Prof. Dr. Skënder Gjinushi: Rama është xheloz ndaj PSD, nuk do kontroll qeverisjeje

567
Prof. Dr. Skënder Gjinushi, kryetari i PSD-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, për herë të parë, se nuk u arrit marrëveshja PS-PSD për zgjedhjet e 21 qershorit, për shkak se Rama nuk e vlerëson kontributin e PSD-së, por thjesht i kërkon vetëm votat për ‘thesin’ e tij. Gjinushi pohon se nga PS u sabotua edhe grupimi i polit të tretë, ndaj Milo e prishi në fund marrëveshjen që kishin bërë. Sipas Gjinushit, kjo sjellje e “limonit të shtrydhur” e lidershipit të PS-së ndaj PSD-së, vjen ngaqë PS-ja ka xhelozi ndaj arritjeve të PSD-së dhe Rama nuk do kontroll në qeverisje nga aleatët e tij. Gjinushi shpreh edhe kritikat ndaj qeverisjes së Ramës, ku sipas tij, ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, sepse nuk do të dënojë shkaktarët, organizatorët. Sipas Gjinushit socialistët e vërtetë janë zhgënjyer, pasi kanë mbetur të papërfaqësuar në pushtetin qëndror dhe administratën publike. 
– Prof. Gjinushi, cilat ishin arësyet që PSD-ja nuk arriti marrëveshje zgjodhore me PS-në?
– Në fillesë kjo është një zgjedhje e PS-së, sepse Edi Rama ndoqi politikën, që me të tjera parti të bëjë opozitën 8 vjeçare dhe me të tjera parti të qeverisë. Menjëherë pas fitores së 2013-ës, PSD-ja ka qënë haptas jashtë qeverisjes, pavarësisht nga marrëveshjet e pavarësisht edhe nga kontributet shumë vjeçare dhe të pakrahasueshme të saj në raport me çdo forcë tjetër politike, pasi ka qënë më konseguentja, më e qarta dhe më luftarakja e së Majtës. Sigurisht që edhe çdo rezistencë ka edhe kosto dhe kostot e rezistencës vlerësohen me votë dhe vlerësohen nga aleati kryesor, gjë që s’ndodhi me PSD-na, as me votë. Kuptohet, që duke futur edhe rezervën, a është vota jo realja, por as nga qëndrimi i lidershipit. Këto 2 vjet kanë qënë 2 vjet qeverisje, që ka arritjet e veta, por ka edhe problemet e veta.
– Cilat janë këto probleme të qeverisjes socialiste?
– Ne jemi shprehur publikisht edhe më parë. Janë krijuar diferenca, kemi shprehur rezerva, qoftë për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, ku flitet kryesisht për ish korrupsionin, sepse i qëndrojnë asaj që ligjshmëria dhe formaliteti kthehen jo vetëm duke goditur fenomenin masiv social, por duke goditur, më së pari shkaktarët. Dhe më konkretisht, qoftë për degradimin total të CEZ-it që çoi pastaj në vjedhje masive dhe në mospagim masiv, qoftë për ndërtimet pa leje që çoi në degradim të territorit, por siç ka përfitues të kësaj mungese rendi, ka organizatorë, që sjellin pasoja shumë më të rënda, se sa përfituesit individualë. Organizuesit nuk ndërshkohen, por vazhdojnë të jenë në politikë, por edhe të bëjnë listat e dekriminalizimit të të tjerëve. Ndërsa të vegjëlit dënohen deri edhe në ekstrem. E dyta është shkëputja nga baza, ku në atë të ashtuquajtur reformë administrative, vërehet qartazi që po mbahen militantët e PD-së, në emër të ligjit, po mbrohen administrata e korruptuar, e paaftë dhe e militarizuar, që është një nga përgjegjësit kryesorë të 8 vjetëve të dështimit të qeverisjes së shkuar dhe merren vetëm disa rifinitura, sepse gjoja ligji i ri i Nëpunësit Civil nuk i lejoka, çka ka bërë që shumë përkrahës, mbështetës të së Majtës, të jenë jashtë loje, ta ndjejnë veten të papërfaqësuar. Pra, në esencë, ka një masë të madhe të majtësh, të papërfaqësuar në qeverisje. Pra, aleati më kontribues, PSD-ja dhe njerëzit më kontribues të së Majtës, brenda PS-së dhe jashtë saj, nuk ndihen të përfaqësuar në pushtetin qëndror dhe në politikat e pushtetit qëndror. Rrjedhimisht, duhet që të mbështetin njeri-tjetrin, prandaj afrohet PSD-ja si alternativë, që gjithë këta të majtë të përfaqësohen në pushtetin lokal, meqë kjo e drejtë iu privua në pushtetin qëndror. Së treti, zgjedhjet lokale kanë edhe anën politike, pra japin mesazhe dhe pikërisht qeveritë marrin mesazhe nëse qeverisja e tyre në esencë është mirëpritur apo ka pakënaqësi. Pakënaqësitë mund të shprehen me votë kundër, mund të shprehen me indiferentizëm, mund të shprehen pa dëmtuar të Majtë, por brenda saj, në një alternativë, që përputhet me bindjet, interesat, qëndrimet e tyre. Kështu, që votimi për PSD është mënyrë për të shmangur një humbje të së Majtës në tërësi, por edhe për t’i dhënë një mesazh PS-së, që këtu s;mund të abuzosh dhe të keqpërdorosh fitoren plebishitare. 
– Nuk kishit mundësi, që edhe me parti të tjera, ju të krijonit një pol të tretë zgjedhor?
– Pol i tretë quhet çdo parti, apo grupim partish, që nuk janë brenda 2 ombrellave të mëdha. Dhe për të qenë pol elektoral, nuk varet nga numri i partive, por nga mbështetja që do kemi. Por këtu, ka patur tentative për ta patur grupimin më të gjerë, por u bë ç’është e mundur për ta sabotuar grupimin tonë më të gjerë, deri edhe me mekanizma antiligjore të KQZ-së, që do jetë objekt gjykimi së shpejti, e cila ndryshoi rregullat e lojës vetëm e vetëm që të pengonte grupimin e partive të tjera jashtë ombrellës të së mëdhenjve. Pra ndryshimet e fundit i KQZ-së në intepretim gjoja të Kodit Zgjedhor, de facto janë një tendencë e hapur për partitë që të dalin jashtë ombrellës. Përveç kësaj, ka patur edhe presione politike të forta, sepse partitë e mëdha kërkojnë të kenë monopolin edhe në kandidime, ndonëse nuk afrojnë asgjë në rast bashkëpunimi, duan gjithçka. Partitë e tjera, historikisht kanë treguar, që nuk i rrezistojnë presioneve të të mëdhenjve. PSD-ja ka dëftuar historikisht, që u ka rrezistuar. Nuk dihet çfarë hyn dhe çfarë del tashmë në atë kualicion të PS-së. 
– Ju çfarë kërkuar konkretisht për marrëveshjen zgjedhore të 21 qershorit?
– Konkretisht, ju keni dëgjuar më shumë që PDS-ja ( e Milos) ende kërkon marrëveshjen e 2013-s, kur ajo jo vetëm që nuk u zbatua, por ka lidhje me zgjedhjet e përgjithshme e nuk mund të shërbejë marrëveshja e 2013-s për zgjedhjet e 2015-s. Kurse marrëveshjet për zgjedhjet lokale duhet gjithmonë të kenë një reciprokitet. Dhe ju shikoni kontrastin e madh, që aleatët e PD-së prishen me PD-në, sepse debatojnë për bashkitë e mëdha. Kurse PS-ja as që bëhet fjalë, që të afronte qoftë edhe 1 apo 2 bashki. Së dyti, politika është edhe fasadë dhe reciprokiteti në bashkëpunim niset edhe nga forma sesi kërkohet. Pra që në formë, nëqoftëse deklarohet aleancë PS-LSI dhe gjithë kandidaturat vendosen prej këtyre, pastaj thirren disa prej dorës së dytë, për të mbushur këtë aleancë si FRD apo PDK dhe u thuhet edhe disa të tjerëve “futuni edhe ju në rradhë”. Kjo nuk është aleancë, këtu ti hyn te të tjerët. Aleancë zgjedhore, ku emrin e ke te “të tjerët”, absolutisht që është një vrasje me duart e tua, sepse asnjë votues nuk kujtohet të pyesë se cilët janë këta “të tjerët” e aleancës. Kështu që për zgjedhjet lokale ne nuk kishim asnjë ofertë bashkëpunimi, përveç asaj që “futu në rradhë”. Brenda koalicionit ka rrjedhje më të mëdha votash, sepse “pa dashje” ngatërrohen votat me njeri-tjetrin. Dhe kjo “pa dashje” pastaj bëhet dominante. Hyrja në aleancë bën që të mos kemi as vëzhguesit tanë, që të shikojmë drejtpërdrejt, se cili është rezultati ynë real. Tani që jemi më vete, na mundëson që të shikojmë me vëzhguesit tanë, rezultatin e drejtpërdrejtë e real dhe mundëson edhe kandidimin. 
– Ju si e vlerësoni aelancën e Majtë, me aleatët që Rama afroni nga e Djathta?
– Ajo është një aleancë pragmatiste, nuk është aleancë parimore, sepse aty janë futur të gjitha llojet e partive. Kjo ka edhe negativitetin e saj, sepse nëse konsolidon, në dukje mbështetjen për kandidatët e ke edhe nga të djathtët, nuk e konsolidon rezultatin në propocional, sepse janë ca të djathtë që do të marrin votat e së majtës dhe do dalin ata këshilltarë dhe që të nesërmen, do jenë të djathtë, por ka shumë mundësi që votat për kryebashkiak ta japin për të djathtin. 
– Cili është mendimi juaj për kritikat e Ben Blushit ndaj Rilindjes, meqë ju ishit në aleancë për Rilindjen?
– Vlerësimi im është siç u shpreha, ku mund të përputhet me thëniet e dikujt tjetri, ose jo. Por në kohë fushate, nuk duhet të dalësh me kritika konkluzive, nëse je i të njëjti krahu, sepse fushata do një farë optimizmi. Ne jemi në atë kritikë, që pushteti nuk mund të merret me të tjerë, e të ndahet me të tjerë.
– Mos vallë Edi Rama, në raport me PSD niset nga koncepti që ta eleminojë fare, sepse e shikon konkurent në elektorat?
– PS-ja dhe Rama si lidership, gjithmonë ka qenë xheloze në arritjet e PSD-së dhe ideja është sepse nuk do kontroll në qeverisje. Dhe kjo është shprehur qartë, edhe me “të pavarurit”, edhe me “Dushkun” në 2001 e 2005. Tani që PS është në aleancë me LSI, tani u duket më e tepërt akoma prezenca e PSD-së dhe përpiqen që të mos ketë një linjë të tretë të së Majtës, qoftë edhe për arsye personale dhe individuale, sepse i tremben një konkurence të caktuar. 
– Faleminderit!
Sigal