Prof. Dr. Zamira Çavo: Burimi i arrogancës është injoranca, e cila kur bën pakt me mediokritetin, e quan-zëri i popullit

449
Sigal

Njeriu në përgjithësi atë që nuk e kupton e refuzon, ose edhe më keq; e lufton, duke e përjashtuar. Kështu ndodh me idetë. Kur njeriu nuk i kupton, i duken të “padenja” për të. Ndaj qytetërimet e kanë ngritur vetveten, duke u përpjekur t’i bëjnë idetë e tyre të kuptueshme për njerëzit, me synim që ata të afrohen me qytetërimin.

Në përgjithësi injoranca, mosdija, moskuptimi është burimi i arrogancës dhe ne shqiptarët jemi shumë arrogantë. Shumë gjëra nuk i kuptojmë, ndaj dhe nuk i duam.

Dijen, edukatën, kulturën e kemi lënë pas derës dhe këtë të fundit e kemi hapur për injorancën, mediokritetin e dhunën. Mediat (elektronike e vizive) janë sot përforcues të injorancës dhe mediokritetit. Duke dashur audiencë e duke e ditur, që njeriu refuzon atë që nuk e kupton, ky pushtet mediatik, sot e ka ulur nivelin në vulgaritet. Dhe Vulgu e kupton dhe e mirëkupton vulgun, ama progresin jo, dhe kështu për vendin s’ka të ardhme!

Pra të bësh “para” duke mbrojtur e ushqyer injorancën duket modeli i pëlqyer për popuj të zhytur në varfëri!

Ndaj studiot e opinioneve janë shndërruar në studio, ku vulgariteti dhe arroganca bëhen vlera e përhapen në eter si modele! Ndaj leksionet në auditore, jo rrallë shndërrohen në biseda vulgare me fraza kafeneje e arrogancë hierarkie! Ndaj politikanët, që nuk kanë lexuar një libër në jetën e tyre janë bërë doktorë e profesorë dhe kujtojnë se i dinë të gjitha!

Dhe njerëzit bezdisen nga gjërat që i duken të “vështira” dhe preferojnë “si të gatuajnë” dhe si të zbaviten me emisione banale, deri në keqardhje për përmbajtjen e tyre!

Dhe harrojmë se kur vulgariteti dhe injoranca shiten për “kështu e do populli”, arroganca çimentohet dhe dhuna merr krah! Dhe besomëni: Një injorant i forcuar në kudhrën e vulgaritetit është i pamposhtur në injorancën e tij. E mendoni pastaj të ardhmen? Që sot jemi shndërruar në një popull që vepron për politikën pa ditur të drejtat e tij! Dhe e keqja më e madhe është se injoranti nuk e kupton injorancën e tij!