Prof. Dr. Shenasi Rama: Na duhet një opozitë tjetër, që të bëjë luftën e vërtetë

789
Prof. Dr. Shenasi Rama është një nga themeluesit e PD, në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se PD është pjesë e parisë të Tiranës që ende janë në shërbim të krimit, ndaj nuk ka sesi të ketë opozitë nga PD. Prof. Rama thotë se PD e ka humbur 2 herë besimin e popullit, kur qeverisi, ndaj sot në opozitë programi i saj opozitar nuk është më i besueshëm. Prof. Rama thotë se këto 25 vjet tranzicion janë vite mashtrimi. Por, shton Prof. Rama “Lufta e militantëve të PD është krejt ndryshe nga lufta e këtyre cubave. Ajo që na duhet është që të rrimë sa më larg demagogjisë dhe të drejtohemi nga hallet e vërteta të kombit, nga hallet e shqiptarëve që nuk kanë, as bukë e as ilaçe, as drita e as të ardhme, nga pensionistët që po shuhen e nga të rinjtë që nuk kanë asnjë shpresë”.

-Zoti Rama, Cili është vlerësimi juaj për opozitën e sotme të PD?
– PD është pjesë e parisë së Tiranës, bën lojën e parisë dhe po e kryen detyrën kryesore që ka, mbrojtjen e familjes Berisha, të Trustit të Gështenjave të Tropojës dhe të bandave kriminale që tashmë janë zhveshur nga uniformat policore, por që punojnë njëlloj në shërbim të krimit. PD nuk është opozitë. PD nuk punon për mbarëvajtjen e shtetit dhe për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, por për një grusht njerëzish të lidhur e stërlidhur me parinë sunduese të krahut tjetër. Prandaj, PD ka qënë dhe është pjesë integrale e koalicionit të ngjalave, e Tryezës së Kobrave, ajo është pjesë e koalicionit qeverisës, anipse jo formalisht e përfshirë në qeverisje. Në lidhje me synimet e saj politike, PD ka vetëm synim: që të mos ndëshkohet familja Berisha dhe puthadorët e tij. Pala tjetër e parisë, që janë në qeverisje e kanë mendjen që të vjedhin dhe nuk kanë kohë që të merren me PD-në, sepse po hanë nga shteti. Ja pra, kjo është gjendja reale… Këta të PD-së duan të mbrohen për krimin që kanë bërë, prandaj edhe nuk ka se si të ketë opozitë nga PD. Aq më shumë që PD përflitet si një krah i djathtë i strukturave të majta të parisë që e kanë mendjen tek interesat e huaja e jo tek shqiptarët. 

– Pse ende PD nuk arrin që të fitojë besimin e elektoratit, a është një alternativë politike e gatshme për të qeverisuar?
– E pati besimin e popullit dy herë, apo jo? Herën e parë e humbi me piramidat, dhe me ca veprime politike, ekonomike e të tjera që kanë pasur pasoja të rënda për kombin shqiptar. Herën e dytë, këto tetë vite që ishte në pushtet, me shkatërrimin e vendit, me zhytjen e shtetit dhe të shqiptarëve në borxhe të jashtme, me krimin ekonomik dhe me mashtrimin me legalizimin, energjinë, etj. krijoi një gropë të tillë në thesarin e shtetit, që të ikën mendja. Le ta dinë mirë ata që do të mbesin atje në atë vend, se nuk do të mund t’i lajnë këto borxhe pa shitur shpirtin dhe fëmijët e tyre tek ata që i kanë si pronarë të padukshëm. PD do të njihet për vjedhjen e paskrupullt dhe korrupsionin, zvetënimin e degjenerimin, për një sjellje kriminale që nuk u lë gjë mbas dore këtyre që po qeverisin tani. Atëherë pyetja shtrohet: kur nuk kanë qeverisur më parë si duhet, kur e kanë pasur mundësinë, si mendon se do të qeverisin tani dhe në të ardhmen? Përgjigja është e thjeshtë. Dikur e donin pushtetin se ishin të uritur. Tashmë që kanë vënë dhjamë, e ky lloj dhjami duket si dhjamë ariu që i mban shumë kohë, nuk duan as që të shihen e as që të ndihen. Ajo që duan këta të gjithë që të ndodhë, është që të harrohen, dhe të jetojnë të qetë duke ngrënë e pirë atë që kanë vjedhur, zhvatur e grabitur tetë vjet rresht për të mbajtur me bukë e rahat tetë breza të tyre. Dhe natyrisht, këta që janë në pushtet, nuk kanë ndërmend të merren me ta, sepse janë ortakë, pjesë e parisë oligarkike të Tiranës dhe duan të vjedhin për vete tani, e nuk duan shumë sherr. Do të ishte mirë për ata që duan të dinë me shumë të lexojnë librin tim “Përrallat e Tranzicionit Shqiptar” që mund ta marrin në librari ose shkrimet në Blogun tim Rrethi i Ferrit. Pastaj çdo të presin shqiptarët nga qeverisja e PD? Kur e ngroh në gji gjarpërin, dhe pret të zgjohet, ç’ka pret se do të bëjë? Do të kafshojë. Kështu do të bëjë edhe PD. Ajo që duhet është që të shohim përtej PD-së dhe t’ju japim një zgjidhje tjetër edhe atyre që e mbështesin PD-në. Të shohim nga e ardhmja dhe nga ajo që na duhet. Shqiptarëve iu duhet një qeverisje e ndershme, e barabartë para ligjit, e drejtë sipas ligjit dhe me njerëz të pakapur nga interesat joshqiptare, por patriotë dhe atdhetarë. Shqiptarëve nuk iu duhet PD, ashtu si nuk ju duhen këto partitë e jenicerëve e martallozëve, mercenarëve, cubave e lamashëve, por një parti që e ka të shenjtë parimin “Shqipëria e Shqiptarëve” dhe që punon pa kushte për këtë qëllim fisnik. E kemi parë se si kjo rruga ku na kanë drejtuar na ka çuar në greminë. Prandaj, duhet t’i thërrasim mendjes e të ndryshojmë rrugë, prandaj na duhet ndryshimi dhe një fillim i ri.

– A ka strategji politike PD për të bërë opozitë?
– PD nuk ka strategji për të luajtur rolin e vet si një opozitë fisnike e kombëtare, por ka një strategji të qartë si pjesë e parisë, e parisë kriminale të Tiranës dhe e qeverisjes së saj. Strategjia e saj është që të mbrohet me çdo kusht e mënyrë familja e Sali Berishës, dhe të mos preken interesat e bandave kriminale të lidhura me PD-në. Kjo është edhe në interesin e parisë sunduese të Tiranës, për të mos lejuar që të dalë një opozitë reale dhe e vërtetë. Strategjia e PD-së konsiston, nga një anë, me bashkëpunimin pa kushte me koalicionin e ngjalave, edhe pse në Kuvend shahen me libër shtëpie. Nga ana tjetër, PD është e gatshme për ngritjen e tensioneve sa herë bëhet thirrje për arrestime etj. Po ashtu, përpjekja jetike e PD-së është që të mbesë opozita, me çdo kusht e me çdo cmim. Prandaj me rast e pa rast sulmojnë ata që mund të jenë alternative e vërtetë politike, përfshirë këtu edhe njerëz si puna e ime. Më në fund, PD dhe Sali Berisha shpresojnë se me paraqitjen e disa që e kanë larë fytyrën, por nuk e kanë të pastër, sepse i kanë xhepat e mbushur me paratë e vjedhura nga shteti dhe kombi i shqiptarëve, do të fitojnë kohë dhe do të bëhen të pranueshëm.
-Kanë ndodhur shumë ngjarje, që kanë ngjallur reaksione negative te populli, por PD nuk ka mundur që të sensibiliozjë opinionin për reagime. Përse sipas jush?
-Po çfarë sensibilizimi? PD dhe Berisha e kanë humbur besimin dhe kapitalin politik që mund të kenë pasur tek populli shqiptar. PD e ka kryer misionin e vet historik me kohë dhe e ka kryer me shumë turp. Tani është koha që të kemi një fillim të ri, me njerëz të rinj dhe me ide të tjera. PD nuk iu ofron asgjë shqiptarëve. Populli shqiptar do të ndjekë vetëm bijat e bijtë e tij, që punojnë me bindje e me përkushtim për të ardhmen e të mirën e tij. Nëse krijohet një alternativë e pranueshme patriotike e kombëtare, e jo disa karagjozë që shiten për një grusht lekë, të jeni i sigurt se populli do t’i ndjekë. Shqiptarët janë të neveritur nga ky krim e nga këta banditë të zgjebosur.

-Përse nga kjo opozitë e PD mungojnë protestat, si një mjet demokratik, për të opozituar keqqeverisjen, për shumë tema, si papunësia, mjerimi, mosdhënia e ndihmës sociale për shtresat në nevojë, korrupsioni?
– E para, kush ka interes nga PD që të dalë të protestojë kundër këtyre bandave kriminale, që sundojnë shtetin? E për çka do të protestojnë? Për ato miliardat që vodhën gjatë këtyre tetë viteve? Kush do të dalë në protestë nga këta të PD-së dhe kush do t’iu prijë? Këto hajnat, kriminelët, trafikantët dhe drogaxhinjtë, apo veglat e tyre, skuthat e zyrave të PD-së? Vrasësit e kriminelët e sprovuar, që rrihnin gjeneralët e oficerët dhe iu zunë vendin? Apo ata që e kanë mbushur dyshekun e qypin me florinj e pasuri të vjedhura këto tetë vite dhe që shkojnë tek zyrat e PD-së, thjesht për të bërë qokën, se nuk kanë as nevojë të protestojnë, as të shihen më në publik, por e bëjnë këtë se duan “te jenë brenda” dhe të kenë një mburojë politike se nuk i dihet se kush do ta hajë nesër? Kush do ta bëjë protestën? Ata që i kanë të gjithë investimet e pambuluara e të papërfunduara e të paligjëruara? Lufta e militantëve të PD është krejt ndryshe nga lufta e këtyre cubave. Ajo që na duhet është që të rrimë sa më larg demagogjisë dhe të drejtohemi nga hallet e vërteta të kombit, nga hallet e shqiptarëve që nuk kanë, as bukë e as ilaçe, as drita e as të ardhme, nga pensionistët që po shuhen e nga të rinjtë që nuk kanë asnjë shpresë. Ky tranzicion ishte një mashtrim i madh, tanimë gjithkush e ka kuptuar mashtrimin, por askush nuk don të marrë përsipër ndryshimin e sistemit dhe fillimin e ri. Është një detyrë titanike, por ia vlen me e pague atë çmim, çka që të jetë, edhe me jetë, vetëm e vetëm me i dhanë një të ardhme ndryshe kombit tonë.

-Me këtë reagim opozitar të sotëm, mendoni se PD e ka bërë analizën e humbjeve elektorale PD të 2013 e 2015?
-Llogarinë këta e kanë bërë në banka, në depozita, në investime, dhe në biznese. Për këta, kjo është ajo llogaria që ka rëndësi. Sa për kombin e popullin, llogaria që duhet bërë është se sa kanë vjedhur e ka kanë shpërdoruar, sa na kanë dëmtuar e shkatërruar, sa breza humbëm, e sa jetë kemi tretur në rrugëtimin e marrëzisë kolektive që ka 25 vjet që zgjat. Kështu si është katandisur për PD-në puna, nuk është të bëjë llogarinë, sepse atë duhet t’ia bëjmë ne, por thjesht që të mbijetojë. Edhe vetë PS-së i duhet nëj PD e tillë, që të mos ketë dhëmbë të kafshojë si opozitë reale dhe patriotike por që t’i mbajë me shpresë shqiptarët se nuk do të vijë puna të punojnë edhe një herë tokën dhe të hanë bukë e djathë e domate. E, në fakt, edhe pse ata nuk e ndjejnë këtë, sepse po shkon puna dalë e ngadalë në atë drejtim, PD po i çon në atë rrugë. Këta që i sundojnë, pa një opozitë kombëtariste e të ndershme, që mendon e që punon për popullin, do t’ua heqin shqiptarëve lëkurën, sikur qepës… E pse? Sepse këta që qeverisin, apo që sundojnë, nuk e kanë mendjen për shqiptarët, por për vete dhe nuk iu djeg dhimbja e kujt, por kanë hallin e tyre që të vjedhin e të rrjepin sa më shumë e sa më shpejt për veten e vet. Këta nuk na duhen ne. Çka kanë bërë për ne. Asgjë. Kë kanë dënuar e arrestuar. Asnjërin. Ku po shkojmë? Askund. Kush punon nga këta për shqiptarët? Askush. E atëherë duhet një opozitë e re, duhet një fillim e ri dhe vetëm ne shqiptarët mund ta bëjmë, duke punuar me njëri-tjetrin për të mirën e të gjithëve ne.

– I vetmi person që ka pranuar përgjegjësitë politike të humbjes poltike të PD është Berisha me dorëheqjen e tij nga postet drejtuese te PD. Po për figura të tjera të PD a nuk është e njëjtë kjo përgjegjësi politike?
– Sali Berisha është PD dhe PD është Sali Berisha. Edhe me kenë në rreshtin e fundit në një mbledhje Saliu, të gjithë do të kthehen, si lulekuqe nën mure që janë, nga ai. Saliu është shpirti dhe zemra e PD-së. jo vetëm që është një kokë më lart se të gjithë, por është edhe një kilometër para të gjithëve. Të gjithë pjestarët e parisë së Tiranës duhet të gjykohen si kriminelë, si vjedhës, si hajna e si gangster dhe këta të PD-së nuk bëjnë fare përjashtim. Ajo që kanë bërë të gjithë bashkë është e bërë me vetëdije e me ndërgjegje të plotë. Përgjegjësia, pra, nuk është politike, por kriminale. Përgjegjësia që këta kanë, nuk është politike por është përgjegjësi para ligjit, kombit dhe historisë, si dhe brezave të ardhshëm që d’ua nxjerrin edhe eshtrat nga varret, sepse nuk i meritojnë me i pasë në tokën shqiptare. Prandaj duhet edhe zbatimi i ligjit, vendosja e dënimit me vdekje, sekuestrimi i pasurisë, forcimi i shtetit, një gjykatë e veçantë për krimet e tranzicionit. Duhet një ndryshim i sistemit dhe i sistemeve ekomonike, politike, zgjedhore e të fushave të tjera, ose përndryshe duhet të pranohet një kompromis me disa për të pastruar fushën, duke krijuar një senat me imunitet dhe për të gjithë një shtet, me ligj të hekurt e të padiskutueshëm. Pse nuk ua dhanë paratë fukarenjve, por i vodhën vetë? E dinin se cfarë po bënin dhe pikërisht për këtë krimi i tyre është shumëfish më i rëndë. E jo vetëm PD, por e gjithë paria e Tiranës. Le të shohim si i kanë paguar biletat e avionave, në mos këta, ato gratë e tyre, që ende vijnë erë katundi, kur shkojnë për “shopping” në Firenze, Montecarlo, apo në Paris. Por për të vjedhur vetë një miliard, këta i kanë lënë të gjithë të vjedhin nga një mijë lekë dhe kështu jemi bërë popull hajnash e trafikantësh. Por nuk e ka fajin ai fukarai që e ka bërë nga halli. Fajin e kanë këta që e kanë bërë nga lezeti e makutëria. Ai mjerani që vrau veten se i mbyllën dyqanin e meritonte një konsideratë të dytë. E këta qeveritarët që kemi në këtë Tryezën e Kobrave nuk kanë përgjegjësinë e duhur politike. Përse nuk i nisin këta 1.500 taksidarët tek miliarderët që nuk i paguajnë një kacidhe shtetit? Ku i morën paratë për vilat këta që paguhen kaq me modesti? Dy vetë e bëjnë zap një biznes, sado i madh të jetë. Por nuk iu intereson. Dikush që don të pijë gjakun e fëmijës së mjerë, duke i hequr kafshatën nga goja fukarait, kur miliarderi i ka vënë miliardat në pak vite pa paguar taksa e detyrime, nuk e meriton, as me qeverisë e as me kenë në opozitë. 

-Ju si mendoni, sa është rinovuar sot udhëheqja e PD?
-Udhëheqja rinovohet me ide, e jo pse rruhesh dy herë në ditë dhe i bën flokët me xhel. Nuk ka rinovim në PD, sa kohë që nuk ka ideologji tjetër. Por ku kanë ideologji këta??? Këta kanë qënë të gjithë pjesë e krimit. Kanë qënë e janë pjesë e krimit, sepse kanë vjedhur, sepse kanë mbyllur sytë, sepse kanë toleruar krimin, sepse kanë heshtur, dhe për më shumë, sepse duan që të të kenë një shans të dytë që të thithin edhe palcën e kockave dhe atë që ka mbetur. Ne na duhet një opozitë tjetër që të bëjë luftën e vërtetë kundër këtyre që na rrjepin e na sundojnë kaq pa mëshirë e pa ndershmëri e drejtësinë e duhur.

-Sa reale janë kritikat që bëhen për mungesën e një lidershipi në PD?
-Shumë reale. Udhëheqës nuk të bën kostumi e as xheli, por ideologjia dhe vlerat. Por kjo i shërben Saliut. Me një lëvizje, ai e kthen lojën ku don vetë, brenda PD-së natyrisht.

-Do të bëjë dot pastrimin e figurave të korruptuara dhe të inkriminuara të PD komisioni i posaçëm, me kryetar Halim Kosovën?
-Jo ore, çfarë pastrimi, ndoshta më parë bëjnë pastramin, apo pastërmanë. Mesa kujtoj, ai kryetari vetë ka thënë se ka marrë para, kur e ka ditur se personi ka para. Hajde dekriminalizim… njëlloj si nga pala tjetër që kanë nga 20 vjet me 3.000 euro në bankë dhe aq euro i harxhojnë kravata e këmisha në muaj.

-Çfarë risie politike solli Halim Kosova me kandidimin e tij në zgjedhjet e 21 qershorit?
– Risia ishte se tani, në këtë kulturë katundare që kemi e që mbizotëron në Tiranë, mbas shembullit të tij, ku prof. Dr. Halim Kosova tregoi me një profesionalizëm të rrallë se i mbante mend mirë, jo vetëm lindjet e vështira, por edhe ato të veçantat, dhe bile edhe ato që nuk u bënë lindje e bile as pjellje.
Sigal