Prof. Dr. Sabit Brokaj:“Siguria e fitores e së Majtës, të mos ulë vigjilencën në procesin e zgjedhjeve!”

111

PS-ja ka një supersiguri të fitores, ndaj është e rrezikuar nga manipulimi i votës

Prof. Dr. Sabit Brojka, me përvojën e gjatë, si politikan, në intervistën për “Telegraf” bën dallimin e deritanishëm të fushatave elektorale të PS-së nga PD-ja, ku pranon se, programi i PS-së është prezantuar shumë mirë, si nga përmbajtja, por edhe në aspektin skenik. Mirëpo, mangësia e PS-së dhe e opozitës, sipas zotit Brojka, është se, PS-ja nuk bën veprime politike për të ndaluar manipulimet që përgatit Berisha për zgjedhjet. Përsa i përket votimit të 3 ligjeve, që mund të ndodhin të hënën, zoti Brojka thotë se, ajo nuk do të thotë asgjë për integrimin, derisa Berisha mund të krijojë precedentë me manipulimin  e zgjedhjeve e të frenojë integrimin. Zoti Brojka mbështet risinë e Ramës, që gjithë ministrat të mos jenë deputetë, pasi, do të rritet përgjegjësia e tyre, pasi nuk do të kenë sigurinë e karriges së Kuvendit.

– Cila është risia që sjell e Majta në këtë fushatë elektorale?

Do të thosha, që cilësisht, si fushatë është mirë, në kuptimin që ka një program të paraqitur shumë mirë, si përmbajtje. Është i profilizuar si  program i një  partie të majtë dhe i paraqitur, pastaj, edhe në aspektin skenik, shumë mirë. Në këtë pikëpamje, fushata e PS-së, diferencon dukshëm në përmbajtje e në paraqitje, shumë më tepër nga fushata që bën Saliu i PD-së.

 – Çfarë i mungon së Majtës në fushatën elektorale?

– Problemi është fare konkret. Të dy partitë funksionojnë në asimetri. PS-ja i jep rëndësi programit, paraqitjes. Berisha, i cili nuk ka se çfarë të japë e tregojë, është një njeri krejtësisht pa ide, një  parti që vërtet nuk ka asnjë program, që i mbeti vetëm absurdi, ku mbushen disa gropa, apo riasfaltohen disa rrugë  që janë bërë që në 1800-n dhe Saliu përsëri vete që të presë shirit.  Dhe, pastaj gjithë kohën do të merret me Ramën, ku në çdo fjalë të Edit,  i cili në çdo fjalë që paraqet programin dhe mendimin politik, Saliu do të kapet te diçka dhe këtë ta thotë në Kukës, në Fier, në Shkodër, apo gjetkë. Në këtë pikëpamje, PS-ja dhe opozita duket dukshëm që luajnë pa kundërshtarë. Por, Berisha, luan fort në krahun tjetër, atje ku i ka ai çelësat dhe ku është edhe më i zoti. Tek manipulimi dhe vjedhja e votave. Këtu kam përshtypjen që opozita dhe PS-ja ka një mangësi.

– Konkretisht, ku?

– Opozita dhe PS-ja kanë denoncuar dhjetëra mijëra dublime. Çfarë është bërë? Si është presioni mbi pushtetin, mbi administratën, që ka në dorë listat? Dihet se Berisha i zvarrit këto, deri tek momenti i fundit, sa të vijë deri aty, në dilemë, të futet apo të mos futet në zgjedhje.

– Njëkohësisht, vetë Edi Rama po përsërit frazën: “ Sado të na vjedhë vota Berisha, ne do të fitojmë dukshëm”. A është qëndrim institucional ky qëndrim i Kryetarit të PS-së?

– E parë seriozisht, ky qëndrim është i papranueshëm. E para, ne, si PS – do të thotë Rama- e pranojmë që Saliu do të na vjedhë dhe bëjmë llogari, sa do vjedhë dhe sa do lërë Saliu. Është si puna e ujkut, a do lërë ndonjë gjë për çakallin? Nuk flitet kështu. Veprimi i PS-së është që duhet të ndalojë me domosdo vjedhjen e Berishës. Edhe sikur të mos e ndalojë tërësisht, nuk duhet të thotë: “Unë do të vitojë kaq shumë, sa Saliu s’ka se ç’të na bëjë. Do vjedhë, do vjedhë dhe do lërë përsëri në tenxhere”. Absolutisht, nuk mund të flitet kështu.

– Në sondazhin e para disa ditëve, u vu re se PS-ja dhe PD-ja janë në % të barabartë. Si e shpjegoni ju që PS-ja nuk e ka fituar elektoratin, edhe me këtë keqqeverisjen e maxhorancës Berisha, siç pretendon?

– Unë nuk e besoj sondazhin dhe ato shumë rrallë besohen. Unë kam bindjen që diferenca është shumë e rëndësishme midis opozitës dhe maxhorancës. Dhe, kam frikë, se pikërisht  kjo diferencë i ka dhënë një siguri plus Edit që të flasë në atë mënyrë. Por në literaturën e zgjedhjeve, nga profesionistët që drejtojnë zgjedhjet, thuhet që  ai që ka sigurinë e fitores, është e sigurt që humbet. Domethënë, deri në atë moment, që KQZ-ja do të firmosë edhe për deputetin e fundit, opozita duhet të ndjekë procesin zgjedhor. Kjo siguri absolute, kur ende nuk ka filluar asgjë dhe pa korrigjuar veprimet e mëdha manipuluese të zgjedhjeve, është vërtet shqetësuese për PS-në.

– Prirja e votuesve ndaj PS-së, do të jetë votë proteste për Berishën, apo votëbesim për PS-në?

– Unë mendoj se në masën e madhe, do të jetë një votim kundër Berishës. Përpjekjet që bën së fundmi PS-ja, duket  se shumë vota kundër Berishës, do t’i kthejë në “pro” saj . Pra, ata shqiptarë që kërkojnë një qeveri ndryshe, në 23 Qershor, do të votojnë “pro” PS-së dhe jo thjesht kundër Berishës. Pavarësisht, se deri tani, përgjithësisht, është votuar “kundër”. Natyrisht, që vota më e sigurt për  rrëzimin e  Berishës, është vota “kundër” Berishës, por  do jetë në një masë të respektueshme edhe vota “pro” në një farë optimizmi që ngjall, programi dhe paraqitja e lëndës nga PS-ja.

– Rama e Meta bëjnë fushatë elektorale, veçmas njeri-tjetrit. Kjo është një taktikë e drejtë e strategjisë të së Majtës, për të fituar?

– E quaj normale në kuptimin, që derisa  grupim kërkon të marrë vota sa më shumë secila, që të përbashkëta janë në funksion të koalicionit, ku secili të përpiqet  për votë  e vet, por duke patur një tezë kryesore: Rilindjen e përbashkët, largimin e Berishës nga pushteti.

– Përse duhet të jetë optimist dhe  të shpresojë elektorati që leucemia e qeverisjes së deritanishme, korrupsioni dhe  padrejtësia e Drejtësisë, do të kurohen me bashkëqeverisjen PS-LSI?

– Unë i qëndroj një koncepti të tillë. Po qe se Kryeministri është i vendosur të bëjë një qeverisje pa korrupsion, ajo qeverisje do të ketë shumë pak, ose aspak korrupsion. Në qoftë se Berisha do të donte një pushtet pa përfitime, të paligjshme, pa korrupsion, Berisha mund ta bënte. Në qoftë se Edi Rama është vërtet i vendosur të luftojë korrupsionin, do të thotë që ai nuk do të korruptohet vetë. Berisha dhe kryeministra të tjerë, deri tani, janë korruptuar për vete, që kanë lejuar korrupsionin deri poshtë piramidës.

– Është rastësi që tek e Majta, debatohet tani, pikërisht, se cili do të jetë Kryeministri i ardhshëm?

– Për mua qëllimi i debatit nuk është dashamirës. Naçua në Berat e ngacmoi këtë tezë dhe jo me qëllim të keq. Komentet që u thanë, përtej, për mua do të thotë futjen e fitilave midis PS-LSI.

– Pasnesër edhe mund të votohen 3 ligjet. Por, cilat janë ato ndryshime që kërkohen që Shqipëria të bëhet Shqipëri Europiane?

– Ka 20 vjet që politikanët e qeveritarët tallen e luajnë me fjalët. Luajnë me integrimin. Dhe 3 ligjet nuk është se do të ndryshojnë ndonjë gjë. Ato nuk do të sjellin shumë demokraci, nuk do të sjellin më shumë mirëqenie. Janë premisë për hapjen e bisedimeve. Kemi edhe shembuj të tjerë, që hapen bisedimet e ato shtyhen sa të duash. Ta bëjmë drejtësinë për veten tonë, ligjin për veten tonë. 3 ligjet mund të miratohen, por, në qoftë se zgjedhjet nuk bëhen me standarde, 3 ligjet nuk kanë asnjë kuptim dhe përsëri hapja e procesit të integrimit do të shtyhet shumë larg. Saliu mund t’i votojë 3 ligjet dhe ta prishë integrimin me zgjedhjet që mund t’i manipulojë.

Ministrat jo deputetë, rritje e përgjegjshmërisë

 – Po ideja e Ramës, që gjithë ministrat e kabinetit të tij të mos jenë deputetë, ju duket risi apo eksperiment?

– Jo, kjo nuk është eksperiment. Më pëlqen ky arsyetim nga ku është nisur Rama, sepse, gjykoj, që  ky koncept  për perceptimin e kabinetit qeveritar e ka një hap në drejtim të përgjegjshmërisë të ministrave. Duke qenë se ministrat e kanë karrigen e deputetit të siguruar, pas largimit nga qeveria, i lejojnë vetes edhe shkelje të mundshme, në këto lojëra kompromisi që bëjnë për interesa të paligjshme. Duke u hequr këtë mundësi, të qenurit deputet, imunitet, do ta quaja unë, ministrat të jenë shumë më të përgjegjshëm,  më të brishtë, për të qëndruar në karrige dhe për të funksionuar edhe më mirë. Ministrat, pasi janë mbushur me para, janë të sigurt që kanë një karrige në Parlament, e cila është shumë e pëlqyeshme.

 – Faleminderit!