Prof. Dr. Paskal Milo: Dekreti i Presidentit është mundësi për dialog. Kushtetutën e kanë shkelur sa herë kanë dashur partitë

452
Sigal

Prof. Dr. Paskal Milo, aleati i ASHE: Dekreti i Presidenti është mundësi për dialog

Edi Rama nuk dëgjon askënd

Kreu i Partisë Demokracia-Sociale, Prof. Dr Paskal Milo një ditë pas takimit me Presidentin e Republikës, për t’u konsultuar për datën e re të zgjedhjeve vendore, ka folur në lidhje me marrëdhënien e vështirë me Edi Ramën. Prof. Milo e tha hapur që Kryeministri nuk dëgjon këshilla prej askujt. “Kam konstatuar se Edi Rama nuk ka vesh për të dëgjuar. Dhe kështu ka qenë gjithmonë. Kam 15 vjet që e njoh në punë e sipër dhe kam një përvojë të gjatë”, tha Milo.

Zgjidhja e krizës, Milo: Amerikanët ndërhyjnë javën tjetër

Kreu i Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo tha se një ditë më parë është takuar me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer. Milo tha se nga java tjetër ndërkombëtarët do fillojnë që të rrahin fort sinjalet e alarmit. “Ndërkombëtarët kanë dashur që ngjarjet në Shqipëri, mbështetur edhe nga përvoja e hidhur e së kaluarës, të mos japin shanse të përsëritjes së krizave të thella politike dhe sociale në Shqipëri. Nuk besoj se ndërkombëtarët do të rrinë duarkryq. Deri më tani ata kanë dërguar mesazhe të tilla për gjetjen e konsensusin. Dje kam takuar Palmerin në Prishtinë dhe bisedova me atë për disa minuta. I shpreha shqetësimin për rolin që duhet të luajnë SHBA për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. I fola për dekretin e Presidentit. Ai pranoi që është thjeshtë një dekret por nuk është zgjidhje, ashtu sikur se palët duhet të ulen vetë. Po rrinë e po shikojnë pozicione të ngurtësuara. Ata deri më tani do të jenë monitorues të situatës deri në fund të javës dhe jo vetëm ata, por edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nga java tjetër do fillojnë që të rrahin fort sinjalet e alarmit. Ky është një dështim për politikën shqiptare”, tha Milo.

Palët duhet të tërhiqen nga parakushtet

 

Paskal Milo zbuloi detaje nga takimi që partitë e vogla opozitare dhe njëkohësisht PSD patën me presidentin Ilir Meta. Prof. Milo tha se nuk iu është ofruar asnjë datë e re për zgjedhjet dhe se një gjë e tillë as që është kërkuar nga partitë e vogla. Ai tha se Presidenti ishte i shqetësuar për situatën e krijuar. “Presidenti Ilir Meta na thirri në zyrë për të biseduar rreth shqetësimeve që janë krijuar në lidhje me zgjedhjet vendore; në vijim edhe të dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve. Nuk është se propozoi ndonjë datë dhe as që na kërkoi ndonjë datë. Ishte për të ndarë shqetësimin dhe për të krijuar ide e mendime se çfarë mund të bëhet dhe se si mund të gjendet një zgjidhje për daljen nga kjo situatë që është krijuar. Më tepër ishte një takim informues, një takim ku shprehu shqetësimin dhe ne shprehëm shqetësimet tona, por jo se u fokusuam në një çështje konkrete apo në një datë konkrete për tu propozuar. Meta shpjegon arsyet se pse arriti në atë vendim që mori dhe shpreh shqetësim dhe kërkon nga të gjithë aktorët politikë që të ulen e t’i japin zgjidhje krizës. Shqipëri është në krizë dhe në krizë nuk duket duke shkuar me kokëfortësi secili, duke u nisur nga pozite ekstreme për të realizuar disa objektiva. Të dyja palët duhet të tërhiqen. Po s’u tërhoqën të dyja palët nga kërkesa të cilat e mbajnë Shqipërinë peng, nuk do të mund të gjendet zgjidhja. Ose do të shkohet në konflikt politik dhe social, që urojmë që të mos shkohet ose pastaj do të ketë një zgjidhej të arsyeshme”, tha Paskal Milo.

Prof. Milo: Kushtetuta është shkelur sa herë që kanë dashur

Prof. Dr. Paskal Milo u shpreh se nuk është ndonjë gjë e madhe nëse shkelet Kushtetuta pasi ka ndodhur edhe herë të tjera. “Nuk është kiamet dhe Kushtetuta nuk është se është një letër e paprekshme po nga këta që gjoja qajnë se nuk preket Kushtetuta. Këta e kanë prekur Kushtetutën aq herë sa u ka dashur qejfi. Me vendim politik mund të merret shtyrja e zgjedhjeve, por nga ana tjetër PD nuk duhet të vërë ultimatume absurde dhe ekstreme. Janë ultimatume aq ekstreme saqë nuk krijojnë klimë për të pasur në marrëveshje. Unë kam frikë se të dyja palët janë duke këmbëngulur në kërkesat e veta në qëllim që të mos ketë një zgjidhje dhe nuk e di se për çfarë interesash vazhdojnë që të këmbëngulin në mënyrë të verbër; ndofta duke u nisur nga ideja se ai që këmbëngul më shumë ai, mund të dalë fitues nesër dhe të dorëzohet pala tjetër. Kjo është një politik e vjetër, është një politikë e mykur dhe në një Shqipëri që nga njëra anë përpiqemi që të hapim negociatat me BE-në , këto dy palë me këmbënguljen e tyre, në pozicione ekstreme që po mbajnë, po mbajnë peng integrimin e Shqipërisë , nuk jemi ne”, deklaroi Milo.

Prof. Dr. Paskal Milo: Jam në koalicion me PS se s’kam alternativë tjetër

Në lidhje me raportet e koalicionit me Partinë Socialiste, si kryetar i Partisë Demokracia Sociale, Prof. Dr. Paskal Milo: “PSD është regjistruar për të shkuar në zgjedhje. Jemi ndodhur në një koalicion me Partinë socialiste, sepse nuk kishim ndonjë alternativë tjetër. Jam i majtë e s’kam ku të vete Partia Socialiste asnjëherë nuk na ka përfillur. Partia Socialiste gjithnjë na ka shfrytëzuar. Pavarësisht se jemi në koalicion me PS, por kjo nuk do të thotë që ne të mos kemi qëndrimin tonë. Kjo nuk do të thotë që ne të shkojmë pas PS edhe në ato momente që ne e gjykojmë që ajo nuk ka të drejtë. Atëherë kot që ekzistojmë, kot që jemi”, argumentoi kreu i PDS Prof. Dr. Paskal Milo.