Prof. Dr. Rexhep Mejdani/ Levanti – një partner i BE-së apo një mallkim gjeopolitik i tij

643
Sigal

Turqia si anëtare potenciale e BE-së ka rolin e saj të padiskutueshëm për konfigurimin e një Levanti të Ri paqësor

Gati një vit më parë, në forumin ndërkombëtar të Bukureshtit me temë: “Levant, Cradle of the Cultural Diplomacy. Rediscovering the Mediterranean” (maj 2013), në mes të referateve kryesore ishte dhe ai i imi. Si për “çudi”, ai pasqyronte disa shqetësime që, pas takimit Erdogan- Thaçi- Rama, u ndeshën dhe në reagime publike të ndryshme, shpesh të shoqëruara me një “patriotizëm” të panevojshëm. Midis tyre bëhej fjalë edhe për synime konkrete turke në rajon. Në fakt, ndryshe nga Turqia laike e Ataturkut, ajo e Erdoganit duket sikur ushqen idenë e rindërtimit të një ëndrre neo-otomane. Ajo, duke shfrytëzuar situatën ekonomike botërore, e ka intensifikuar aktivitetin në zonën përreth, në veçanti, në të ashtuquajturin Levant. Një përpjekje tjetër e politikës turke është krijimi i një Komwnuelthi turqisht-folës, një lloj integrimi rajonal i modeluar sipas ideve nismëtare të BE-së. Në njëfarë mënyre, siç u transformua Lindja e Mesme pas Luftës së Parë Botërore, me shpërbërjen e Perandorisë Otomane dhe krijimin e shteteve të veçanta, edhe “Pranvera Arabe” e ka rikonfiguruar sistemin rajonal sipas tre boshteve: sunit,  shiit dhe “monarkik”, pro status quo-së. Në thelb, konflikti i vazhdueshëm në Egjipt e ka nxjerrë këtë të fundit nga loja, duke zëvendësuar konkurrencën katërshe në rajon (Turqi, Iran, Egjipt, Arabia Saudite) me atë midis tri fuqive të mbetura. Ndërkohë, edhe qeveria e sotme turke po e thellon prirjen e saj autokratike, gjë që ka nxitur në vend mjaft pakënaqësi. Në një farë mënyre, reflektimi i kësaj rrethane duhet të ishte përfshirë, brenda një “terminologjie diplomatike”, në takimin e Prizrenit midis Shqipërisë (në pritje të statusit të vendit kandidat), Kosovës (në prag të nisjes së negociatave për MSA-në) dhe Turqisë (që ka aplikuar për integrimin europian). Nga ana tjetër, kërkohet një lexim realist më global. Kështu, pavarësisht, vizitës së Kryeministrit në Shqipëri dhe grupit shoqërues të biznesit turk, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova me popullsitë, peshat e fuqitë ekonomike modeste nuk mund të jenë më shumë se sa janë për Turqinë sot; sepse kjo e fundit, duke qenë në qendër të një konfiguracioni të ri gjeopolitik në Mesdheun Lindor, në mënyrë të natyrshme ka aty përqendrimin e vet politik, ekonomik e kulturor.

Ç’ është Levanti?

     Termi Levant, në origjinën e vet, kanënkuptuar rajonin e Mesdheut në lindje të Italisë. Por, më vonë, si i tillë konsiderohej rajoni lindor i Mesdheut me shtrirje gjeografike nga Anatoli në Egjipt (Qipro, Libani, Siria, territoret palestineze, Jordania, Izraeli e Turqia Jugore). Në përgjithësi, ai është konsideruar si “një kryqëzim rrugësh të Azisë Perëndimore, Mesdheut Lindor dhe Afrikës Verilindore”; por, gjatë viteve, shtrirja e Levantit ka evoluar. Sidoqoftë, pavarësisht hartave konkrete, një rajon i tillë ka qenë origjinë e qytetërimeve e feve kryesore. Aty, krahas bashkëpunimit, edhe përplasjet, konfliktet e gjakderdhjet kanë qenë të mëdha. Ato janë ende të pranishme. Me gjithë shtrirjen rajonale të tyre, ata kanë pasur ndikim të gjerë, duke ndikuar shpesh në politikën globale. I tillë ishte rasti i shpërbërjes së Jugosllavisë, ku pas një dekadë luftërash, pastrimi etnik e gjenocidi, sidomos ndaj popullsisë myslimane, u ndryshua harta e saj. Tani, në kushte paqeje, përparësia e shteteve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE…

       Në Levant, pas të ashtuquajtur “Pranverë Arabe”, ndeshen ende sot sisteme të ndryshme politike (regjime autokratike e teokratike, monarki absolute ose në reformim, demokraci në tranzicion), ideologji, kultura, tradita e fe të ndryshme. Aty, në vend të “përplasjes së qytetërimeve”, duhet dimensionuar rishtazi ndërveprimi për çështje publike, toleranca, dialogu dhe vetë ideja e demokracisë, që nuk mund të konsiderohen thjesht përjashtime historike të qeverisjes demokratike të Athinës, apo qeverisjes republikane të Romës, etj., por dhe karakteristika të traditës në Afrikën Veriore e vende të tjera të Levantit. Edhe vetë popullsia myslimane ka mbështetur në shekuj vlerat demokratike e racionale, tolerancën e traditën kulturore njëlloj si vende perëndimore, ku liberalizmi gjeneroi demokracinë dhe demokracia fuqizoi liberalizmin. Pikërisht, për një perspektivë të tillë ka nevojë Levanti i Ri që, duke lënë pas konfrontimet në Levantin e Vjetër, të arrijë të shndërrohet në një bashkësi të emancipuar popullsisë e shtetesh në Mesdheun Lindor.

 

Turqia në Levantin e Ri

        1. Turqia. E ndodhur në qendër të Levantit, ajo zë një hapësirë të privilegjuar gjeopolitike. I domosdoshëm është për të procesi i integrimit europian. Nëpërmjet një procesi të tillë Turqia mund të shërbejë si model pozitiv për vende të tjera të rajonit. Madje, me rënien e influencës amerikane e ruse në Levantin e Ri, Turqia mund të rrisë, në mënyrë të natyrshme, ndikimin e saj, duke synuar aty një rol të ri. Veçse, ndryshe nga Turqia e Ataturkut që e shikonte Lindjen e Mesme prej Perëndimit, Turqia e Erdoganit po e ushqen artificialisht ëndrrën  neo-otomane (kjo do të theksohet tashmë me zgjedhjen e tij si president i Turqisë). Një gjë e tillë mund të nxisë më tej konfliktin midis dy trungjeve islamike: atij Sunit dhe atij Shiit. Në fakt, Turqia, më parë me Egjiptin dhe sot me Vëllazërinë Myslimane, synon të përfaqësojë boshtin e ndikimit sunit, kurse Irani shiit përpiqet ta kompensojë këtë ndikim me anë të aleancës me Hezbollahët e Sirinë. Paralelisht, po zhvillohet një dinamikë e re rivaliteti midis Riadit dhe Teheranit, sidomos me rritjen e ndikimit iranian në Irak (me fuqizimin e shiitëve  pas afro 5 shekujve). Me peshë mbeten marrëdhëniet Turqi-Izrael në një rajon akoma më të komplikuar pas Pranverës Arabe.

         2. Nafta e gazi në Levantin e Ri. Një element i ri në rajon është zbulimi i rezervave të gazit e naftës në Detin Mesdhe, në hapësirën midis Greqisë, Turqisë, Qipros, Izraelit, Sirisë e Libanit. Zbulime të tilla mund ta shndërrojë Izraelin nga një vend të varfër në energji në një vend të pasur, duke ndryshuar vetë ekuacionin gjeopolitik të Mesdheut Lindor e përtej tij. Shndërrimi i këtij rajoni në një hapësirë të tipit “Gjiri Persik”, njëlloj si ky i fundit, mund të jetë dhe një “mallkim” gjeopolitik i tij. Madje, një konflikt i stërzgjatur në Lindjen e Mesme mund të zëvendësohet me beteja të reja mbi posedimin e këtyre rezervave në basenin e Levantit dhe detin Egje.

 

Bota Arabe – nevoja për model

      1. Falimentimi i modelit të mëparshëm. Në botën arabe është zhvilluar një betejë e gjatë midis rendit e kaosit, stabilizimit e destabilizimit, liberalizmit e demokracisë, sekularizmit e radikalizmit fetar. Në fakt, pas fitimit të pavarësisë, në vendet arabe, zgjedhja e bërë midis socializmit, sekularizmit e nacionalizmit ka qenë praktikisht një dështim: u sajuan regjime autokratike ose plasën konflikte të përgjakshme. Edhe sot, kjo botë ka mbetur ende e bllokuar midis qeverisjeve autokratike e shoqërive jo liberale; njëfarë oshilimi midis modelit turk e atij iranian, deri instalimi i qeverisjeve fetare në vend të nevojës për institucione demokratike laike.    

      2. Islami si ideologji politike. Në dekadat e funditështë propaganduar një rilindje e Islamit, deri duke e konsideruar atë si ideologji politike. Tipik është Irani me qeverisjen e vet teokratike. Karakteristikë tjetër është globalizimi i deformimeve fetare, ideore e praktike, i shoqëruar me një radikalizëm drejt dhunës. Kjo, në një mënyrë apo tjetrën, ka ushqyer vetë-përjashtimin, duke  vonuar, deri refuzuar integrimin dhe kohezionin e emigracionit me origjinë nga vende me popullsi myslimane brenda shoqërive perëndimore. Prandaj, sot, në botën arabe kërkohen reforma të thella politike e ekonomike, pasuar me ndryshime sociale e kulturore.     

      3. “Pranvera Arabe”. Fillimisht e bllokuar në Libi, më tej në Siri, “Pranvera Arabe” gati është shndërruar në një “Dimër Arab. Situata qeverisëse, konflikti në Egjipt (të konsideruar deri vonë si shpirti intelektual i botës arabe) dhe evolucioni i tyre lidhen ngushtë me të ardhmen e rajonit verior të Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Jo pa influencë është evolucioni i mëtejshëm i Tunizisë, ndërsa, një Irak i normalizuar (jo ky i sotmi!) mund të kthehet në një shembull tjetër pozitiv.

     4. Rreziku ieksportit të konfliktit. Sot, qeveri të ndryshme, në Levant,po e ndjejnë rrezikun e eksportit të xhihadit. Sepse një xhihad në distancë mund të vijë lehtësisht në shtëpi. Parë me këtë sy, çdo eksportim i tij është me pasoja të mëvonshme. Kjo frikë është ndeshur, p.sh., në Tunizi, sepse, me shuarjen e konfliktit në Siri militantët radikalë tunizianë, pas kthimit në shtëpi, mund të ushqejnë  konfliktin fetar brenda vendit të tyre.

     5. Konditat e nevojshme dhe të mjaftueshme. “Teknologjia” e zgjedhjeve nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Ky ishte, p.sh., rasti i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 në Palestinë, apo rezultatet e zgjedhjeve (në kuadër të “Pranverës Arabe”) në Egjipt e Tunizi. Në të vërtetë, liberalizimi i proceseve demokratike, ku zgjedhjet janë preludi i tij, nuk kanë sjellë ato pritshmëri politike- institucionale e ekonomike- sociale. Pra, sistemi pluralist dhe zgjedhjet e lira janë vetëm kondita të nevojshme. Për të pasur një progres real në botën arabe duhet të plotësohen dhe konditat e mjaftueshme, që lidhen aty me zhvillimet kulturore, sociale e ekonomike, përfshirë dhe barazinë gjinore. Një evolucion i tillë është ndeshur në vite në Turqi, por sot ai duhet mbrojtur! Me vlerë është përfshirja e udhëheqësve fundamentalistë në rajon brenda sistemit politik. Kjo gjë e ç’mitizon “heroizmin” e tyre, duke i shndërruar në politikanë të zakonshëm…

 

Turqia dhe BE-ja.

       1. Një zhvendosje e rolit të Turqisë në Mesdheun Lindor. Dinamika aktuale e politikës së jashtme turke, ndryshe nga reminishencat e Luftës së Ftohtë, pasqyron një interes e zhvendosje të kësaj fuqie drejt rajoneve të veta qendrore e lindore, por dhe jashtë tyre. Madje, hapja e Turqisë drejt vendeve të tilla si: Iraku verior, Siria, Libani, Jordania, Izraeli, Autoriteti Palestinez e Qipro, etj., është bërë shumë e rëndësishme. Duke qenë në qendër të këtij konfiguracioni të ri gjeopolitik në zhvillim në Mesdheun Lindor, ajo po synon të shndërrohet në një vend udhëheqës, madje dhe një model për vendet e tjera myslimane. Deri vonë, duke shfrytëzuar situatën ekonomike, Turqia e ka intensifikuar aktivitetin e saj në Lindjen e Mesme, duke rritur peshën e ndikimin e vet në rajon, jo më thjesht në rolin e ndërmjetësit. Një përpjekje tjetër e politikës turke është krijimi i një Komwnuelthi turqisht-folës, një lloj integrimi rajonal ekonomik e politik. Shkurt, Turqia si Lindje e Perëndimit mund të bëhet një Perëndim i Lindjes. Por, për të realizuar këtë objektiv ajo duhet ta mbajë gjallë frymën “kemaliste”, të mbështetur në doktrinën franceze të laicitetit në shkollë, qeverisje e politikë; edhe pse referenca fetare duhet shfrytëzuar pozitivisht për ndikimin turk në rajon.

        2. Turqia dhe BE-ja. Anëtarësimi i Turqisë në BE është me peshë në ndërtimin e një ure kontakti e ndërveprimi midis kulturave të BE-së dhe vendeve të Levantit. Në kryqëzim të disa qytetërimeve, Turqia ka mjaft gjera të përbashkëta me europianët, sidomos popujt e Ballkanit, por dhe lidhje historike me popujt e tjerë të Lindjes së Mesme e Azisë. Kjo është një arsye shtesë për mbështetjen e integrimit të Turqisë në BE. Një shembull kuptimplotë ka qenë anëtarësimi i Turqisë në NATO dhe pasojat pozitive të këtij anëtarësimi.

        3. Turqia dhe SHBA-të. Bashkëveprimi strategjik midis Turqisë dhe SHBA-ve është çelës për politikat e sigurisë së dy vendeve. Por, kjo aleancë vitale ka pësuar disa çarje, veçanërisht, më 2003, me refuzimin e parlamentit turk për zhvendosjen e trupave amerikane nëpër Turqi drejt Irakut. Edhe maturia e politikës turke në rajon është një provë tjetër e rëndësishme. Me shqetësim shihet, sot, ecuria e proceseve demokratike në Turqi. Po ashtu, marrëdhëniet SHBA-Turqi e BE-Turqi, nisur nga roli turk në rajon, kanë një ndikim të veçantë në reduktimin e konflikteve dhe rivaliteteve gjeopolitike në Levant.

       4. Një zgjidhje për krizën siriane. Në vend të luftës, një zgjidhje për krizën siriane rezultuan bisedimet. Po ashtu, një Siri në duar fundamentalistësh mund të provokojë seriozisht bashkekzistencën fetare në rajonin e Kaukazit, përfshirë dhe shqetësime të panevojshme në bashkësi myslimane në Ballkan, përfshirë dhe Shqipërinë. Në fakt, kriza siriane reflekton një konflikt të vjetër midis shiizmit dhe sunizmit. Për shmangien e tij kërkohet një kontribut i gjithanshëm, sidomos prej Ligës Arabe në ndërveprim me SHBA-të, BE-në, Rusinë e Kinën. Kështu, Turqia, në krizën siriane, është përpjekur të rrisë ndikimin e saj, duke inkurajuar ndërhyrjen ushtarake në Siri, ndryshe nga Irani që ka qenë krejt kundër. Një nyje tjetër konflikti mbetet rivaliteti midis Arabisë Saudite e Iranit, sidomos me rritjen e influencës iraniane në Irak. (Ndryshe nga koha e Sadamit, marrëdhëniet e sotme Teheran- Bagdad po bëhen gjithnjë më me peshë, duke shqetësuar Arabinë Saudite). Me shmangien e deritanishme të ndërhyrjes ushtarake në Siri, bie deri diku dhe pesha e konfrontimit midis Riadit e Teheranit, vetë përplasja sunite-shiite gjatë Tigrit e Eufratit. Sidoqoftë, pozicionimet diametralisht të kundërta mbi Sirinë flasin për lindje të një rendi të ri në Lindjen e Mesme, që duhet vlerësuar e analizuar  drejt.

     5. Nga konkurrenca 4-boshtore në atë 3-boshtore. Siç u transformua Lindja e Mesme pas Luftës së Parë Botërore, me rënien e perandorisë osmane dhe krijimin e shteteve të ditëve tona, edhe Pranvera Arabe, në njëfarë mënyre po e rikonfiguron sistemin rajonal. Ai po shfaqet sot me tre boshte: një bosht sunit (Turqi +Vëllazëri Myslimane), një bosht shiit me Iranin në krye dhe një bosht të tretë (“monarkik”) pro status quo-së me Arabinë Saudite në krye. Secili, aty, kërkon aleatë dhe një rol në rritje. Një gjë e tillë pritet të ushqejë tensione, të krijojë fërkime duke nxitur përplasje sektare. Në fakt, para Pranverës Arabe, shtetet myslimane më të fuqishme në rajon: Egjipti, Turqia, Irani e Arabia Saudite, e sfidonin njëri-tjetrin duke mbështetur qeverisje të ndryshme; veçse me përjashtim të Libanit e Irakut të pas vitit 2003, përplasja  sunite -shiite nuk ka qenë e dhunshme. Ndërsa, aktualisht, paraliza e Egjiptit e ka zëvendësuar konkurrencën katërshe në rajon me atë midis tri fuqive të mbetura: Turqisë, Iranit e Arabisë Saudite. Në këtë konkurrencë, një problem bazik mbetet mbrojtja e modelit “kemalist” të Turqisë, të kërcënuar deri diku sot në qeverisje. Po ashtu, edhe pse Turqia e Arabia Saudite mbështesin në Siri kampe të ndryshme në opozitë, ata janë gjithsesi të bashkuara kundër Iranit. Ndërsa, në Egjipt, Turqia mbështet Vëllazërinë Myslimane dhe Arabia Saudite ushtarakët. Siç shihet, në këtë rend të ri tre-boshtor, Turqia, Irani e Arabia Saudite përfshihen në aleanca të ndryshueshme në përpjekje për të fuqizuar secili veten.

Konflikti Izrael-Palestinë. Turqia dhe Izraeli.

       1. Zgjidhja e konfliktit Izrael-Palestinë i shërben paqes e stabilitetit. Ky konflikt kohë-gjatë ka marrë përmasa tej rajonale. Ai, me ndonjë përjashtim, ka krijuar pakënaqësi në të gjithë botën arabe. Madje, si një konflikt toke, pronësie, feje e ekzistence, ai është shoqëruar me përplasje permanente midis dy komuniteteve në Lindjen e Mesme. Shuarja e këtij konflikti jo vetëm i shërben paqes e stabilitetit në rajon, por dhe i jep një qetësi e frymë-marrje vetë politikës globale.

       2. Turqia dhe Izraeli në Levantin e Ri. Rritja e rolit rajonal të Turqisë ka ndikuar në nivelin e marrëdhënieve turko – izraelite. Ato nuk janë si më parë. Por, pas “Pranverës Arabe”, këto dy vende duhet t’i rindërtojnë këto marrëdhënie. Ndërkohë që, situata gjeostrategjike e Turqisë (jo ajo e brendshme!) është përmirësuar dukshëm, Izraeli ka shqetësime serioze në kufijtë e tij. Prandaj, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit duhet t’i përshtaten këtij realiteti të ri dhe interesave të ndërsjella. Në fakt, Turqia me ndikim në rritje në rajon duhet ta parapëlqejë një raport të mirë me Izraelin, si më parë; por dhe për Izraelin është i dobishëm ky aleat i fuqishëm rajonal. Veçse një marrëdhënie e tillë, kërkon besim të ndërsjellë e jo abuzim ushtarak sionist.

     3. Kundër një “mallkimi” të ri gjeopolitik. Ekuacioni gjeopolitik i rajonit të Mesdheut Lindor dhe përtej tij po ndryshon në mënyrë rrënjësore nisur edhe nga disa zbulime vendburimesh në det. Nëpërmjet tyre mund të rritet pavarësia e Izraelit për energji e siguri. Po ashtu, këto zbulime të fundit, në pjesë të pa eksploruara të Detit Mesdhe, në zonën midis Greqisë, Turqisë, Qipros, Izraelit, Sirisë e Libanit, flasin për një zonë të re të ngjashme me Gjirin Persik, ku pasuria me hidrokarbure ka qenë jo vetëm një burim pasurie, por, në mjaft raste, edhe një mallkim për popujt e tij. Edhe këto zbulime në Mesdhe mund të bëhen burim tensionesh e konfliktesh të reja. Ankesat e para kundër Izraelit janë dërguar nga Libani në OKB. Në kushte të tilla, BE-ja duhet ta fuqizojë rolin e saj rajon, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aktorë të rëndësishëm aty. Edhe Turqia si anëtare potenciale e BE-së ka rolin e saj të padiskutueshëm për konfigurimin e një Levanti të Ri paqësor, të qëndrueshëm dhe me një rrugë të re zhvillimi. Pikërisht, një perspektivë e tillë zhvilluese e paqësore, një partneritet i qartë me BE-në u shërben dhe vendeve të Ballkanit, pra edhe Shqipërisë e Kosovës, vetë hapësirave të banuara nga shqiptarët, ku mund të luajë një rol pozitiv një Turqi ekonomikisht e fortë dhe politikisht demokratike, por jo autoritare e autokratike!…