndonjë analizë serioze e qeverisjes.
4. Taulant Balla deklaroi që nuk ka rëndësi rezultati i Referendumit, por pjesëmarrja. Ta kuptojmë këtë, se rezultati është i paracaktuar pa u bërë referendumi? 
– Që rezultati tashmë dihet, kjo nuk ka diskutim, por unë mendoj se Z. Balla e ka hallin gjetiu. Ai ka frikë nga mosdalja e socialistëve në këtë Referendum. Por edhe kjo është e kapërcyeshme, për aq kohë sa askush nuk di, se sa anëtarë partie janë listuar dhe se ku do të votojnë?
5. Kur në PS mungon fryma e debatit demokratik dhe koka e partisë nuk dëshiron të zbatojë statutin e Partisë, a mundet që po këta drejtues partie, në detyra shtetërore, në qeverisje, të zbatojnë ligjet dhe të udhëhiqen nga rregullat demokratike në drejtimin e shtetit? 
– Unë mendoj se në Partinë Socialiste nuk ka munguar asnjëherë fryma e debatit demokratik. Dhe ky Kongres e dëshmoi edhe njëherë këtë. Por e kuptoj shqetësimin tuaj. Ju aludoni se “Rilindja” në pushtet sillet antidemokratisht, ashtu sikundër u përpoq të sillej edhe në Kongres. Bashkohem me këtë shqetësim. Vetëm autoritarët kanë frikë nga demokracia dhe autoritarizmi në qeverisje sjell pashmangshmërisht shkatërrimin e demokracisë.
6. Zonja Çavo, ju keni ndjesinë se ka vullnet politik për dekriminalizimin e Parlamentit, pa u marrë përsipër përgjegjësia politike nga ata kryetarë partie, që personat me rekorde kriminale i bënë deputetë? 
– Nuk kam pasur asnjëherë iluzion se ky Parlament do dekriminalizohet. Sikundër e shpjegova edhe më sipër, kryetarët e partive kundërshtare janë si dy pole tërheqëse, ku magneti real është interesi personal. Pushteti u duhet kryetarëve për të realizuar interesat e tyre, për t’u pasuruar dhe jetuar të patrazuar edhe kur krahu i kundërt politik të marrë pushtetin. Sa për personat me rekorde kriminale, mos prisni që të deklarohen të tillë deputetët shqiptarë, as të majtë e as të djathtë. E shumta dhe Byroja e Hetimit do procedojë apo dënojë ndonjë ministër ose ish-ministër për të dëshmuar se po merret seriozisht me “kokat e krimit”. 
7. Çfarë përmbajtje politike mund të arrihet në një marrëveshje Mazhorancë-Opozitë për Reformën në Drejtësi? 
– Nëse e krahasojmë Reformën në Drejtësi me një trup, do thosha se pasi t’i heqin gjymtyrët, kokën dhe zemrën, atëherë do bien dakord politikisht!
8. A besoni ju, që kjo Reformë në Drejtësi do të luftojë korrupsionin në qeverisje dhe në Gjyqësor? 
– Unë jam shumë skeptike për vetë Reformën, pale për atë çka ajo do prodhojë! 
9. A mund të pretendohet Reformë Zgjedhore, edhe pse ka Komision Parlamentar për reformën zgjedhore, pa u zhbërë Sistemi Elektoral ekzistues, Listat e Mbyllura dhe hetimi i financimit të partive politike në fushata zgjedhore? 
– Problemi i zgjedhjeve të ardhshme është padyshim problem i madh për ne shqiptarët. Këtë herë duhet bërë gjithçka që të qëndrojmë si popull përballë sistemit ekzistues elektoral. Kryetarët e partive janë bërë “pashallarët e kuq”, që vendosin fatin e secilit prej nesh sipas interesit të tyre personal. Sepse parlamenti i ardhshëm do të ketë në përbërjen e vet ata që do i shkojnë për shtat kryetarëve. Dhe populli do detyrohet sërish të zgjedhë të keqen më të vogël. Por mendoj se nuk duhet të shtyhet më kështu. Nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa reformuar sistemin elektoral, pa reformuar vetë procesin demokratik të zgjedhjeve edhe brenda partive. Realisht, parlamenti shqiptar, edhe pse ka votën popullore, nuk ka legjitimitetin e mjaftueshëm për të drejtuar vendin, pasi qytetari është larg zgjedhjes reale të deputetëve.
10. Zonja Çavo, a mendoni se politikanët tanë i kanë fshehur paratë e korrupsionit në off-shore gjithandej botës? 
– Unë kam kohë që them, se Shqipëria ka nevojë për një lëvizje të gjerë të fokusuar në zbardhjen e pasurive të politikanëve. Pra jo thjesht në deklarimet e tyre, por në burimin se nga kanë ardhur këto pasuri. Gazeta tuaj “Telegraf” që vlen të përgëzohet, është në avangardë të denoncimeve korruptive nga pushtetarët dje dhe sot. Dhe për t’iu përgjigjur direkt pyetjes suaj, them me bindje se duhet të ketë jo pak politikanë që kanë fshehur paratë, në mos në “Panama” në offshore-e të tjera në botë.
Sigal