PROF. DR. SHEZAI RROKAJ: Çdo gjë për Vlorën! Akademikët i duhen vendit për një vizion të ri zhvillimi

495
Hermes NIKAJ 

Në këto kohë fushate vëmendjes sonë nuk mund t’i shpëtonte një figurë e ndritur si ajo e Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Profesor Rrokaj një prej gjuhëtarëve më në zë në Shqipëri, autor i shumë e shumë teksteve shkollore, autor i Abetares Mbarëkombëtare, njeri i formuar e i shkolluar në Francë, është një emër dinjitoz në Listën për Kandidatë për deputetë të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Profesor Rrokaj, është i pari i listës së LSI-së në qytetin e Vlorës. Të gjithë ata që njohin punën shkencore dhe akademike të profesor Rrokajt, e dinë peshën e veprave të tij dhe seriozitetin me të cilin ai punon. Përveç pozicioneve drejtuese akademike si Përgjegjës Departamenti, Zv. Dekan, Dekan, Zv. Rektor, Rektor, Rrokaj që prej 2008-s është bërë pjesë e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ku aktualisht mban postin e Kryetarit të Komitetit Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa më herët ka qenë Kryetar i LSI -Tiranë dhe kryetar i Grupit të këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës. Sot kemi kënaqësinë të bëjmë një bisedë me profesor Rrokajn, të cilin e falenderojmë për kohën që ndau me ne. 

-Profesor, faleminderit për kohën e çmuar, në këtë periudhë kaq të ngjeshur me takime e aktivitete elektorale. A mund të na rrëfeni se si dhe kur e keni marrë vendimin për t’u futur në politikë? 
Shumë e thjeshtë. Në vitin 2008 iu bashkëngjita Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, të cilën LSI e bëri kauzë të vetën, deri te greva në parlament. Së dyti, gjatë kohës kur isha Rektor i Universitetit të Tiranës, kuptova se ishte e pamjaftueshme arritja e autonomisë së universiteteve pa rritjen e vetëdijes nga ana e politikës. Shumëkush i mban mend betejat e mia publike në dobi të arritjes së autonomisë së universiteteve. Aty kuptova që pa përfshirje në politikë misioni nuk ishte plotësisht i mundur. Së treti, LSI ka si forcë kryesore të funksionimit të saj LRI-në. Meqënëse edhe jeta ime akademike lidhet me rininë, mendova se vlera ime e shtuar në politikë mund të jepte më shumë rezultat pranë LRI-së.

-Çfarë mund t’i sjellin Kuvendit shqiptar njerëzit e botës akademike si ju, profesoreshë Valentina Duka, prof. Luigj Gurakuqi etj? 
Hapje. Shpeshherë njerëzit mendojnë se politika është një tip verbazhi që rrotullohet rreth vetes. Në fakt politika vjen nga polis që do të thotë qytet dhe pjesmarrëse në qytet është edhe bota akademike, bota e kulturës etj. Por në thelb politika është tërësia e problemeve të qytetit , e problemeve të jetës, ndaj bota akademike shërben për të përcaktuar vizionin e zhvillimit të jetës shoqërore nëpërmjet partneritetit me qeverisjen dhe ekspertizën e nevojshme, për të cilët ka nevojë zhvillimi shoqëror në mënyrë që t’i largohet spontanitetit apo anarkisë. 

-Cila është sfida juaj personale për këtë fushatë? 
Të heqim dorë nga megalomania, nga ‘‘gjërat e mëdha’’ që nuk i bëjmë dot dhe t’u kthehemi gjërave të përditshme për të cilat ka nevojë qytetari. Drita pa ndërprerje, ujë pa ndërprerje, kanalizime, infrastrukturë rrugore, shërbim shëndetësor dhe arsim cilësor. Në aspektin e programit, Shqipëria duhet të përqëndrohet në sektorët që rritin punësimin, siç janë bujqësia, turizmi, infrastruktura, shërbimi. Akses sa më i shpejtë i të rinjve në punësim nëpërmjet një politike të zhdërvjellët, efikase. Duke filluar nga kualifikimi personal te startup-et, mbeshtetja e iniciativave sipërmarrëse, ulja e tatimit mbi bizneset, me kusht që kjo t’i shërbejë zhvillimit të tyre dhe punësimit.

-Cili ju duket aspekti më i papëlqyer i fushatës? 
Mashtrimi i njerëzve për punë në këmbim të votës. Përdorimi i ekraneve për të denigruar kundërshtarin dhe konfuzioni mbi aleancat. 

-Çfarë ju lidh me Vlorën ku jeni kandidat për deputet? 
Me Vlorën më lidh gjithçka, është vendi ku kam lindur, ku kam jetuar fizikisht deri sa nisa studimet universitare, më lidh farefisnia ime në Vlorë, më lidh shtëpia e prindërve, më lidhin gjaku e njohjet e shumta që kam, pushimet e përvitshme që i bëj në Vlorë. Vlora është krenaria ime. (emocionohet) Çdo gjë që bëj, përveçse është pjesë e vetes sime, e familjes sime është edhe pjesë e Vlorës. Karriera ime, studimet e mia në Francë, karriera akademike si profesor, funksionet si Rektor, zv. Rektor, Dekan janë pjesë e fshatit Kocul, ku kam lindur, në një fare mënyre e historisë së tij, e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Por ajo që më lidh më fort është se sa herë që kaloj Urën e Mifolit se ç’më kap një emocion, që ndodh në rastet kur njeriu gjendet në prag të gjërave të shenjta për të.

-A do t’i këshillonit të rinjtë të bëhen pjesë e politikës? 
Po. Të rinjtë duhet ta përfaqësojnë politikën në mendësi dhe fizikisht në parlament, gjë që LSI-ja e ka në bosht të politikës së saj në të gjitha nivelet e qeverisjes. 

-Çfarë mendoni se duhet ndryshuar në mënyrën sesi në Shqipëri trajtohet kultura dhe Arsimi?
Disa gjëra mund të ndryshojnë në arsim. Në shkollë fëmijët ende vuajnë të mësuarit mekanik, përmendësh. Ende fëmijët tanë nuk mësohen të mendojnë, të reflektojnë, por thjesht të riprodhojnë. Shkolla vijon të jetë e ngarkuar me informacione të vjetëruara dhe të panevojshme. Nuk ka një reformë në sistemin e vlerësimit të fëmijëve, por vazhdohet me sistemin e vjetër. Ka ende probleme me infrastrukturën dhe me orientimin e fondeve publike në funksion të lëvizjeve demografike të popullatës. Qeveritë kanë bërë sikur e kanë konsideruar arsimin si prioritar, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Për arsimin është shpenzuar nga 2.5-3.5% e PPB-së (prodhimit të përgjithshëm bruto). Jemi të fundit në Evropë dhe Ballkan. Në këtë fond universitetet marrin vetëm 0.5% të PPB-së, ku për shkencën nuk harxhohet më shumë se 0.18%. Mungon gjithashtu një strategji afatmesme që do të rregullonte drejtimet kryesore të zhvillimit të vendit për vitet e ardhshme me nevojën e formimit akademik për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi. Nuk ka një partneritet midis qeverisjes dhe botës akademike, ende vijohet me ‘‘duelin’’ midis superioritetit dhe vasalitetit, sa të varura dhe të pavarura janë këto marrëdhënie. Në fakt, ka shumë rëndësi partneriteti, sepse nuk janë kahje në drejtime të kundërta, janë kahje që kanë nevojë të bashkëpunojnë. Për kulturën duhet investuar më shumë që nga krijimtaria e lirë dhe deri te institucionet që promovojnë kulturën. Duhet investuar shumë për promovimin e vlerave dhe të kulturës popullore, të identitetit kombëtar etj.

-Profesor, cila është vepra juaj shkencore për të cilën krenoheni më tepër dhe përse? 
Unë kam shkruar me dhjetra libra, me qindra artikuj shkencorë, kurse artikujt divulgativë nuk i mbaj mend, por libri i librave të mi është Abetarja, të cilën e kam bërë me shumë dashuri për fëmijët e mi dhe fëmijët shqiptarë dhe që është edhe fituese e konkursit mbarkombëtarë kryer me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, në bashkautorësi me prof. M. Gjokutaj dhe dy kolegë nga Kosova. 

-Si mendoni, pas zgjedhjeve a do të vijoni t’i ruani lidhjet me universitetin dhe auditoret e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë? 
Patjeter, brenda rregullave, në cilësinë e pedagogut të jashtëm. Nuk mund të jesh një politikan i mirë, pa qenë një pedagog i mirë.

-Profesor, suksese gjatë kësaj fushate! Jemi të bindur që do të jeni përfaqësues dinjitoz i qytetit tuaj, Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë.

Faleminderit, punë të mbarë!
Sigal