Prof. DR. Tritan Shehu: Parlamenti i rrezikshëm, Meta ta shpërndajë

96

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook e konsideron Parlamentin shqiptar të rrezikshëm.

Sipas tij, Presidenti Ilir Meta ka të gjitha arsyet që ta shpërndajë.

STATUSI I PLOTE

Ky Parlament është jo vetëm antikushtetues, por dhe i rrezikshëm!
Meta e ka të gjitha aresyet dhe kompetencat ta shpërndajë.
Që prej nxjerrjes së Dekretit legjitim dhe të domosdoshëm të tij për anullimin e datës së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, po imponohet hapi i shpërndarjes së Kuvendit.
Ky Parlament antikushteues nga numri i tij prej 122 deputetë mbi 140 të domosdoshëm, mënyra e implementimit formal të vendimit për dorëzimin e mandateve, mënyra e “peshkimit” të 42 “pupaceve”, procedurat e pa ligjeshme të veprimit të tij, faktet e fundit në deformimin e votës etj, ka humbur çdo të drejtë për të funksionuar.
Miratimi me 100 vota i një “flet rrufeje” në formë rezolute pa asnjë vlerë, si kundërvënie ndaj Dekretit presidencial, që po përdoret për të vazhduar procesin antikushtetues të zgjedhjeve vendore, e inkriminon rëndë këtë Parlament.
Provokacioni për të futur aty një nga projekt ligjet më të errëta, atë të pengimit të shqiptarëve në lëvizjen e tyre të lirë, është kriminal.
Së fundi është fillimi i procedurave të shkarkimit të Presidentit, e ngjashme kjo me një grusht shteti Parlamentar.
Pra tashmë kemi të bëjmë jo vetëm me antikushtetushmëri, por dhe me rrezikshmëri të këtij Parlamenti.
Presidenti duhet ta çmontojë sa më parë këtë “koburë” të verbër.